Aftësia e pashoq për tepri
Shqiptari me aftësinë e pashoq i ka përsëritur prapësitë e tij, që s’i mungojnë as të tashmes që e jetojmë me stres të papërballueshëm. Për anën e errët të shqiptarit flet edhe Mit’hat Frashëri në librin eseistik “Plagët tona”; një libër që, sikurse thotë, ishte shkruar jo për ata “që ankohen dhe mendojnë se qarja shëron lëngatën, as për ata që nuk mendojnë dhe nuk shohin, por për ata që shikojnë e dëgjojnë, që duan të lodhen dhe të kuptojnë përgjegjësitë personale”.
Idealisti fatkeq besonte se ligësitë brenda një kombi nuk shëroheshin pa i ditur shkaqet e tyre. Burimi kryesor i së keqes te shqiptari ishte shmangia nga faji, pra mungesa e virtytit për të njohur të metat; mungesa e gatishmërisë për të marrë përgjegjësi personale; mungesa e ndjenjës për një jetë të përbashkët. Shqiptari jeton me tërbim dhe jo me djersën e ballit. Priret drejt aventurave. Varfëria e ka bërë lakmitar, kurse gjeografia e ka bërë egoist. Ka mungesë altruizmi dhe solidariteti. I pëlqen të luftojë dhe të punojë për të tjerët se sa për vetveten. I mungon ndjenja e drejtësisë ndaj vëllait më të dobët. Ka prirje përçarëse me pjesëtarët e fisit të tij. Është indiferent ndaj përparimit. I mungon durimi e metoda në punë. I mungon fryma krijuese. Ka mungesë ndjenje për vlerën e njeriut. Pushka, thotë ai, ka kërcitur vetvetiu; ai që vdiste nuk quhej fatkeq, kurse ai që vriste nuk ndjehej i turpëruar, por hiqej krenar.
Mjerisht, edhe sot ky është fenomen tronditës në shoqërinë shqiptare. Ndodhin tragjedi për gjëra imcake, teksa komunitetit i mungon guximi për t’i gjykuar. Ose hesht, ose është indiferent ndaj të keqes që ndodh rrotull tij. Duke mos iu kundërvënë të keqes, për shkak të mungesës së përgjegjësisë personale, bëhet viktimë e saj; lejon të udhëhiqet nga keqpërdoruesit e pronës publike, e cila për çdo shoqëri të emancipuar, është e barasvlershme me të shenjtën. Mjerisht, edhe tek elita intelektuale mungon guximi për të thënë të vërtetën. E joshur vetëm nga kondita materiale, nuk e çan kokën për konditën shpirtërore. Kjo indiferencë dhe ky oportunizëm e shkatërron sistemin e vlerave. Në një kaos të këtillë kemi rendje pas posteve e titujve dhe jo pas dijes. Kemi rendje pas parasë së pamerituar dhe jo pas punës e dijes. Janë hipokrite mallkimet dhe akuzat kundrejt popullit që nuk lexon. Por populli nuk ka kohën e mjaftueshme për të lexuar. Kjo kohë është e rezervuar për ata që paguhen të lexojnë dhe shfletojnë aq sa të pashkolluarit. Të këtillët, sigurisht, nuk mund të zbulojnë shkaqet e ligësisë shqiptare, sepse janë pjesë e kësaj ligësie. Ata që munden, mjerisht, vuajnë për gjërat më cikërrimtare ekzistenciale. Pse? Sepse duke jetuar nën një sistem të egër që stimulon injorantët dhe përbuz të diturit, detyrohen që të humbin kohën e lirë. Merren me punë të tjera që të sigurojnë ekzistencën dhe humbin kohën që të merren me punë mendore, e cila kërkon kohë të ngeshme, durim dhe metodë. Të formuar ndryshe ata nuk mund të “bëhen si të tjerët”, që stimulohen sipas skemave të paracaktuara. Prandaj, mjerisht, ndodh ajo që e thoshte Encensbergeri: Kemi plot politikanë dhe pedagogë injorantë dhe taksistë që e lexojnë Xhojsin dhe Prustin.
Përse ndodh kjo? Sepse jetojmë nën një pushtet që ka frikë nga dija. Nuk ka frikë nga pasurimi i të paditurve, por trishtohet nga njerëzit e ditur. Një i ditur shqiptar sot vuan për gjërat elementare, ndërkaq të paditurit kanë pushtuar disa institucione dhe sillen si ekspertët e përmendur nga Konica – të aftë për gjithçka, të ditur për asgjë. E përsëris: sipas një skeme të paracaktuar. Në këtë kaos stresues ndodh e dëgjon refrenin: “Së paku është i mirë si njeri!” Por, për të mirët është parajsa, jo vendet udhëheqëse. Mjerisht, kudo e dëgjon refrenin: “X është më i mirë se Y, sepse është më pak i korruptuar”. Po ai që vjedh një qindarkë është si ai që vjedh me miliona. Ndryshon shuma, por jo logjika. Ai që vjedh më pak, nuk ka mundësi të vjedhë më shumë. Mjerisht, po punove ndershmërisht, të akuzojnë se nuk je i aftë të vjedhësh dhe të bësh pasuri të pandershme. Le t’i kthehemi sërish mendimeve të Mit’hat Frashërit. Idealisti fatkeq besonte se për t’u ndryshuar gjendja e shqiptarit nuk mjaftonte vetëm kondita materiale, por edhe ajo morale. Duhej fuqi mendjeje dhe shpirti, përparimi dhe qytetërimi, që mundësojnë pushtet material dhe mirëshkuarje fizike. Që një popull të ndryshojë gjendjen e tij, i duhet një ideal. Pa, një ideal nuk rron dot dhe nuk ka përparim. “Pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdirren, shuhen”. Anglezi, sipas idealistit fatkeq, kishte për ideal që të rronte mirë, të ishte i lirë dhe të sundonte botën; një ideal që i jepte bashkim e forcë dhe rreth të cilit ishin bashkuar shkrimtarë, gazetarë, politikanë e njerëz të thjeshtë. Romakët e vjetër kishin si ideal zaptimin e botës, të ishin zotë dhe urdhërues të popujve të tjerë. “Maqedhonët bullgarë”, thotë idealisti fatkeq, i çliroi nga Turqia shpresa për një të pritme të shkëlqyer, e cila mbahet me punë dhe bashkëpunim në punë të përbashkët. Këtë ideal, gjithsesi, e krijojnë njerëzit e dijes. E njerëzit e dijes në këtë shoqëri askush nuk i qas. E përsëris: sipas një skeme të paracaktuar. Po cili duhej të ishte ideali shqiptar? Do të duhej të ishte krijimi i kultit ndaj nderit, ndjenjës për bashkim, lumturi e përparim të përgjithshëm; krijimi i ndjenjës për të qenë faktor qytetërimi në Ballkan; për një jetë të pasur moralisht dhe ekonomikisht; përmendja e kombi me nderim e lëvdatë; ambicia për të zënë vend nderi në histori dhe në qytetarinë tonë; të pasurit një letërsi të mirë, art dhe prosperitet lëndor; durim dhe metodë në punë; jo dëshpërim dhe zemërim, por ngulmim dhe vetiniciativë. Gjithashtu, për t’u zhvilluar shqiptarët, sipas idealistit fatkeq, duhej të kishin një aristokraci të pasurish që do të mendonin për fatin e njerëzve të thjeshtë që nuk merren me punë mendore, sepse u mungon koha e lirë. Të pasurit, djalëria, intelektualët, duhej të ishin më të përgjegjshmit, sepse, duke mos menduar vetëm për bukën e përditshme, siç ndodh me plebeun e varfër, kanë kohë për të menduar për interesin e përbashkët të kombit. “Populli te t’i ka vënë besimin: te ti vjen dhe të pyet kur ka një hall, të qahet kur e gjen një e zezë; të ndihmon kur ke nevojë; të nderon kur vjen radha; të jep votën kur vijnë zgjedhjet”. Mjerisht, sipas idealistit fatkeq, kjo shtresë nuk kishte bërë asgjë për të mjerët. I dituri nuk lodhet për të paditurin. I lumturi nuk lodhet për fatziun. Ai që gëzon nuk mendon për atë që vuan. Të mjerëve u ofrohet lëmoshë, në vend se t’u ofrohet punë. Me një fjalë, njeriu, pavarësisht pasurisë që ka, nuk mund të jetë i lumtur nëse kombi nuk është fatbardhë. Ja, kështu mendonin shumë nestorë shqiptarë, përfshirë edhe pasardhësin e frashërllinjve të mençur. Dhe tani le të gjykojmë: pati apo nuk pati të drejtë Mit’hat Frashëri? Nuk është vështirë për të dhënë përgjigje pohuese. Është vështirë që të shërohen të metat tona. E të metat do të shërohen vetëm nëse kemi idealin se ku duam të arrijmë dhe çfarë shqiptari duam të bëjmë. Në të kundërtën do të rrugëtojmë pa një synim. Pa një synim je i çorientuari dhe shkon atje ku të shpie vorbulla e kohës. Vorbulla e kohës, si zakonisht, nuk është dashamirëse ndaj atyre që presin çka do t’u sjellë e nesërmja. Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre kanë një shans të madh për t’u bërë liderët e Ballkanit. Por, sërish i shpërfaqin prapësitë e tyre, përçarjet për asgjë. Nuk debatojnë për thelbësoren, por për hiçgjënë. Mjerisht! Fati troket në jetën e çdo populli, por varet sa është i gatshëm të shohë shenjat paralajmëruese. Nëse ka një ideal, që disa kombe e quajnë interes kombëtar, strategji kombëtare i dallon shenjat. Në të kundërtën, riformulon prapësitë e veta. Nuk mbjell pemë, sepse u duhen kohë për të dhënë frute që do t’i hanë fëmijët e së nesërmes. Vetëm kërkon pemë për t’u ushqyer, pa menduar se dikush tjetër i mbolli. Mit’hat Frashëri mbolli një pemë. Na dha një libër. Na dha një orientim… Çdo pemë ka nevojë për krasitje për të dhënë fruta. E rëndësishme është se kemi pemë. Së paku të mos i presim, të yshtur nga prapësia.
Shqiptari jeton me tërbim dhe jo me djersën e ballit. Priret drejt aventurave. Varfëria e ka bërë lakmitar, kurse gjeografia e ka bërë egoist. Ka mungesë altruizmi dhe solidariteti. I pëlqen të luftojë dhe të punojë për të tjerët se sa për vetveten. I mungon ndjenja e drejtësisë ndaj vëllait më të dobët. Ka prirje përçarëse me pjesëtarët e fisit të tij.