Sot u rihap sërish tuneli i Kalimashit
Në ceremoninë e rastit ka qenë i pranishëm ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili deklaroi se nisja e qarkullimit në këtë segment dhe hapja e tunelit i shërben të gjithëve dhe do të jetë pa pagesë.
Sot përfundimisht është rihapur tuneli jugor i Kalimashit, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Në ceremoninë e rastit ka qenë i pranishëm ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili deklaroi se nisja e qarkullimit në këtë segment dhe hapja e tunelit i shërben të gjithëve dhe do të jetë pa pagesë.
Në fjalën e tij Olldashi sqaroi se shembja e ndodhur në tunel ishte për shkak të rrëshqitjes së dherave, pra shkaqe natyrore dhe jo pasojë gabimit njerëzor. Sipas tij, hapja është e rëndësishme për sezonin turistik dhe premtoi se në muajin shtator do të mundësohet edhe hapja e tunelit verior.
Gjatë ceremonisë Olldashi përuroi edhe Qendrën e Kontrollit të Trafikut, e cila monitoron qarkullimin në tunel.
Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qëndror që përfshin 26 ventilator të mëdhenj ajrimi, më shumë se 70 kamera, sinjalistikën e mesazheve, një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, sistem telefonik në rast emergjence, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë.