Lirohet Albin Kurti
Sot, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje” është dënuar me nëntë muaj burg dhe menjëherë është liruar në shtëpi, pa përcjellje policore, me arsyetim të kësaj Gjykate se ai më heret ka mbajtur 11 muaj burg, i llogaritur si paraburgim.
Pas seancës së sotme në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, që zgjati thuaja tërë ditën, në orët e mbrëmjes Albin Kurtit, iu shqiptua vendimi i kësaj Gjykate. Kurti në seancën e sotme, nga Paneli i gjykatësve ndërkombëtar, është ngarkuar vetëm me akuzën “pengim i personit në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Më herët gjatë ditës prokurori i çështjes hoqi dorë nga një akuzë, kurse kohë më parë, siç dihet, ishte heq dorë nga një akuzë tjetër, që e ngarkonin Kurtin për pjesëmarrje në protestën e vitit 2007 që përfundoi me dy viktima.
Seanca e sotme gjyqësore filloi pas një numri shtyrjesh, meqë lideri i “Vetëvendosjes” nuk u paraqit në gjykatë me arsyetimin se nuk e njihte institucionin e drejtuar nga EULEX-i.
Ai u paraqit për herë të parë në gjykatë pasi dy ditë më parë u arrestua në mënyrë të dhunshme nga Policia e Kosovës, në kohën kur paralajmëroi pjesëmarrjen ne zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2011.
Misioni evropian për sundimin e ligjit nuk e komentoi vendimin e gjyqit, por tha se e mirëpriste punën e policisë së Kosovës, prokurorisë dhe të gjykatësve.
Lëzivja Vetëvendosja ende nuk e ka komentuar vendimin, megjithëse gjatë ditës ka deklaruar se do të sillet sipas rrethanave që do të krijohen gjatë seancës.
Albin Kurti ka deklaruar në gjykatë se nuk e njeh gjyqin e misionit evropian për sundimin e ligjit.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Qarkut ka marrë fund procesi i stërzgjatur ndaj tij.
“Mendoj se shpallja fajtor që ma bënë për akuzën e dytë, nuk është kurrfarë drejtësie, por është, thjesht, tendencë e tyre për ta mbuluar legalisht për letrat e tyre të brendshme, padrejtësinë e tashme”, ka theksuar Albin Kurti.