imageNë bazë të dhënave zyrtare të cilat i posedon Agjencia për Migracion të vitit 1998, zyrtarisht janë të evidentuar mbi 500 mijë emigrantë të cilët janë nga Maqedonia, e që jetojnë në vendet e ndryshme të botës. Mirëpo zv/drejtori i kësaj agjencie, Osman Shukriu, por edhe njohësit e mirë të këtyre çështjeve, pohojnë se ky numër është shumë më i madh

Fitim KRYEZIU

Mungesa e perspektivës ekonomike në vend, pamundësia për të gjetur një vend pune dhe varfëria në të cilën zhyten gjithnjë e më tepër, ka bërë që shumë shqiptarë të kërkojnë shpëtim në braktisjen e vendlindjes dhe marrjen e rrugës për në vendet e perëndimit, ku shpresojnë të gjejnë një jetë më të mirë. 
Në bazë të dhënave zyrtare të cilat i posedon Agjencia për Migracion të vitit 1998, zyrtarisht janë të evidentuar mbi 500 mijë emigrantë të cilat janë nga Maqedonia e të cilët jetojnë në vendet e ndryshme të botës. Mirëpo zv/drejtori i kësaj Agjencie, Osman Shukriu, por edhe njohësit e mirë të këtyre çështjeve, pohojnë se ky numër është shumë më i madhe.
“Janë të tmerrshme fotografitë nëse shihet se sa mërgimtarë shqiptarë shohim si nëpër vendet e Evropës, por edhe ato të Skandinavisë, SHBA-ve dhe të Australisë… Mirëpo, nga ana tjetër, gëzon fakti se pikërisht këta shqiptarë e sidomos ata të SHBA-ve, janë shumë të organizuar duke regjistruar shoqata, duke themeluar shkolla, por edhe duke ndërtuar xhami. Këtë unë e pashë edhe vetë personalisht në vizitën të cilën e pata nga mesi i këtij muaji në Çikago, ku për posë shumë takimeve me mërgimtarët, dhurova abetaren në gjuhën shqipe, dhe libra të tjerë deri në klasën e katër, por edhe e përuruam xhaminë e sapondërtuar e cila kushton 2 milionë dollarë, të cilat janë investime nga mërgimtarët tanë”, tha Osman Shukriu, zv/drejtor i Agjencisë për Emigracion.
Ndërsa demografët pohojnë se nëse analizohet në detaje numri i mërgimtarëve shqiptarë, mund të kalon edhe në milion.
“Migrimi i shqiptarëve ka filluar prej Republikës së Krushevës, kur shqiptarët të shtypur nga tre shkaqet kryesore, të cilat janë të natyrës politike, religjioze dhe sociale, kanë filluar migrimin e tyre në Turqi, ku shqiptarët edhe në Parlamentin e këtij vendi kanë qenë të përfaqësuar diku me afro 30 deputetë. Pastaj, pas luftërave ballkanike, presioni politik ishte ai i cili numrin e emigrantëve shqiptarë e rriti për disa herë, ku shkaku kryesor ka qenë politika destruktive ndaj këtij populli”, tha demografi Asllan Selmani.
Sipas Selmanit, emigrimi i shqiptarëve tani në këtë kohë është më i ulët, por tani si shkak kryesor për migrimet e vogla të tyre është ekonomia. Pasojat më të rënda nga migrimet si duket i ka përjetuar Qyteti i Prespës, i cili ka mbi 80 për qind të banorëve të shpërngulur nga trojet e tyre etnike. Këtë e pohoj edhe zv/drejtori i Agjencisë për Migrim, Osman Shukriu, i cili pohon se Prespa është fotografia më e hidhur e cila mund të shihet. Pikërisht Prespa para dy viteve ka festuar edhe 100-vjetorin e emigrantit të parë shqiptar, i cili kishte migruar në Amerikë në vitin 1908.

Shukriu: Shqiptarët të regjistrojnë shoqata

Mërgimtarët e Prespës çdo të 18 korrik të vitit organizojnë manifestimin “Nata e Mërgimtarit”, e cila organizohet për 17 vite me radhë, e ku takohen persona familjarë të cilët nuk janë takuar me vite të tëra njëri me tjetrin. Zv/drejtori i Agjencisë Shukriu u bënë thirrje Shqiptarëve në Evropë të themelojnë sa më shumë shoqata, përmes të cilave do t’i identifikohen në vendet ku jetojnë.