PËRSHPIRTJE
Pastaj njëherë, vetëm një herë, njeriu fle dhe e humb trupin e tij”.
Rene Char
Erdhi papritur korrieri i vdekjes dhe solli një mesazh hyjnor: duhej që t’ia ktheje Hyut atë që ta kishte falur para 68 vjetësh – jetën. Ky fat i paracaktuar, që i ndodh çdo qenie njerëzore, një herë të vetme dhe të fundit, nuk lë asnjë shteg për shfuqizimin e vdekjes, e cila, sikurse thonë, vjen si fëmijë i frikësuar dhe vë dorën mbi zemër. Ajo vuri dorën edhe mbi zemrën Tënde; mbi atë zemër të mirë që punoi pareshtur për të shpërndarë dashuri njerëzore… Si gjithkush, ndjeva pafuqinë për riparimin e këtij ligji hyjnor, i cili shfuqizon çdo ligj fizike a kimie – dy lëndë që i deshe shumë dhe besove se pa gjuhën e tyre bota, ndonëse nuk eviton fundin ekzistencial, mund të bëhej vend i mirë për të jetuar…
Kurrë nuk u frikësove nga vdekja, sepse nuk kishe frikë nga vetvetja; sepse nuk mëkatove me jetën. Ndërrove vetëm adresën e banimit, jo për të na pikëlluar, por që ta gëzosh Zotin, sepse një Njeri të mirë dhe të ditur edhe Zoti e pret me gëzim…
Shkove në botën e përtejshme si Njeri i pasur: si Njeri i mirë, i dashur, i urtë, i butë dhe i fisëm, kurse çasti fatal na mundësoi që të kuptonin se sa të kishin dashur njerëzit. Erdhën të dhanë lamtumirën dhe qanë… Pastaj… një shi i imtë, i papritur; një shi ca minutash ra nga qepallat e qiellit. Buzët e mia atëherë shqiptuan fjalën: Baba! Sa bukur e sa dhembshëm tingëlluaka kjo fjalë në çastin kur e ndjen se një trup lëndor kthehet në imazh, në shpirt, në kujtim, në një yll që vështron nga lart.
Se sa të paskam dashur tani po e mësuakam, kur në qenien time po krijohet një boshllëk i papërballueshëm, që “as shekujt nuk do ta mbushin”.
Kam frikë nga harresa, o Njeri i mirë, por jam i bindur se do ta sfidoj mjegullën e saj dhe s’do ta lejoj të shtrihet mbi imazhin Tënd, aq i qartë në kujtesën time.
Kaq shumë të dua sa që tani e ndjej mungesën…
O Njeri i mirë, nuk e di nëse ky shkrim, që s’ke për ta lexuar dhe unë kurrë s’kam dashur që ta shkruaja, kishte me të pëlqyer! Pikëpamjet për vdekjen kurrë nuk i puqëm. Dhe kurrë nuk deshe të të ngjaja, sepse deshe që të isha vetvetja.
O Njeri i mirë, sa shkrime nuk m’i pëlqeve dhe vonë e kuptova se pate të drejtë, por kurrë nuk më gjykove edhe kur gabova, sepse, si një prind i mirë, nuk deshe gjithmonë të më tregoje rrugën, por lejove të përpiqesha dhe të ngulmoja që ta gjeja një rrugë. Si një prind i mirë vetëm mbolle në zemër fëmije fidanë mirësie dhe pastaj i ujite me dashurinë tënde të pashtershme.
I dashuri im, asgjë në jetë nuk të kam premtuar, por ja po të bëj një premtim: do të vazhdoj që të ujis me dashurinë time fidanë brenda qenies sime; do të mbjell edhe në zemrat e të tjerëve edhe atëherë kur do të kem miliona arsye për të urryer, ashtu sikurse pata ditën kur ike. Por, na mësove se urrejtja është e lehtë, kurse të duash është sakrificë e përhershme. Jo në hakmarrjen, por në butësinë qëndron plotfuqishmëria e Zotit (Tolstoi). Na tregove udhën më të vështirë: atë që shpie në Zemrën e Botës dhe në përqafimin e Zotit. Udhën që edhe Zotin e buzëqesh.
Si të urreja kur aq shumë Njerëz të mirë të duan, të cilëve ua shpreh mirënjohjen, respektin dhe adhurimin deri në përkulje. Erdhën varg-varg që të harronim ikjen Tënde, kurse unë iu betova vetes se nuk do të lejoja që të vdesësh kurrë.
O Njeri i mirë, o Njeri i urtë, shkove atje ku qetësia e përjetshme e priti qetësinë e përkohshme, por monumentale. Shkove të flesh, pasi kishe lënë pas vetes aq shumë mendje të zgjuara. Humbe trupin, por jo hijen, imazhin.
Shkove drejt Zotit, sikurse thuhet, jo duke ecur, por duke dashur, pasi më parë shpërndave reflektimin magjiplotë të shpirtmirësisë, që kurrë nuk e joshi smira, urrejtja, xhelozia; atë shpirt që e ushqen në qenien time pemën e dashurisë për Njerëzit.
Faleminderit shumë, o Njeri i mirë, që në kuletën tënde mbaje poezi të grisura poetësh që më vonë i bëra miq.
Faleminderit shumë, o Njeri i mirë, që hape shumë dritare në mendjen time!
Faleminderit shumë, o Njeri i urtë, që më le trashëgim një bibliotekë, në mesin e së cilës është parajsa.
Faleminderit, o Yll i largët, që je i pakapshëm, por orientues.
I dashuri im, asgjë në jetë nuk të kam premtuar, por ja po të bëj një premtim: do të vazhdoj që të ujis me dashurinë time fidanë brenda qenies sime; do të mbjell edhe në zemrat e të tjerëve edhe atëherë kur do të kem miliona arsye për të urryer, ashtu sikurse pata ditën kur ike. Por, na mësove se urrejtja është e lehtë, kurse të duash është sakrificë e përhershme.