image
Pedagogët dhe shoqatat joqeveritare akuzojnë ministrin e arsimit dhe partitë shqiptare për eksperimentimet e vazhdueshme me tekstet shkollore të nxënësve shqiptarë, ndërkohë që kërkojnë unifikim të librave shkollorë me Shqipërinë dhe Kosovën

Aida XHONI

Ekspertë, profesorë dhe shoqata joqeveritare, akuzojnë partitë politike shqiptare por edhe ata maqedonase se vazhdimisht eksperimentojnë me nxënësit shqiptarë dhe me fatin e tyre. Ata gjithashtu përshëndesin idenë për unifikim të sistemit arsimor mbarë shqiptarë. Profesori universitar Avzi Mustafa për gazetën “Koha e Re” tha se fajtor kryesor për librin tash më të tërhequr të lëndës “Shoqëria” është numri një i arsimit, i cili nuk e befason me vendimet e tija paushalle.

“Ministri nuk respekton ligjin. Në ligj shkruan qartë se për çdo libër ka nga dy tre alternativa. Ai ka sjellë vendim krye në vete dhe kundërshton haptas ligjin. Problemi tjetër është Këshilli nacional. Aty shpallet konkursi dhe në të konkurrojnë njerëz partiak e jo ata me përvojë e profesionalist sepse këta të fundit e dinë se recensent, lektor e autor do të zgjidhen ata që janë njerëz të afërt me partinë qofsh shqiptare apo edhe maqedonase. Do të thotë se për çdo gjë partia ka gisht dhe në këto raste fiton një teksti më dobët”, u shpreh Mustafa. Ai gjithashtu ka thënë se mirëpret idenë e unifikimit të sistemit arsimor midis Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ajo do të jetë e mirëseardhur. Evropa kërkon integrim rajonal dhe do të jetë e udhës që historia, gjuha amtare dhe muzika të jenë të njëjta kurse librat tjera mund të përkthehen edhe nga vendet tjera”, tha Mustafa.
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashri”, Nuhi Dardhishta, thotë se pikërisht Todorovi është ai që s’ka të ndalur me avazin diskriminues.

“Pas skandalit me librat përgjegjës qëndron ministri i Arsimit. Libri ‘Shoqëria’ është njëjtë sikur historia, ku siç e dimë flitet për personalitete e ndodhi të së kaluarës. Nëse në hartimin e librit nuk ka pasur autor shqiptarë, atëherë është dashur të ketë recensent shqiptar. Kërkojmë që çdo libër ta kontrollojnë lektorët, por pranë lektorëve të ketë edhe bashkëpunëtorë profesional të lëndës përkatëse”, deklaroi Dardhishta.

Edhe Dardhishta ka përkrahur idenë e unifikimit të librave shkollor me Prishtinën dhe Tiranën. 

“Ne kemi kërkuar që para dhjetë viteve që të kemi një abetare, një libër historie, një libër muzike, arti … që të kemi një unifikim të mirëfilltë të sistemit arsimor në trekëndëshin Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Kosova dhe Maqedonia veçmë e kanë sistemin e inkorporuar të nëntëvjeçares. Mendoj se shumë shpejtë, më antarësimin në Bashkimin Evropian, do të bëhet unifikim i sistemeve arsimore, do të lehtësohet kalimi i njerëzve prej një shtet në tjetër dhe prej një shkolle në një tjetër, që do të thotë do të ndodh e njëjta sikur me sistemin universitar të Bolonjës’, nënvizoi Dradhishta.

Kryetari i OJQ-së “Realiteti”, Valon Bela, vlerësoi se politika qeveritare ka frymëzuar që qytetarët e  Maqedonisë kështu duke përfshirë edhe lektorë të ndryshëm professional të frymëzohen nga politikat nacionaliste qeveritare pro-maqedonase. “Kjo politikë gjithashtu ka shkaktuar dëm të madh edhe në sektorë, tjera si për shembull në ekonomi, mbrojtje, kulturë etj. Sa i përket unifikimit të qëndrimit apo një abetare për tre shtete, kjo është dëshirë e kamotshme e gjithë qytetarëve shqiptarë, sidomos këtu në Maqedoni ku institucionet shtetërore paraqiten si pengesë primare rreth zhvillimit akademik të tyre”, tha Bela.

Lëvizja “Zgjohu!” ditë më parë nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar shkarkim të Nikolla Todorovit dhe sistemin e inkorporuar mes trekëndëshit Shqipëri-Kosovë-Maqedoni.
“Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” i bashkëngjitet kërkesave të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë për tërheqje të librit të Shoqërisë dhe ripërsërit kërkesën e saj për dorëheqje të menjëhershme të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov, për arsye të dështimit të radhës me gabimet skandaloze në librat shkollore dhe fton Qeverinë që t’a shkarkojë ditë më parë në rast se Todorov refuzon të dorëhiqet”, konsideron kjo organizatë. Lëvizja ZGJOHU! Vlerëson se justifikimet e Todorovit dhe shmangja e përgjegjësisë janë të papranueshme. “Përkujtojmë që ky Ministër ka përgjegjësi absolute për kaosin në sistemin arsimor në Maqedoni, për tensionim e marrëdhënieve ndëretnike, për cenimin e autonomisë së universiteteve shtetërore, për diskriminim e skajshëm ndaj nxënësve shqiptar, për imponimin e dështuar të gjuhës maqedonase, etj”, thotë kjo Lëvizje.

Ndryshe, skandali i radhës në Ministrinë e Arsimit ishte përpilimi i librit shkollor “Shoqëria” dhe kalimi në këshillin e recensentëve, ku kishte edhe shqiptarë, i cili ishte i përmbushur përplot me gabime trashanike. Një ndër to ishte vendosja e Kosovës në kuadër të Serbisë, ilustrimi i gabimshëm i flamurit kosovar si vendosja ilustrimi joadekuat në pjesën ku shkruhej për fenë islame. 

Kur partia të bën edhe recensent

“Ministri nuk respekton ligjin. Në ligj shkruan qartë se për çdo libër ka nga dy tre alternativa. Ai ka sjellë vendim krye në vete dhe kundërshton haptas ligjin. Problemi tjetër është Këshilli nacional. Aty shpallet konkursi dhe në të konkurrojnë njerëz partiak e jo ata me përvojë e profesionalist sepse këta të fundit e dinë se recensent, lektor e autor do të zgjidhen ata që janë njerëz të afërt me partinë qofsh shqiptare apo edhe maqedonase. Do të thotë se për çdo gjë partia ka gisht dhe në këto raste fiton një teksti më dobët”, u shpreh profesori universitar, Avzi Mustafa.