image

Faton MEHMETI

Nuk bëhet fjalë për “Një komb” që u breshërua nga plumbat maqedonas ku mbetën të vrarë 4 shqiptarë fatkeq të cilët u harruan për një kohë shumë të shkurt, nuk bëhet fjalë as për serialin “Një komb” që ka vërshuar televizionet private dhe shihet me entuziazëm të madh nga qytetarët tanë, por fjala është për një Komb shqiptarë që i po i humbë vlerat e veta bujare dhe idealin e ndërtuar me shekuj për të jetuar i lirë dhe i bashkuar. Lajmi i fundit që pushtoi mediat, si elektronike dhe të shkruara ishte arrestimi i liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti. Është paradoksale që ta arrestosh një aktivist që kërkon vetëvendosjen e popullit të tij në një shtet të “pavarur” e “demokratik” ku mbi 90% janë shqiptarë. Për çudi, e gjithë kjo bëhet nga disa “shqiptarë”. Arrestimi pas protestës para disa dite në Prizren tregoi qartë se n’çdrejtim është duke shkuar udhëheqja e Kosovës. Protestuesit kishin dalë që me dinjitet të ruajnë logon e Komunës që në përmbajtjen e sajë ka “Lidhjen Prizrenit”. Lidhje e cila tentoi të lidhë shqiptarët, por edhe pas 132 vitesh tjera pas sajë, shqiptarët nuk po lidhen dot. Sipas Pakos Ahtisarit, ajo logo duhet të ndryshohet sepse na paska elemente monoetnike. Aha! Sipas Pakos Ahtisarit a nuk është element monoetnik flamuri Serbisë që vulvitet në vendbanimet serbe kudo në Kosovë? Sipas Pakos Ahtisarit nuk është monoetnik formimi i komunave serbe brenda territorit Kosovës? A nuk janë monoetnike strukturat paralele që veprojnë brenda Kosovës!? Këto përgjigje s’mund ti gjeni derisa (jo)qeverisja e Kosovës është shumë e zellshme për ti ndryshuar elementet monoetnike në vendbanimet shqiptare, ndërsa tregohet shurdhmemece për të realizuar të njëjtat nëpër enklavat serbe. Përbuzet 90% e popullsisë, për 10% minoritete. Të përbuzen shqiptarët e Luginës Preshevës nga Serbia, nuk është ndonjë gjë befasuese, shqetësuese nuk është as përbuzja e Arbëreshëve nga Italia, as e Çamëve nga Greqia, as e atyre të Tuzit e Ulqinit nga Mali i Zi, tek më e fundit as e atyre shqiptarëve në Maqedoni nga maqedonasit, por të përbuzen qytetarët shqiptarë të Kosovës, nga vet Kosova është një tregues i qartë se (jo)qeverisja e Kosovës po hy në rrugë qorre. E gjithë kjo rrëmujë bëhet për ti bërë qefin miqve tanë ndërkombëtarë. Mikpritjen e kemi zakon, por në këtë mikpritjen tonë po kamuflohen shumë armiq. Unik nuk jemi, por faturën do ta paguajmë së bashku. Loja pushtet – qytetar tashmë është në trend në rajone tona. Qeveria e Kosovës luan me qytetar shqiptarë, e Serbisë me qytetarët shqiptarë të Luginës, e Maqedonisë me qytetarët Shqiptarë, dhe ne jemi personazhe kryesore të lojërave pushtetare. Personazhet kryesor në filma dalin fitues, por në këto lojëra qeveritare, do të dalim humbës dhe vështirë se do të mbijetojmë. Në Kosovë arrestohen sepse kërkojnë liri për popullin e vet, në Maqedoni vriten se kërkojnë të drejtat e tyre elementare dhe në Serbi burgosen sepse duan të jetojnë të barabartë. Deri kur do të vazhdojmë kështu. Në Kosovë me më pak se 10 % serb, gjuha serbe është zyrtare, në Maqedoni me mbi 30% shqiptarë, gjuha shqipe nuk njihet. Këtë e dinë edhe udhëheqësit shqiptarë të Maqedonisë, por heshtin sepse rrëmbehen nga lakmitë që ti krijon pushteti dhe shohin vetëm interesat e ngushta. Në Kosovë me 90% shqiptarë shteti është multietnik, në Maqedoni me 30% shqiptar, shteti është i maqedonasve. Athu kush duhet të mbrojë të drejtat tona legjitime anë e mbanë ku jetojmë si shqiptarë!? Nuk kam dëgjuar ndonjë rast tjetër përpos Shqipërisë që më shumë popullsi të ketë jashtë shtetit amë sesa në vet shtetin. Në mungesë të një mekanizmi gjithëshqiptarë, ne synojmë që secili të mbrohemi veç e veç, dhe ky tentim është i nisur për të dështuar. Shteti shqiptarë konsiston në politikën e jashtme konstruktive, duke reflektuar fqinjësinë e mire. Pajtohem, sepse fqinjësinë e mirë e kemi traditë nga SKENDERBEU edhe ai promovonte dhe reflektonte fqinjësinë e mire, por për dallim me udhëheqësit tanë të sotit, ai kishte edhe shpatën. Fqinjësia e mirë është vlerë, por jo me ata fqinjë që duan të ta hanë kokën. Me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, shteti shqiptarë është i obliguar të mbrojë të drejtat e gjithë shqiptarëve kudo që janë edhe jashtë Shqipërisë, por si në shumë segmente tjera, edhe këtu kushtetuta nuk gjen zbatimin e sajë të plotë. Apetitet e shekullit kaluar ende nuk janë shuar nga shtetet tjera. Ato vetëm sa janë modernizuar duke ndjekur trendet e zhvillimit të përgjithshëm. Vjen presidenti Rumun në Shqipëri dhe kërkon të njihet komuniteti i tyre që po jetuaka në Shqipëri. Po ai president, a harroi se më tepër ka shqiptarë në Rumani sesa Rumun në Shqipëri!? Në anën tjetër Mali i Zi kërkon nga Kosova të njihet komuniteti malazez me kushtetutën e Kosovës, dhe si për çudi edhe këtij shteti nuk po u kujtuaka se në shtetin e tij ka shumë shqiptarë që nuk i gëzojnë të drejtat e tyre, dhe tek më e fundit vota e tyre ishte ajo që de facto pavarësoi Malin e Zi. Kemi krijuar përshtypjen se ne jemi ata që plotësojmë dëshira. Vendi jonë i përngjanë diskotekave. Interesat e huaja gërshetohen sikur dritat shumëngjyrëshe në diskotekë, duke u krijuar amulli e plotë dhe herë – herë na lëshojnë tymin dhe na i mjegullojnë gjërat dhe nuk duket kush hyn e kush del nga “diskoteka”. Në skenën politike të rajonit si shqiptarë nuk jemi duke treguar se po punojmë në interes të kombit tonë. Opozita shqiptare në Tiranë, pengon integrimin duke kërkuar hapjen e kutive të votimit (kërkesë antikushtetuese), gjoja për transparencë të procesit. Në Kosovë opozita është mjaftë destruktive duke akuzuar mazhorancën pa pasur ndonjë projekt konkret për daljen nga kjo gjendje. Po të ishte opozita si mazhorancë me gjasë do të ishte edhe më keq. Në Maqedoni opozita shqiptare ka braktisur parlamentin dhe nuk është pjesë e proceseve vendimtare të atij shteti. Si subjekte Shqiptare, nuk janë të përfaqësuar sa duhet. Gjendja në Maqedoni i ka krijuar mundësinë kryeministrit të sajë të konsumoj subjektet politike shqiptare. Herë konsumon njërën e herë tjetrën. Sapo shpenzohet njëra, në pushtet vjen tjetra. Thjesht i bëjnë freski qeverisë Maqedonase në këtë vapë të madhe, dhe i ofrojnë ngrohtësi kur bien temperaturat. Populli shqiptarë që nxori shumë figura të njohura ndërkombëtarisht, në mesin e tyre edhe dy nobelist është ndër popujt më të vjetër të Ballkanit. Ky komb ditë e më shumë po humb afinitetet e tija si një popull me identitet Evropian. Të ishte ky fenomen tek ne prej dy vitesh, do besoja se ka ndikuar kriza ekonomike botërore në inflacionin tonë, por ka shumë vite që po devalvohemi si shqiptarë. Është e dhimbshme se si gjërat edhe 10 vite pas luftës, dhe 2 vite pas pavarësisë së Kosovës shkojnë mbrapsht. Udhëheqësit mund të kishin arsyetime sa i përket viteve para Pavarësisë, por assesi nuk mund të justifikohen pas 17 shkurtit 2008. Në vend se të arrestohen ata që dhanë urdhrin për arrestim, arrestohet dikush që lufton për lirinë e popullit të vet, dikush që ka vlerësuar se ajo na mungon. Këto gjëra ndodhin vetëm tek ne, sepse jo rastësisht i kemi punët këtu ku i kemi, kontributin më të madh në mossukses e japin udhëheqësit tanë. Një fjalë e urtë popullore thotë ” kur grinden barinjtë delet i hanë ujku”, fatkeqësisht “barinjtë” tanë do të na shpijnë në drejtim të njëjtë.