BDI ka vendosur kundër braktisjes së Qeverisë dhe kundër zgjedhjeve të parakohshme në mbledhjen e zhvilluar mbrëmë të kryesisë së ngushtë.  

Një pjesë e anëtarëve të lartë të kësaj partie kanë kërkuar që të shkohet në zgjedhje për shkak të pozicioneve të dobësuara dhe obstruksioneve nga VMRO-DPMNE brenda Qeverisë, mirëpo kreu më i ngushtë partiak i prirë nga Ali Ahmeti kanë vendosur që të mos mbështet propozimi për zgjedhje të parakohshme, bëjnë të ditur burime partiake për agjencinë e lajmeve INA.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdylaqim Ademi para këtij takimi deklaroi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të vendit dhe të qytetarëve.

“Nëse nisemi nga interesi partiak i ngushtë i BDI-së, ne jemi për të pasur zgjedhje, mirëpo ne themi edhe njëherë që paraprakisht duhet të zgjidhen ca çështje madhore në, sidomos çështja e emrit pastaj kemi çështjen e regjistrimit që kërkon një konsensus nga të gjitha subjektet, të përfundojnë fillimet e projekteve të mëdha”, theksoi Ademi, duke nënvizuar se partia e tyre i bënë thirrje opozitës që të kthehet në institucionin legjislativ.