Prizreni rikujtoi ngjarjen që e futi në historinë e kombit
Prizren, 10 qershor– Lidhja e Prizrenit ka qenë lëvizja e parë me karakter politik e ushtarak, e cila në saje të angazhimit të shumë patriotëve nga shtresa të ndryshme shoqërore ka mundësuar njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë, mbrojtjen e territoreve të tij dhe formimin e një shteti autonom, është thënë në akademinë solemne me rastin e shënimit të 132 vjetorit të themelimit të saj.
Në këtë ditë të shënuar të mbamendjes kombëtare, historianët kanë pohuar se atdhetarët e kohës me punën e nisur në Prizren kanë sjellë një qasje të re në përpjekjet për lirinë e kombit, duke i shfrytëzuar të gjitha format e veprimit.
“Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, në të cilën morën pjesë të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format çlirimtare, që nga kuvendet popullore deri te parashtresat politike, që nga misionet diplomatike deri te kryengritja e armatosur”, ka thënë historiani, Selim Daci, i cili para të pranishmëve është paraqitur me kumtesën “Rëndësia historike e LSHP-së”.
Sipas tij, kjo lëvizje parashtroi idenë e bashkimit kombëtar shqiptar, përkundër ndarjeve
krahinore, fetare dhe aventurave personale të individëve dhe se ajo lindi nga vrulli atdhetar i shtresave të ndryshme të popullsisë për t’u zhvilluar në një organizatë më karakter shumëdimensional, i cili edhe vuri themelet për krijimin e shtetit shqiptar. Por krahas kësaj, Daci ka shprehur bindjen se LSHP-ja solli edhe një frymë tjetër në aspektin e organizimit të luftës për liri dhe mbrojtje të identitetit kombëtar.
“Ajo ishte e para organizatë kombëtarë që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e larta të atdheut krahas pushkës edhe pendën”, ka deklaruar ai. Daci ka përkujtuar se Lidhja u shtyp nga forca ushtarake e perandorisë osmane dhe konspiracioni i fuqive të mëdha, porse megjithëkëtë pati një varg të arriturash historike në tre vitet e ekzistencës. “Gjatë viteve 1878-1881 janë hedhur hapa të mëdhenj në procesin e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe pikëpamjet politike në një bashkësi të vetme kombëtare, e cila për më tepër u sanksionua nëpër llogoret e luftës së udhëhequr prej saj për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin kombëtar shqiptar”, ka thënë ai.
Sipas Dacit, ky model ka qenë edhe emblemë e veprimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me luftën e saj kontribuoi në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, që po ashtu është historian, ka theksuar se Lidhja e Prizrenit doli në skenë në kohën kur po rrezikohej tërësia territoriale shqiptare nga vendet e saj fqinje dhe se me këtë vrull solli frymën e unitetit për krijimin e shtetit shqiptar. “Lidhja vepronte kundër ndasive dhe për integrime kombëtare, e bashkë me to çliroi energji për zhvillime kulturore. Pra, për herë të parë populli ynë u bashkua me një besë të përgjithshme për të mbrojtur vendin e vet”, ka thënë ai.
Sipas kreut të Prizrenit kjo lëvizje e gjerë atdhetare kishte detyruar fuqitë e mëdha që tri herë t’i rishikonin vendimet e tyre në lidhje me trojet shqiptare dhe në këtë mënyrë vërtetoi se shqiptarët ishin të pjekur që të kenë shtetin e tyre.
“Lidhja bashkoi popullin tonë për të afirmuar identitetin e tij kombëtar, për të ruajtur tokat tona dhe për të formuar shtetin tonë”, ka deklaruar Muja. Ai ka shfaqur pikëpamjen se pas tri vjetësh funksionimi Lidhja e Prizrenit ishte shuar vetëm organizativisht, pasi programi i saj nuk u shua kurrë dhe u bë udhërrëfyese për gjeneratat e ardhshme të patriotëve, që luftuan për lirinë e Shqipërisë dhe së fundmi për pavarësimin e Kosovës.
Më 10 qershor të vitit 1878, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka filluar punimet, me ç’rast ishte ngritur zëri kundër copëtimit të tokave shqiptare, derisa në mbledhje të përgjithshme ishte vendosur që të krijohet një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e dryshme të vendit. Në këtë mënyrë sipas historianëve lindi “Besëlidhja” (itifak) që më vonë u quajt “Lidhja Shqiptare” ose “Lidhja e Prizrenit”. Organizata politiko-ushtarake e LSHP-së në luftë e sipër u shndërrua në një organizëm shtetëror me administratën, ushtrinë, dikasteret dhe territorin e saj, prandaj dhe gëzon statusin e ngjarjes mjaft të rëndësishme në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare