LDK-ja nuk është më parti e Rugovës
Argumenti i vetëm i sotëm i LDK-së quhet Isa Mustafa, ky që si ministër financash në ekzil e ekskomunikoi Rugovën në mënyrën më skandaloze. Në një debat televiziv, një anëtar kryesie i kësaj partie, i pyetur se me çfarë kapitali politik konkurron në zgjedhjet e 12 dhjetorit kjo parti, u përgjigj shkurt – me argumentin Isa Mustafa. Kjo parti më nuk ka kapital tjetër pos Isa Mustafës. Pra çdo gjë në LDK është rrënuar, përveç Isa Mustafës. Kështu del se kjo është një parti e re e Isa Mustafës që e ka huazuar emrin LDK të partisë së Ibrahim Rugovës. Ata që kanë mbetur sot në këtë parti (përjashto anëtarësinë e gjerë) me ndonjë përjashtim, të gjithë janë ish-renegatët e Rugovës, armiqtë e tij të përbetuar, duke llogaritur këtu edhe individë të postuar në këtë parti që vijnë nga partitë kundërshtare të Rugovës, siç është koalicioni me partinë “Ora”. LDK-ja e sotme kërkon ku janë e ku s’janë ata që dikur e anatemonin dhe e shanin Rugovën publikisht, nëpër media. Menjëherë pas vdekjes së Presidentit Historik, e copëtuar në disa fraksione përjashtuese ndër vete, për pak kohë LDK-ja humbi prestigjin dhe autoritetin që e kishte si parti popullore djathtiste në kohë të Rugovës. U pa si një parti e skandaleve që irritonte jo vetëm anëtarësinë e gjerë të kësaj partie, por edhe elektoratin e Kosovës në tërësi. Kjo u dëshmua në zgjedhjet e 2007-shes, megjithëse atëherë, para tre vjetëve, anëtarësia e saj jetonte me shpresë se partia po bënte përpjekje të konsolidohej dhe të rimëkëmbej. Atu e vetme e tyre ishte trashëgimia e Presidentit Historik, por të gjithë këta ishin po ata individë që Presidenti i ndjerë i kishte defaktorizuar brenda partisë për të gjallë të tij. Nuk mund të mos analizohet shkaku pse faktori ndërkombëtar në Kosovë ndërhyri në audiencën e Presidentit Rugova, duke ia përjashtuar nga aty të gjithë punëtorët e sigurimit, dhe duke e këshilluar që me disa anëtarë të partisë të mos komunikonte fare. Pra puçi antirugovian ka filluar edhe para vdekjes së Presidentit, dhe lufta për ta defaktorizuar partinë nga autoriteti i Rugovës shpërtheu menjëherë pas vdekjes së tij. Pra janë këta armiqtë e Rugovës që mbështeten në emër të tij. Pas shumë skandaleve dhe largimeve të anëtarëve të vjetër të kësaj partie, më në fund rasti i Ukë Rugovës u bë një indikator konkret që dëshmon se kjo parti refuzon traditën rugoviane dhe është në dorë të renegatëve të Rugovës. Nuk mund t’i besojmë askujt që pohon se është më rugovist se vetë Ukë Rugova. Në vend se të angazhohej në zgjidhjen e statusit të Kosovës para se të shpallej pavarësia e Kosovës, “LDK” përqendrohej në luftë për pushtet brenda partie, luftë ndërmjet të konfrontuarave jo për parime politike, por për karrierë dhe për pozitë në poste politike. Fatmir Sejdiu, që në histori do të mbahet mend si individ që e përmbysi rugovizmin në LDK, pati kujdes që pas fraksionizimit me LDD-në, t’i rikthente në parti të gjithë ata që i kishte përjashtuar Rugova. Këta do t’ia bëjnë varrin Sejdiut me marifet të madh, duke pushtuar kështjellën nga brenda, dhe me manovrime “demonstratash” “për Isën”, “për Isën”, Isa i eliminoi pa përjashtim ata që nuk hiqnin dorë nga platforma rugoviane. Duke u deklaruar kundër koalicionit PDK-LDK ai pati sukses ta bindë një pjesë të anëtarësisë së LDK-së se LDK-ja kishte tradhtuar parimet e saj politike, të cilat nuk i ka pasur fare pas vdekjes së Rugovës. LDK-ja sot është një parti tjetër që e mban vetëm emrin LDK