LUFTA MIDIS PARIMIT WILSONIAN PËR TË DREJTËN E VETEVENDOSJES SË POPUJVE DHE PARIMIT TË OSBE PËR MOSNDRYSHIM TË KUFIJEVE !
Bashkësia ndërkombetare konfrontohet tanimë me dy parime: Parimin e OSBE për mosndryshimin e kufijeve në Ballkan, që është e sanksionuar edhe në Konferencën e Dejtonit, dhe me parimin Wilsonian për Vetëvendosje.
Akoma dominon parimi i OSBE-së, pavarësisht se organizatoret e Dejtonit (amerikanët) nëpër mbledhjet e tyre të fshehta e pranojnë nën zë se Dejtoni ka dështuar, sepse ai kishte postulatën: Lejohet shpërbërja e RSFJ por jo edhe ndryshimi i kufijeve të ish republikave të RSFJ-së.Ne duhet të kërkojmë parimin Wilsonian, por akoma ky parim nuk e ka marrë dominimin e tij, sepse amerikanëve iu vjen inati ta pranojnë se Dejtoni ka dështuar me turp, ashtu siç ka dështuar me turp edhe Rambujeja; sepse, në fillim ndërkombëtarët u premtuan shqiptarëve se pas tre viteve do të lejohet ushtrimi i të drejtës së vetëvendosjes.
Por, ky premtim ishte mashtrues; sepse, tërë mekanizmi i bashkësisë ndërkombëtare që prej atëherë ishte destinuar për të penguar vetëvendosjen e popullit shqiptar.
Së pari, me anë të misionit ndërkombëtar të UNMIK-ut që kontrollonte dhe rregullonte çdo gjë në Kosovë.
Së dyti, pas thyerjes së parimit “statusi pas standardeve”, pas demonstrateve gjithpopullore në Kosovë të vitit 2004, vinte në pozita mohuese të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje, nëpërmjet “dialogut” me kolonialistët serbë.
Gjithashtu, edhe “Pakoja Ahtisaari” është një instrument për mohimin e së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar, sepse po iu ndalohet “bashkimi me një shtet apo të një pjesë së një shteti” dhe të drejtën e referendumit; sepse, populli nuk ka asnjë prekshmëri në vendimmarrje, por pavarësia e Kosovës – që do të thotë de jure shkëputja e Kosovës nga Serbia, ka shënuar fillimin dhe fundin e parimit të mosndryshimit të kufijve në Ballkan.
Mohimi i së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar nga ana e ndërkombëtarëve nuk do të ishte e mundur pa “kontributin” e klasës politike shqipfolëse në të gjithë trojet shqiptare që u lejua të jetë e ndikuar dhe e nënshtruar nga ndërkombëtarët.
Dihet se gjatë Shqipërisë socialiste, nuk u pranua nënshkrimi i Kartave të OSBE-së, që do të nënkuptonte nënshkrimin e parimit për mosndryshim të kufijve nga Shqipëria administrative. Kurse qeveria e re “demokratike” bëri të parën gjë.
Më pas edhe në trojet e pushtuara e të kolonizuara ngjiten në pushtet personazhe që pranuan parimin e mosndryshimit të kufijve në dëm të atij të vetëvendosjes, p.sh. në IRJM, ku kompania e Ali Ahmetit u ngjit në pushtet, përmes pushkës (luftës), për të shpëtuar krijësën artificiale dhe koloniale sllavo-maqedonase, apo edhe në Kosovë, ku pushtetarët sakrifikuan parimin e vetëvendosjes për një pavarësi gjysmake, ende në kuadrin e rezolutës 1244.
Por, të gjithë duhet të dijnë se as Mitrovica dhe as Kosova nuk mund të mbrohen në Mitrovicë dhe në Kosovë, por mbrohen ne Sanxhak, aty ku fillon edhe shpërbërja e rradhës e Serbisë, sepse kam bindjen e patundur se pas Sanxhakut do te levizin edhe hungarezët e Vojvodinës dhe edhe shiptarët e Kosovës Lindore (Peshevë-Medvegjë-Bujanocit), të cilët edhe duhet të krkojnë që “Pakoja Ahtisari” të zbatohet edhe në shtetet më multietnike, sic janë Serbia, Mali i Zi dhe Greqia.
Edhe sikur shqiptarët e Sanxhakut të kerkojnë që edhe në Serbi të zbatohet “Pakoja Ahtisaari”, ne të Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK) do të duhet që si fillim ta mbështesim këtë kërkesë të ligjshme, se pastaj, pasiqë Serbia nuk do ta pranojë këtë gjë, edhe ata (sanxhaklijtë) do te vijnë me ne, drejt Autonomisë së Sanxhakut në kuadër të Republikës se Kosovës, të shprehur edhe përmes Referendumit të vitit 1991.
Prandej, për deri ateherë edhe ne duhet të kerkojmë që në shtetet më multietnike (në Serbi, Greqi dhe Mal të Zi) të zbatohet “Pakoja Ahtisaari”, kurse në IRJM duhet të kërkojmë që IRJM të jetë shtet federal sipas modelit të Belgjikës, që ashtu si Belgjika që është shtet i flamanëve dhe i valonëve, edhe IRJM të jetë shtet i sllavo-maqedonasve dhe i shqiptarëve.
Dhe, kur shovenët serbë dhe grekë. si dhe malazezë dhe sllavo-maqedonas, të mos e pranojnë këte gjë, ne para bashkësisë ndërkombëtare do të jemi shumë të arësyeshëm për kërkesat tona, të rivendikimit të kufijëve në Ballkan.
* Autorja është anëtare e Frontit Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK).
Gjakovë, më 15 shtator 2010