Të ngritët zëri për regjistrimin
Demografi Abaz Islami ka thënë se subjektet politike shqiptare duhet të arrijnë marrëveshje lidhur me këtë proces sepse i njëjti është interes kombëtar dhe jo partiak. DR ka bërë të ditur se do të bëjë regjistrim paralel të diasporës shqiptare, ndërsa PDSH-ja është kërcënuar se do t’i ftojë qytetarët në bojkot
Aida XHONI
Demografët shqiptarë vazhdojnë të sugjerojnë faktorin politik shqiptar në Maqedoni që t’i harmonizojnë qëndrimet kur bëhet fjalë për regjistrimin e popullatës dhe t’i lënë mënjanë interesat e ngushta partiake. Sipas tyre, procesi i regjistrimit është interes i madh kombëtar dhe për këtë qëllim të gjitha subjektet politike shqiptare qoftë në pushtet apo në opozitë duhet të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët. Faktori politik shqiptar të ketë ujdi për procesin e regjistrimit, thotë demografi Abaz Islami, për të cilin është e pajustifikuar të realizohet proces paralel i regjistrimit nga partitë opozitare shqiptare.
“Nëse edhe një familje nuk arrin të regjistrohet në kuadër të procesit regjistrues të popullatës, nuk mund të themi se e kemi arritur qëllimin tonë. Nuk e arsyetoj procesin paralel të regjistrimit, sepse i njëjti nuk do të njihet as nga institucionet e as nga ndërkombëtaret”, thekson Islami. Ai më tej shton se asnjëherë nuk është pajtuar me asnjë proces regjistrues të popullatës sepse vazhdimisht manipulohet me shqiptarët dhe numrin e tyre. “Subjektet politike shqiptare duhet me unitet t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre, dhe me një klimë të mirë të realizohet ky proces sepse bëhet fjalë për interesa shqiptare të përbashkëta”, ka thënë Islami.
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është kërcënuar se do t’i fton qytetarët në bojkot, përderisa Demokracia e Re (DR) do të organizojë regjistrim paralel të popullatës.
Partia e Imer Selmanit ditë më parë ka paralajmëruar se do organizojë regjistrimin e diasporës, shqiptarëve që janë shtetas të Maqedonisë në të gjitha vendet e Evropës dhe SHBA-ve. Nga ky subjekt kanë bërë të ditur se ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me shumë organizata joqeveritare, sepse sipas kësaj partie, me Ligjin për regjistrim përjashtohen mbi 250 mijë shqiptarë të cilët punojnë përkohësisht në mërgim.
“Ne e kemi parasysh faktin se institucionet nuk do të marrin parasysh regjistrimin e popullatës që do ta bëjmë paralelisht në Evropë dhe SHBA. Por, me anë të këtij procesi paralel duam t’ia dëshmojmë Gruevskit dhe Ahmetit, atë që vazhdimisht e kemi përmendur se kanë përjashtuar nga procesi 250 mijë shqiptarë. Ne veç më i kemi pikat e kontaktit me bashkëqytetarët nëpër botë. Bëhet fjalë për çështje teknike. Gjithçka do jetë gati që me një prill të filloj ky proces paralel i regjistrimit”, ka thënë zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha. Regjistrim paralel të popullatës në Maqedoni ka paralajmëruar edhe PDSH-ja, e Menduh Thaçit. Sipas kësaj partie regjistrimin do ta realizojnë në atë mënyrë që regjistrim të popullatës do të bëjnë nё një bashkësi lokale dhe komunë etnikisht tё pastër dhe nё një bashkësi lokale dhe komunë etnikisht të përzier. Sipas PDSH-së, ky sistem i regjistrimit bëhet për të nxjerrë nё pah manipulimet që parashihen të ndodhin gjatë regjistrimit nё prill të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) gjithashtu ka paralajmëruar bojkot të procesit. Arsyetimi i PPD-së është se bojkoti kategorik i regjistrimit të ardhshëm mund të jetë përgjigje kategorike ndaj tentativave të pushtetit maqedonas për të legjitimuar rrejshëm këtë regjistrim si “standard evropian” dhe për të legjitimuar aparatin statistikor kolonial dhe praktikat e gjenocidit statistikor dhe etnik që i ka përdorur nga viti 1948 deri më sot ndaj shqiptarëve. Ndryshe, kohë më parë Parlamenti i Maqedonisë miratoi Ligjin për regjistrim të popullatës, dhe ky proces parashihet të realizohet nga 1 deri 15 prill të vitit 2011. Miratimin e këtij ligji e kanë kundërshtuar partitë opozitare shqiptare.
DR, gati për aksion
“Ne veç më i kemi pikat e kontaktit me bashkëqytetarët nëpër botë. Bëhet fjalë për çështje teknike. Gjithçka do jetë gati që me një prill të filloj ky proces paralel i regjistrimit”, ka thënë zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha.