Dënohen PDK, LDK e AAK
LDK, PDK dhe AAK janë ndëshkuar nga PZAP me mbi 12 mijë euro për procesin e rivotimit në Mitrovicë, në bazë të ankesave të rrjetit Ballkanik për Gazetari hulumtuese (BIRN). Ndërkaq të gjitha ankesat e Vetëvendosjes janë hedhur poshtë.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për 11 ankesat e parashtruara për procesin e rivotimit në Mitrovicë.
Pesë nga ankesat i kishte deponuar Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ndërsa 6 tjerat Lëvizja Vetëvendosje. Në ndërkohë, kjo e fundit kishte tërhequr ankesën që kishte të bëjë me Tv Mitrovicën e Nexhmedin Spahiut.
Në vendimet ë cilat i ka siguruar Gazeta Express, PZAP ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e Lëvizjes Vetëvendosjes, ndërkaq i ka aprovuar dy të BIRN-it.
Në bazë të ankesës numër 104, Lidhjes Demokratike të Kosovës i është shqiptuar gjoba prej 4800 euro e cila duhet të paguhet brenda dy javësh.
BIRN ka denoncuar LDK-në se të shtunën, në ditën e heshtjes zgjedhore, kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Tahiri, kishte shpërndarë ‘sms’ nëpërmjet telefonit mobil. Nëpërmjet mesazhit telefonik është dërguar ky tekst: “I nderuari mitrovicas, voto LDK 36. Beso në rini. Voto mr.sc. Xhafer Tahiri Kryetar i FRLDK me numër 35. Vota juaj do të jetë zëri i rinisë në Parlament”.
Ankesa tjetër e aprovuar e BIRN-it do t’ia zbrazë kuletën PDK-së dhe AAK-së.
Secila nga këto subjekte politike, sipas vendimit të PZAP-së numër 99, duhet të paguajnë nga 4000 euro.
BIRN i ka denoncuar PDK-në dhe AAK-në se në ditën e zgjedhjeve më 23 janar në vendvotimin në Shkollën Fillore “Fazli Greiçevci”, janë parë materiale propagandistike të këtyre dy partive shumë afër vendvotimit.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ende nuk ka dhënë rezultatin përfundimtar të rivotimit në Komunën e Mitrovicës./Express/