Rama tek demonstruesit e plagosur në spital, reagon Berisha
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ndodhet në këto momente në spitalin ushtarak
duke vizituar personat e plagosur gjatë incidenteve që shoqëruan demosntratën e mbajtur sot në Tiranë.
Pak minuta më parë, Rama akuzoi kryeministrin Sali Berisha se “sot i ka lyer duart me gjak shqiptar”.
Ndërkohë, në ora 19:30 pritet një konferencë për media e kryeministrit Sali Berisha i cili do të reagojë në lidhje me gjendjen e krijuar pas demonstratës e cila u shoqërua me akte dhune nga të dyja palët sot në Tiranë.
Aktualisht ne spitalin ushtarak ne Tirane ndodhen 22 persona civile te plagosur si dhe 17 efektiva policie qe kane marre plage te ndryshme.
Tre të vdekurit në demonstratë, spitali: U qëlluan me armë nga afër
Burime spitalore kanë thënë se tre personat e vdekur si pasojë e incidenteve që shoqëruan demonstratën e sotme në Tiranë, janë qëlluar me armë të kalibrit të vogël në distancë të afërt.
Sipas burimeve zyrtare, dy të vdekurit e identifikuar tashmë, janë shtetasit Zyber Veizi, 45 vjeç, nga Gjirokastra dhe Hekuran Deda nga Dibra.
I vdekuri i tretë ende nuk është identifikuar.
Mjeku Sami Koçeku, nga spitali ushtarak i cili trajtoi tre personat që gjetën vdekjen, ka thënë se ata ishin qëlluar me pistoletë në distancë të afërt.
SHBA, BE, OSBE:Demonstrata nuk ishte paqësore, ndal përdorimit të dhunës
Ambasada amerikane në Tiranë, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Prania e OSBE-së në Shqipëri deklaruan pak çaste më parë: Shprehim keqardhje të thellë që demonstrata e sotme në Tiranë nuk ishte paqësore dhe çoi në disa viktima.
Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur
Bëjmë thirrje urgjente për qetësi dhe përmbajtje nga të gjitha palët dhe qëndrimin e tyre larg provokimeve.
Shqipëria është një vend demokratik, aspiron për anëtarësim dhe i ka institucionet e nevojshme demokratike.
Për rrjedhojë, ripërsërisim thirrjen tonë për dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese.
