image

Gjasat që të pranohet iniciativa e BDI-së për interpretim të ligjit për amnisti në parlament që lidhet direkt me rastet e kthyera nga Haga janë shumë të vogla. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është duke punuar në terren për t’i bindur partitë politike maqedonase se nuk duhet të procesuohen në Maqedoni rastet e kthyera nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ndërkaq VMRO-DPMNE parimisht është kundër kësaj iniciative.
Lideri Ali Ahmeti kishte deklaruar se personalisht është angazhuar që kujtimet nga 2001 të mbyllen tërësisht. “Jam angazhuar personalisht. Kam biseduar me Tito Petkovskin dhe Stojan Andovin që të mbyllen këto procese. Kryesisht ata nuk janë kundër dhe në të ardhmen do të mbyllen këto raste”, tha Ahmeti.Katër rastet e Hagës të cilat dëshirojnë t’i hapin gjykatat e Maqedonisë janë mbyllja e ventileve të “pendës së Likovës” gjatë luftës së vitit 2001, rasti i maltretimit të punëtorëve të “Mavrovës”, zhdukja e 12 personave dhe kreu i UÇK-së.
Të gjitha këto raste nëse fillojnë të zbardhen në Maqedoni, atëherë paralajmërohet krizë edhe më e madhe në politikë. Pikërisht nga këto arsye, Aheti kërkon që rastet të mbyllen. Megjithatë, dy partitë më të mëdha Maqedonase ende nuk janë të gatshme që ta mbyllin procedurën dhe sa herë u nevojiten ata i shfrytëzojnë.
Nga LSDM theksojnë se fillimisht do të presin vendimet e partive në pushtet. “deri tek ne nuk ka arritur asnjë kërkesë me të cilën do të shqyrtohen këto raste. Ne nuk do të marrim asnjë vendim para se të shohim se cili është qëndrimi i partive në koalicion BDI dhe VMRO-DPMNE”, theksojnë nga LSDM.
Nga partia e Ahmetit pohojnë se në Parlamentin e Maqedonisë është votuar ligji për amnisti dhe ajo duhet të vlejë për të gjitha palët.
Nga BDI konsiderojnë se nuk kanë pësuar vetëm maqedonasit në atë kohë por edhe shumë shqiptarë siç është vrasja e diku 9 fëmijëve gjatë luftës së vitit 2001, 12 të vrarë në fshatrat e Tetovës, janë pushkatuar para kamerave babë e bir afër stadiumit etj. Për rastet e Hagës akuzohen 23 persona në mesin e të cilëve edhe deputeti i BDI-së, Hysen Xhemaili.
Për të vetmin rast ku të gjitha partitë politike shqiptarë janë bashkë është procesi i rasteve të Hagës ku të gjitha kërkojnë që ato mos të hapen pasi do të hapen varrë të reja.
I vetmi rast që u mor parasysh nga gjykata ndërkombëtare e Hagës është “Lubeteni”. Për pasojë të vrasjes së 10 civilëve shqiptarë është dënuar me 12 vjet burg ish-funksionari i lartë i policisë, Johan Tarçullovski.