DASH: Do të ketë të tjerë “non grata”
Department i Shtetit deklaron se sanksionet ndaj ish zyrtarëve apo dhe zyrtarëve në Shqipëri, do të vijojnë.
Në kthimin e përgjigjeve për emisionin veting në ABC, ky departamenti shpjegon se vendimet ndaj të korruptuarve mund të njoftohen edhe privatisht për personat nën akuzë. Kjo nënkupton, se mund të ketë politikanë, zyrtarë dhe aktorë të tjerë non-grata, që publiku nuk ka ose nuk do të ketë dijeni për këtë vendim ndaj tyre.
Zëdhënësi për Evropën dhe Euroazinë në departamentin amerikan të shtetit, Ryan Walsh, sqaron:
Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë këtë autoritet dhe të gjitha mjetet e disponueshme për të luftuar korrupsionin në nivel global. Në varësi të rrethanave të veçanta, disa emërtime bëhen publikisht ndërsa të tjerët privatisht.
Në përgjigjen zyrës së shtypit të Departementit amerikan të shtetit, bëhet e ditur gjithashtu se, sanksionet prekin dhe familjarët e personave non grata.
Mos përshtatshmëria vlen edhe për anëtarët e ngushtë të familjes, dhe ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit t’i caktojë publikisht ose privatisht këta zyrtarë dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë. Emërtimet nuk janë të kufizuara në kohë.
Lista e zyrtarëve të shpallur non-grata nga Shqipëria u shtua me 2 emra: ish deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni, pronari i mediave, Ylli Ndroqi.