Tetova përballet me probleme në urbanizëm
Ndërtimet e shumta në Komunën e Tetovës që kanë filluar rreth 15 vite më parë kanë ngritur shqetësimin jo vetëm të qytetarëve por edhe të ekspertëve të ndërtimtarisë për shkak se shumica e ndërtimeve nuk i përmbushin kriteret e nevojshme. Mungojnë vendet e parkimit, pastaj gjelbërimi dhe shkallët e emergjencës. Sipas ekspertëve, kjo ndodh për shkak të mosrespektimit të ligjit për ndërtim dhe mungesës së mbikëqyrjes së mirëfilltë nga inspektorati komunal. “Kjo ndodh për shkak të mos-implementimit të ligjit për planifikim hapësinor meqë në projekte është realizuar ajo që kërkohet në pikëpamjen ligjore mirëpo nuk realizohet në ndërtim në teren. Ligji me siguri se për pjesë të caktuara kërkon kushte të caktuara të ndërtimit. Në standard kemi shumë ngecje në kuptimin e kualitetit të banimit”, deklaroi arkitekti Zeqir Ismaili. Ata që më së shumti i ndiejnë pasojat nga këto shkelje ligjore janë banorët të cilët shfrytëzojnë parkingjet alternative në rrugë, ndërsa fëmijët i nxjerrin nëpër parqet më të afërta. “Po me fëmijët gjendemi, nëse nuk kemi parkun para banesave do e shfrytëzojmë këtë parkun e qytetit që ti themi se është park qyteti sepse e dimë që është në gjendje të mjerueshme , çdo gjë është e prishur, siguri nuk ka, po gjendemi disi”. “Si pasojë e shfrytëzimit maksimal ndërtesat mbetën pa kushte, nuk kemi parking, nuk ka fëmijët ku të dalin të bëjnë veprimtarit e veta fëmijërore. Si rrugëdalje duhet komuna në të ardhmen të mundësoj parkingje në banesat shumëkatëshe, mirëpo sërish mbetet mungesa e hapësirës për fëmijët”, u shprehën qytetarët e Tetovës. Nga Komuna thonë se problemi është i trashëguar por shpresojnë se shkeljet e këtilla do të mënjanohen me shtimin e kontrolleve dhe normat e reja për ndërtim. “Gjithsesi se investitorët duhet ti përmbahen këtij kriteri për arsye se pas përfundimit të ndërtimit të atij objektit, vjen faza e fundit, ajo është pranimi teknik. Pranimi teknik për këta objekte bëhet vetëm për ata që i janë përmbajtur dokumentacionit teknik që të kenë edhe garazhe nëntokësore. Mënyra e vetme për zbutjen e këtyre pasojave është që në kuadër të planeve të reja urbanistike, aty ku është e mundur të vendosen parqe të vogla, breza të gjelbër sipërfaqe të vogla publike me çka do amortizohej në masë të madhe ky problem”, theksoi përgjegjësi i urbanizmit në komunën e Tetovës, Skender Palloshi. Përveç mungesës së parkingjeve nëpër poshtë objekteve banimit, Tetova përballet edhe me mungesën e parkingjeve publike. Ndërsa sa i përket parqeve, qytetarët shpresojnë që kjo kërkesë ndoshta do të gjej zgjidhje me planin e ri të Komunës për gjelbërimin e qytetit.
Bashkim Sulejmani