Erdhi Fetai për Maqedoninë
Futbollisti shqiptar Bajram Fetai, njëri nga sulmuesit e dalluar të kampionatit danez ka mbërritur në Shkup për të përfunduar të gjitha formalitetet për të veshur fanellën e reprezentacionit të Maqedonisë.
Fetai, më parë lojtar i Glasgou Rangers në Skoci, i cili aktualisht luan për skuadrën Nordsjeland në ligën e parë të Danimarkës, njihet me rezultatet e tij të suksesshme, me 97 paraqitje në këtë klub, ku ka shënuar 26 gola.
Agjencia e lajmeve INA ka zhvilluar një intervistë me Fetain pas mbërritjes së tij dje në Aeroportin e Shkupit, i cili shpjegon arsyet e vendimit për reprezentacionin e Maqedonisë, sfidat e së ardhmes në futbollin evropian si dhe dëshira për të luajtur në kampionatin gjerman.
INA: Bajram, mirëserdhet dhe cila është arsyeja që vini në Maqedoni?
Fetai: Kam një ftesë nga trajneri i reprezentacionit të Maqedonisë, Mirsad Jonuz, i cili më ka ndjekur vazhdimisht mua si lojtar në kampionatin danez dhe me këtë rast përfundimisht vendosa që të jem pjesë e reprezentacionit të vendlindjes time, pasi që unë jam me origjinë nga Tetova. Një periudhë të caktuar e analizova ftesën dhe më në fund vendosa pozitivisht, për të përjetuar këtë dhe fatmirësisht do të tregojë veten duke u përfaqësuar dhe treguar afinitetet e mija. Të luash për një reprezentacion është një mburrje dhe sukses për një lojtar, andaj edhe unë vendosa pozitivisht, duke shprehur edhe faleminderime për ftesën.
INA: Keni përmbyllur të gjitha çështjet për të qenë pjesë e reprezentacionit ?
Fetai: Po këto dy ditë sa do të qëndrojë në Maqedoni do të përfundoj të gjitha formalitetet që kërkohen. Sot dhe nesër do të takohem me seleksionuesin Mirsad Jonuz, për t`u njohur me detajet e tjera dhe shpresoj se do të jem pjesë e ekipit që në ndeshjen e ardhshme, e cila sipas informacioneve do të jetë me Shqipërinë, një ndeshje miqësore që do të luhet në Korçë të Shqipërisë, ku edhe me vjen mirë që me këtë ndeshje e bëj debutimin tim.
INA: Por, ju dihet se keni luajtur me kombëtaren e Danimarkës, ndërsa tani hoqët dorë nga ajo. Përse ?
Fetai: Po unë përkundër dilemave, e vendos siç thash që të luaj me Maqedoninë, pasi që me Danimarkën pati një dilemë dhe çështje të paqartësuara. Unë kam luajtur për Danimarkën vazhdimisht si një lojtar i ri me U-18, U-19 dhe U-20. Pastaj isha pjesë e ekipit të parë të kombëtares, mirëpo duke u paraqitur në dy ndeshje miqësore dhe provuese që u luajtën në Tajlandë. Dilemat e mija janë qartësuar atëherë kur nuk mora ftesën për në Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut dhe në ndeshjet e tjera zyrtare, sidomos kualifikimet e fundit për evropianin.
INA: Po përse nuk zgjodhët Shqipërinë, kur dihet se shumë lojtarë shqiptarë e shohin si alternativë edhe kombëtaren ?
Fetai: Në asnjë rast nuk kam pasur ndonjë ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë dhe nuk dij arsyet për këtë se përse. Unë jam shqiptarë dhe burojë nga një familje që respekton traditën dhe atdhetarinë kombëtare, edhe pse gjendemi me dekada të tëra në mërgim. Mirëpo, ashtu fati e deshi që unë të kem ftesën nga reprezentacioni i Maqedonisë.
INA: Për momentin cila është forma juaj në skuadrën e Nordsjeland ?
Fetai: Po në këtë skuadër jam duke treguar formën e mirë dhe jam pjesë e suksesit të saj. Deri tani ndjehem mirë dhe jam njëri nga lojtarët më të preferuar edhe nga tifozët e këtij klubi. Kontrata me këtë klub më skadon më 31 dhjetor të këtij viti dhe shpresoj se do të braktisë atë, duke kaluar në ligat më të njohura evropiane. Me FC Nordsjeland sezonin e kaluar fituam Kupën daneze, kurse goli im ishte vendimtar në finalen e kësaj kupe.
INA; Ju jeni njohur edhe si një nga sulmuesit e ekipit të madh Rangers në Skoci?
Fetai: Po transferimi im në klubin skocez Glasgou Rangers u bë nga klubi B93, i ligës së dytë të futbollit danez, aty ku kisha luajtur 7 vite dhe ku kisha debutuar qysh në moshën 16 vjeçare. Në klubin skocez Rangers ishte një përvojë e re dhe e mirë për mua, pasi që edhe atje tregova rezultate të mira si lojtarë, duke ndihmuar këtë skuadër. Por, ajo që nuk më pëlqente ishte mospërshtatja me ambientin. Pra nuk zgjata shumë aty dhe vendosa të kthehem me familjen time në Danimarkë, për të përfituar eksperiencën e ligës së Danimarkës, tek klubi i Silkeborg.
INA: Po tani, Keni ndonjë ofertë nga ndonjë skuadër ?
Fetai: Ka një interesim të madh, por për momentin nuk dua të zbulojë asgjë konkrete. Ofertat vijnë nga Anglia, klubet tjera daneze, si dhe në Bundesligën Gjermane. Në kampionatin gjerman më intereson më shumë për të luajtur dhe shpresat janë për të vendosur atje. Por gjithçka do të definohet me fillimin e vitit të ardhshëm.
INA: Sigurisht se do të mirëpresim rezultate të mira me reprezentacionin dhe kalimin në ndonjë nga ekipet e mëdha të futbollit në Evropë ?
Fetai: Po shpresoj se do të kem shumë rezultate me reprezentacionin e Maqedonisë dhe do të tregoj cilësitë e mija si një sulmues, përkrah sulmuesit Goran Pandev dhe me këtë besoj se do të jemi një tandem i suksesshëm. Ndërsa, edhe kalimi në ekipe të njohura evropiane shpresoj se do të kurorëzohet, pasi që fillimisht ka disa oferta tek menaxheri im që vijnë nga
klube të njohura dhe që mund të begatojnë karrierën time në futboll. (INA)

Emri: Bajram
Mbiemri: Fetai
Datëlindja: 7 shtator 1985
Vendlindja: Tetovë (Maqedoni)
Pozita: sulmues
Numri në fanellë: 15
Gjatësia: 1.80 m
Klubi aktual: FC Nordsjeland
Klubet e mëparshme:
B.93, Rangers, Silkeborg IF
Kombëtarja: U 18, U19, U20 me Danimarkën
Kombëtarja A: 2 ndeshje miqësore me Danimarkën