image

Kryetari i Listës për Shqipëri natyrale, Koço Danaj, ka deklaruar se ngjarjet e fundit në Shkup, treguan qartë para shqiptarëve në Shqipërinë Lindore dhe mbarë rajonin, para Brukselit dhe Washingtonit, se logjika Shoviniste e Gruevski-Crevenkovskit, s’e pranon Logjikën e Dialogut që për më se dy dekada po ju ofrojnë shqiptarët. “Kjo logjikë, që nga viti 1994, 1997, 2001, 2004, që nga ngjarjet në Brodec, në Radushë, në Strugë, në Manastir, në Shkup, pranon vetëm shqiptarë të nënshtruar, por jo të barabartë me maqedonët. Shteti artificial i krijuar në 1945 nga Tito, në kurriz të shqiptarëve, edhe më 2013 kërkon të jetojë përsëri në kurriz të shqiptarëve dhe duke përbuzur, përgjakur dhe eliminuar shqiptarët, kulturën dhe historinë e tyre. Kjo Logjikë shoviniste akoma nuk e ka kuptuar se Marrëveshja e Ohrit, ishte kompromis i shqiptarëve, për të shpëtuar një shtet artificial”.

Sipas Danajt, shovinizmi maqedonas është hedhur në ofensivë dhe po ju tregon shqiptarëve se në vend të demokracisë dhe bashkëjetesës, duhet të zgjedhin frikën nga shteti apo nga njerëzit e paguar nga shteti. “Prandaj, ky shovinizëm duhet te zhduket. Por, për të zhdukur shovinizmin maqedonas, nuk kanë vlerë deklaratat që dënojnë atë dhe në fund ju bëjnë thirrje shqiptarëve për maturi”!

Danaj theksoi se me ngjarjet e fundit në Shkup, porositë e Brukselit apo deklaratat e Tiranës, Prishtinës etj. nuk kanë më vlerë.

“Tashmë ka vlerë vetëm rezistenca, protesta masive. Ka vlerë vetëm bashkimi kombëtar, ka vlerë vetëm Shqipëria Natyrale. Shovinizmi maqedonas, si çdo shovinizëm tjetër ndaj shqiptarëve, do të zhduket vetëm atëherë kur shqiptarët të bashkohen në një shtet… Mos lejoni të sakrifikoheni, as ju dhe as shqiptarët e Kosovës Lindore, në emër gjoja të kompromisit të madh historil Thaçi-Dacic, kompromis që jo vetëm nuk mbron shqiptarët, por fal territore të shqiptarëve. Maqedonia ‘ka vdekur’ si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonëve. Le ta ‘varrosim’ atë. Ky do te jetë kontributi më i madh në shërbim të paqes, progresit dhe stabilitetit të Ballkanit”.