Vrasje e katërfishtë në afërsi të Vitisë, mes tyre shtetas të Maqedonisë
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se incidenti ka ndodhur në aksin rrugor Viti – Kllokot, kur jetën e kanë humbur katër persona.“Ne orët e mëngjesit ka pasur gjuajtje në rajonin e Gjilanit nga një makinë , ku kanë humbur jetën katër persona. Janë dy nga Kosova dhe dy nga Maqedonia. Tani par tani është informacioni i vetëm dhe për identitetin e tyre ende nuk ka asgjë”, ka theksuar zëdhënësi Baki Kelani, duke nënvizuar se rasti po shqyrtohet akoma nga organet kompetente.
Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë(MPB), Gordana Jankullovska ka vërtetuar vrasjen e tre shtetasve të Maqedonisë në Kosovë, por duke mos dhënë detaje për vrasjen.
“Gjatë ditës presim më shumë detaje për këtë incident dhe se jemi në kontakt me autoritetet kosovare dhe gjatë ditës do të njiheni se çfarë ka ndodhur”, ka theksuar Jankullovska.
Katër persona janë vrarë gjatë një përleshje të armatosur sot në mëngjes në afërsi të Vitisë së Kosovës.
Në mesin e të vrarëve siç mëson INA janë tre shtetas të Maqedonisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur ende nga Policia e Kosovës.
Vrasja ka ndodhur në rrugën Viti-Kllokot, ndërsa televizioni RTK ka kumtuar edhe për një person të plagosur.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka theksuar se autoritetet kosovare kanë kërkuar ndihmë për të zbardhur identitetin dhe dosjet e shtetasve të vrarë nga Maqedonia. (INA)