Berisha: Banditë e kriminelë tentuan që të marrin pushtetin me dhunë
Konferencë shtypi e kryeministrit Sali Berisha pas përfundimit të demonstratave të dhunshme të organizuara nga partia Socialiste.
Rreth orës 19.30 minuta në selinë e kryeministrisë Sali Berisha mbajti një konferencë për shtyp në të cilën shprehu qëndrimin e tij e të Qeverisë shqiptare për protestat e dhunshme të socialistëve. “Sot ju dhe mbarë miqtë e Shqipërisë kudo në botë panë fytyrën e vërtetë, shëmtinë morale të Evdin Kristaq Ramës, djalit të ish-ministrit të regjimit të shtetit të diktaturës, të masakrës së Shkodrës, ish-ministrit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushit, projektuesit të një akti kriminal. Këta banditë tentuan që të marrin pushtetin me dhunë, duke angazhuar bashibuzukë, banditë, kriminelë, trafikantë të paguar në bazë të skenarit të përgatitur ditë më parë nga Edvin Kristaq Rama.
Grupe banditësh, trafikantë e terroristë, jo më shumë se 200-300 vetë për orë të tëra tentuan të pushtojnë kryeministrinë e vendit, për t’i vënë asaj zjarrin dhe të kështu të vendosin pushtetin e dhunës. Skenari i tyre ishte që me çdo kusht të merrnin kryeministrinë, që me çdo kusht të marrin parlamentin dhe ministritë. Në këtë përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë, përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto binë mbi liderin socialist.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave. Theksoj se nga të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë, me pistoletë të cilat nuk gjenden në përdorim as nga Garda e Republikës e as nga policia e shtetit. Kërkoj zbardhjen sa më të shpejt për humbjen e këtyre jetërave.
Jam këtu për të shprehur vlerësimin tim më të madh dhe mirënjohje të thellë policinë e shteti, për shkallën më të lartë të profesionalizimit, trimërisë, përgjegjësisë, guximit e gjakftohtësisë që ajo tregoi përballë provokimeve të bandave socialiste.
Me profesionalizmin, kurajën, pjesëtarë të forcave të rendit dëshmuan para shqiptarëve dhe mbarë botës se ne këtë vend ka rend e ligj. Dua të theksoj se nëse treshja Rama, Gjinushi, Ruqi tentuan që në këtë mënyrë të realizojnë një qëllim të tyre makabër. Unë jap fjalën se në këtë mënyrë do të realizoj vetëm daljen përfundimtare nga skena politike e këtij vendi.
Cilido që shkel ligjin do të përballet me pasojat e tij direkte. E ftoj z. Rama të mos provokojë popullin shqiptar, të mos provokoj shoqërinë shqiptare. Falënderoj faktorin ndërkombëtare, veçanërisht SHBA që ka shprehur qëndrimet e veta në favor të rendit demokratik, përfaqësuesit e BE-së, të OSBE-së dhe ju garantoj se skenarë të tillë nuk do të pranoj, ju garantoj se skenarë të tillë do të ndëshkohen.