“Sot Maqedonia ballafaqohet me një situatë të komplikuar në aspektin e integrimeve, respektivisht është e bllokuar përshkak të kontestit të emrit me Greqinë”.

 Këtë e deklaroi kreu i DR-së, Imer Selmani gjatë ligjeratës së tij, para stafit akademik dhe studentëve të Universitetit Ndërkombëtar të Strugës.

Ai tha se edhe ftesa për anëtarsim në NATO edhe vendimi për fillimin e negociatave me BE-në janë të kushtëzuara me zgjidhjen e këtij kontesti.

“Nëse këtij fakti i bashkangjesim edhe qeverisjen e dobët dhe politikat e gabuara e Qeverisë aktuale vizavi Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhënieve te përkeqësuara ndëretnike me fajin e drejtpërdrejtë të Qeverisë, por edhe mungesën e një politike të jashtme proaktive dhe diplomacinë e zbehtë të vendit, me të drejtë do të konstatojmë se Maqedonia sot gjendet në një krizë të re politike, me elemente të theksuara të pasigurisë dhe paperspektivës së qytetarëve”, u shpreh Selmani

Sipas tij, zgjidhja e vetme është konsenzusi ndërpartiak dhe ndëretnik për mbylljen e çëshjteve që tangojnë shqiptarët dhe qytetarët në përgjithësi, si dhe arrija e kompromisit për emrin dhe anëtarsimi i vendit në NATO dhe fillimi i negociatave për integrim në BE.

“Konstatoj me plot përgjegjësi se integrimi i brendshëm i bashkësive etnike në Maqedoni përmes implementimin të plotë dhe të drejtë të MKO-së dhe integrimi i jashtëm në NATO dhe BE janë dy aspekte komplementare, njëra pa tjetrën nuk shkojnë”, shtoi Selmani. (INA)