PS: Nesër në demonstratë, vetëm heshtje, lule dhe qirinj
“I ftojmë nesër të gjithë qytetarët në orën 14:00 t’i bashkohen homazhit tonë për tre shqiptarët e thjeshtë që u vranë të premten e zezë në 21 janar.
Heshtja, lulet dhe qirinjtë do të jenë mjetet tona të demonstrimit”.
Me një deklaratë të tillë u shpreh sot para mediave deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, mbi demonstratën e nesërme të paralajmëruar të kësaj force politike.
“Gjithkush është i lutur që të respektojë kujtimin e të vrarëve.
Asnjë parrullë, asnjë thirrje, asnjë devijim nga kortezhi nuk duhet të ndodhë.
Iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruhen nga provokimet dhe provokatorët dhe të mos shkojnë pas askujt që mund të dalë jashtë kornizës së kortezhit apo të bëjnë gjë tjetër veç ecjes së heshtur.
I bëjmë po ashtu thirrje policisë të bëjë detyrën konform ligjit dhe ne do të jemi aty për të garantuar gjithçka.
Nesër bota duhet të shohë rezistencën tonë paqësore dhe të dëgjojë dhimbjen e popullit shqiptar që me dinjitet dhe papërkulshmëri kërkon lirinë dhe drejtësinë e merituar”, tha ai