KE-ja kërkon ndalje të dhunës në Shqipëri
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KE), Torbjorn Jagland shprehu sot shqetësimin e tij rreth dhunës së ndodhur në demonstratën e organizuar nga opozita në Tiranë dhe duke shprehur dënimin për dhunën, kërkoi dialog konstruktiv mes forcave politike, njoftuan mediumet shqiptare.
“Jam shumë i shqetësuar për shpërthimin e dhunës dhe për viktimat që solli demonstrata në rrugët e Tiranës”, ka deklaruar Jagland.
Sipas një njoftimi zyrtar, ai theksoi se i dënon të gjitha llojet e dhunës dhe i bëri thirrje të gjitha forcave politike të angazhohen në dialogun konstruktiv, brenda institucioneve demokratike ekzistuese në Shqipëri.
“Shpresoj se do të njoftohem më tej rreth këtij incidenti fatkeq gjatë vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Këshillin e Evropës, të enjten tjetër”, përfundon reagimi i sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës.