image

 Rafis Haliti ka hedhur poshtë deklaratat e liderit të PPD-së Sefedin Haruni se edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim ka struktura të shërbimeve sekrete. Kryetari i PPD-së mbrëmë në emisionin ‘Studio e Hapur’, tha se në të gjitha partitë politike shqiptare ka struktura të Drejtorisë së Pestë të Shërbimit sekret të Maqedonisë, por nuk dha asnjë emër konkret. 
“Për të  pas informata se kush për cilin shërbim sekret ka punuar, me siguri se duhet të jesh pjesë e atyre shërbimeve që edhe ti posedosh ato informata. Unë personalisht e them nuk posedoj informata të tilla, as për BDI-në por as për subjektet tjera politike. Unë thashë se ata që kanë informata për individë të caktuar, qofshin edhe në radhët e cilit do subjekt politik, nëse akuzohet BDI-ja  e them me sinqeritet në interes të një fryme më të shëndoshë politike në mesin e shqiptarëve do të ishte mirë të dalin me emra dhe mbiemra”, vlerësoi Rafiz Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i BDI-së.
Ndërkohë deputeti i DR-së Abedin Zymberi shkon edhe më tej, duke kërcënuar se po qe se konstatohet se në partinë e tij ka struktura të shërbimeve sekrete, edhe fizikisht do t’i lajë hesapet me ta. 
“Sa për në PDSH e di jam shumë i sigurtë që po. Në BDI disa që kanë qenë gjatë kohës së luftës, që janë thirr si ushtarë të UÇK-së, a realisht kanë punuar për shërbimet tjera që edhe unë si ish komandant i UÇK-së i policisë ushtarake kam has në njerëz të tillë, shoh se ata njerëz sot janë në disa funksione të BDI-së dhe nuk e di se tash janë akoma në atë detyrë por besoj se edhe në BDI, ka”.  Unë personalisht them se po ta diktoja se në Demokracinë e Re ka ndonjë të tillë i cili është në shërbim të dikujt, besoj se nuk do ta lejoja që as gjyqi të merret me të, por do të isha marrë fizikisht me të”, konstatoi deputeti i Demokracisë së Re, Abedin Zymberi.
Kohë më parë, kreu i Lidhjes Demokratike, kishte deklaruar se Partinë Demokratike Shqiptare, e kanë themeluar struktura të shërbimit sekret.
“Shërbimi ka pasur kontakte  me Arben Xhaferin dhe Menduh Thaçin mirëpo nuk kanë qenë në nivel të bashkëpunimit por në nivel të partnerëve strategjik në kuptim të inkurajimit të idesë për formimin e një partie të re politike dhe mendoj se ato kontakte me MPB ishin më të shpeshta me Menduh Thaçin se sa me Xhaferin”, ka thënë para një kohe të gjatë Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes demokratike të Maqedonisë. Akuzave të Harunit, sot nuk iu përgjigj vetëm Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit.