Ka vdekur në burgjet ruse Alexei Navalny
Administrata e burgjeve ruse ka njoftuar se kritiku i presidentit rus Vladimir Putin dhe opozitarit Alexei Navalny ka vdekur.
Alexei Navalny vdiq në koloninë korrektuese nr. 3 në distriktin autonom Yamalo-Nenets në moshën 48-vjeçare, njoftoi të premten departamenti rajonal i Shërbimit Federal të Ndëshkimit, transmeton RIA Novosti.
“Më 16 shkurt të këtij viti, në koloninë korrektuese nr.3, i dënuari Navalny A.A. u ndje keq pas ecjes, duke humbur ndjenjat pothuajse menjëherë. Menjëherë kanë mbërritur punonjësit mjekësorë nga institucioni dhe është thirrur një ekip mjekësor emergjent”, thuhet në njoftim.
“Janë kryer të gjitha reanimacionet e nevojshme, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Mjekët e urgjencës deklaruan vdekjen e të dënuarit. Po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, thuhet në njoftim.
Navalny u arrestua në vitin 2021 pasi u kthye nga Gjermania, ku u trajtua për helmim, siç përfunduan laboratorët evropianë, me agjentin nervor sovjetik Novichok.
Në mars 2022, Navalny mori një dënim me nëntë vjet burg për akuzat e përbuzjes dhe përvetësimit me anë të mashtrimit, të cilat ai dhe mbështetësit e tij i kanë hedhur poshtë vazhdimisht si akuza të motivuara politikisht.
Fondacioni kundër korrupsionit i Navalny dhe rrjeti i tij i zyrave rajonale u etiketuan organizata “ekstremiste” dhe u ndaluan pas arrestimit të tij, duke çuar në një tjetër gjyq kundër tij me akuza për ekstremizëm.
Në gusht 2023, një gjykatë e zgjati dënimin me burg të Navalny në 19 vjet dhe e dërgoi atë në një institucion më të rreptë “regjimi special” nga burgu i sigurisë maksimale ku mbahej.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Navalny u transferua në një burg të tillë në rajonin rus të Arktikut.