Ndalet hovi i “rebelëve” të BDI-së
Heshtja e “rebelëve” të BDI-së në kohë të fundit nga analistët komentohet në mënyra të ndryshme. Deklarata e Teuta Arifit se partia e saj duhet të vendosë afat që të zgjedhë mes Gruevskit ose popullit dhe ajo e Fazli Veliut që të jepen të drejtat e shqiptarëve përndryshe do të dalë nga parlamenti, konsiderohen si papërgjegjësi ose frikë. “Ndoshta ata që bërtisnin e kuptuan se kur partinë nuk mund ta çojë ta ndryshojë kursin britma e gjithë popullit, atëherë ;farë mund të bëjnë 2-3 veta. Absolutisht ata e kuptuan se partia e tyre në të vërtetë nuk është parti. Ajo është një grup njerëzish që mbron interesat e caktuara dhe në rrethana të atilla i ke dy zgjidhje, ose t’i bashkëngjitesh atij grupi, ose të dalësh e të vdesësh jashtë”, sqaron situatën analisti Kim Mehmeti. Sipas tij llogaritë e bëra u kanë thënë këtyre personave “më mirë rri aty ku je e mundë të të sjell fati ndonjë ndryshim brenda BDI-së”.
Ndërkaq, analisti Ismail Sinani e konsideron të tepërt të merren serioze deklaratat e deputetit të BDI-së Fazli Veliu, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Shoqatës ë Veteranëve të luftës. “Mendoj se është turp që analistë, gazetarë ose dikush tjetër të merret me deklaratën e Fazli Veliut. Atij i ka dalë boja, prej disa vitesh e këndej. Prej fillimit të BDI-së, Fazli Veliu e deri më sot në opinion është sjellë si njeri, i cili është jashtë këtyre vijave politike. Ai iu është shmangur përgjegjësive që i ka në këtë subjekt politik”, tha Sinani.
Vërejtjet e tij kanë të bëjnë edhe me deklaratat e nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi. “Ajo para së gjithash duhet të bartë përgjegjësi morale për atë që e ka deklaruar kohë më parë. Teuta Arifi tha se i jep afat partisë ku vet është nënkryetare që deri në mes të qershorit të deklarohet, o me popullin, o me Nikolla Gruevskin. Mirëpo edhe ajo është sjellë sikur nuk është një ndër krijuesit e këtij subjekti politik. Deklaratën e saj e shoh si një papërgjegjësi totale në skemën politike shqiptare që e ka përfaqësuar edhe ajo në këto tetë vite”, tha gazetari dhe analisti Ismail Sinani.
As Veliu e as Arifi nuk kanë dhënë sqarime pse pikërisht tani po heshtin në momentet kur po arrihet fundi i kufirit të durimit në bashkëqeverisje me Gruevskin. Ndoshta pikërisht deklarata e Ahmetit se nuk do të largohen nga qeveria se skano ku të shkojnë, është përgjigja më adekuate ndaj anëtarëve të BDI-së që janë të pakënaqur me politikën e partisë.
Për Kim Mehmetin BDI është një parti e cila pret fati ta drejtojë në rrugën e duhur. “Nëse e vëreni BDI-ja është parti e fatit, e cila pret ndonjë kthesë të madhe që do t’i shpëtojë ata. Ajo është një gjendje psikike kolektive në atë parti, pasi është absurde që ata mos ta shohin se si iu bie rejtingu, se si popullin e humbin”, tha Mehmeti duke shtuar se BDI sa është më afër Gruevskit, aq më e largët bëhet me popullin.
Brenda partisë shqiptare në pushtet kanë njoftuar se çelësi i zgjedhjes së problemeve është tek ata. BDI pret që të grumbullohen problemet e Gruevskit dhe në këtë mënyrë të shkaktohet krizë politike, e cila do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme në muajin mars ose prill të vitit të ardhshëm.
BDI s’ka fraksione të fuqishme
“Besoj se nuk ka BDI-ja ndonjë fraksion të fortë që do i qëndronte pas disa deklaratave të individëve të asaj partie. Këta individë do të shkrihen brenda asaj zhurme të plotë që ekziston në atë parti. Në parti ku nuk funksionon asgjë, ju nuk keni mundësi të bëni asgjë. Ju mund të bëni vetëm zgjidhjen personale ose brenda ose jashtë saj”, tha Kim Mehmeti.