Në mes të populizmit dhe paaftësisë
Populizmi është emërtim i lëvizjes letrare franceze, e cila frymëzohej nga dashuria ndaj popullit, e që kishte për qellim të shpalosë jetën e popullatës dhe kuptimin e asaj jete. Këtë lëvizje e kanë përfaqësuar krijues me shpirt revolucionar, të gatshëm t’i flijojnë dhuntitë e veta në tempullin ku vlerat personale viktimizohen për të mirën kolektive. Pra, kjo lëvizje është udhëhequr nga gatishmëria e krijuesve që aftësitë krijuese t’i venë në shërbim të shpalosjes së të vërtetave jetësore të popullit të tyre. Por, në politikë, ky emërtim ka kuptim krejt tjetër: ka të bëjë me politikanë që vuajnë të jenë të dashurit e popullit dhe të verbëruar nga kjo vuajtje, ata janë të gatshëm ta flijojnë popullin në emër të famës së tyre politike dhe për të mbetur përjetë në pushtet . Andaj, nëse krijuesit populistë kanë pasur për qëllim shpalosjen e të vërtetave jetësore të populli të tyre, politikanët populistë kanë qëllime krejt të kundërta: të vërtetën për jetën mjerane të njeriut të rëndomtë dhe pasionin e vet për të mbet për jetë në pushtet, ta mbulojnë me mjegullën e iluzioneve të rrejshëm. Kështu që, dallimi mes të parëve e të dytëve, është aq i madh e aq i thellë, sa janë të largëta mes veti mburrja dhe turpi, sa që është e largët krenaria e atyre që dikur janë quajtur krijues populistë dhe turpi që duhet ta ndjejnë ata që sot emërtohen si politikanë populistë.
Gjatë historisë më të re të këtyre hapësirave, shumë herë është treguar se, mjegull më e dendur e populizmit politik, se mbulesa më e mirë e të gjitha paaftësive dhe papërgjegjësive politike, është nacionalromantizmi. Por, gjithashtu, është dëshmuar se, nacionalromantizmi është kalë i ngutshëm, i cili të ngjitë shumë shpjet në lartësitë marramendëse të suksesit të përkohshëm politike, por ai kalë assesi nuk dinë të të zbresë nga ato lartësi dhe në të shpeshtën e rasteve, rrokulliset teposhtë së bashku me kalorësinë e vet. Kjo u pa në mënyrë shkollareske me nacionalromantikët e vonuar të Ballkanit të para disa viteve, si për shembull me populizmin që e promovoi Millosheviqi famëkeq, i cili ia doli ta fut në mjegullën e mitomanisë pjesën dërmuese të popullit serb, që ia doli të grumbullojë nëpër mitingje me qindra mijë mbështetës që kërkonin t’u shpërndajë armë që ta realizonin të pamundurën – iluzionin nacionalromantik, që ia arriti një dekadë me radhë t’i fitojë zgjedhjet kundër të gjithë kundërshtarëve të vet politik, që ia doli t’i çonte të gjitha mediat t’i këndonin këngë adhurimi dhe trimërie, por i cili përfundoi i vetmuar në qelinë e burgut të Hagës.
Por, Ballkani kurrë nuk ka qenë mësues i mirë nga lënda e historisë dhe e politikës. Apo mbase fajtorë janë nxënësit e shkollave të këtushëm politike, të cilët çdo gjë e kuptojnë mbrapshtë andaj, posa fillojnë të merren me politikë, ia nisin ndërtimin e përmendores së lavdisë së tyre, duke harruar se ajo duhet të qëndrojë mbi bazamentin e fortë të veprave që lënë pas vetes, e që kanë të bëjnë me shtetin që drejtojnë. Një ndër këta nxënës të shkollave politike ballkanase, është edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski të cilit edhe nuk i rrinë aq mirë petku populist e nacionalist. Edhe atë jo vetëm pse është shumë i vonuar, jo edhe pse pas vetes ka popull i cili numerikisht nuk tejkalon numrin e prostitutave që kanë metropolet e Evropës, por ngaqë shteti shumetnik që ai drejton, natyrshëm e aborton çdo projekt një etnik. Por, edhe si i tillë, Gruevskit nuk duhet t’i mohohet një e arrirë: ia doli që edhe partitë shqiptare t’i bëj pjesë të projekteve të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe t’i përfshijë edhe ato në politikëbërjen e mbështetur mbi ndërtimin e shesheve dhe ngritjen e përmendoreve, edhe atë në kohë kur qytetarët e Maqedonisë e ndërtojnë përmendoren e varfërisë dhe mjerimit të vet ekonomik. Kur bëhet fjalë për populizmin dhe nacionalromantizmin maqedonas, e të cilin e ushqejnë dhe i prijnë pushtetarët e sotëm maqedonasi, duhet pasur para sysh se farën e kësaj bime ata e mbjellin në arë pjellore: mes popullit që në librin amzë të të lindurve është regjistruar që nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Por, atyre nuk u përshtatet vetëm ara, por për këtë u ndihmon edhe klima politike: mospasje pandan politik shqiptarë që do i pengonte të mbjellin farën e bimës populiste në fillim të shekullit të njëzetenjë dhe në një shtet me përbërje shumetnike e shumreligjioze. Arën populiste të Gruevskit e bënë të jetë pjellore edhe bindja e tij e saktë se bashkësisë ndërkombëtare nuk do lejojë të dështojë projekti i saj i quajtur Maqedoni shumetnike. Andaj, kur e shumëzon përshtypjen se liderët e partive të këtushme shqiptare ia kanë zili heroit të ardhur nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, me mosngutjen e bashkësisë ndërkombëtare që ta disiplinoj miun që ëndërron të bëhet luan, e fiton numrin e shqiptarëve të dëshpëruar, të cilët e kanë humbur besimin në partitë e tyre politike dhe që vështirë se do gjejnë ndonjë motiv t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe mbase ky motiv do u mungojë atyre edhe sikur Brukseli ta shpallë Ali Ahmetin hero të pashoqë sa i përket durimit dhe pritjes dhe si prototip të liderit modernë partiak që ka arritur të pamundurën, e që mbase mund të arrihet vetëm në botën shqiptare: të ndërtosh karrierë politike duke përsëritur vetëm një frazë – atë për përkushtimin e partisë së tij që Maqedonia sa më shpejtë të anëtarësohet në NATO dhe BE. Me çka, ke përshtypjen se kryesuesit e BDI-së nuk janë përfaqësues të shqiptarëve të këtushëm, por të deleguar të NATO-së për zgjerimin e sajë në Ballkan dhe euroambasadorë që kanë për detyrë ta regjistrojnë e të raportojnë drejtë për situatën politike në Maqedoni.
Duke qenë Gruevski kryemjeshtri i lojës populiste, e BDI-ja vëzhguese pasive e lojës së tij, shqiptarët e këtushëm erdhën në pozitë të ndjehen si të ngulfatur nga kthetrat e nacionalromantizmit të VMRO-DPMNE-së. Dhe duke u ndje ashtu, ata as që vërejnë se edhe parimi i Badenterit është zbehur po aq sa e tërë Marrëveshja e Ohrit. Andaj edhe nuk e pyesin BDI-në pse miratimi i buxhetit të shtetit, apo rebalanci i tij, nuk votohet sipas këtij parimi – edhe me votat shumicë të parlamentarëve shqiptarë? Pra, ata nuk e pyesin AlI Ahmetin se cili ligj është më i rëndësishëm për mbrojtjen e qenies kombëtare, se ai që ka të bëjë me ndarjen e buxhetit të shtetit? Dhe duke mos shtruar këtë pyetje, shqiptarët e këtushëm nuk ia dalin të shohin pse Gruevski ka filluar të bëhet më dorëlirë në ndarjen e mjeteve për sheshet “shqiptare” në formë të garazheve nëntokësore dhe për përmendoret e BDI-së. Pra, ata nuk ia dalin të shohin se dorëlirësia e tij ndaj shesheve “shqiptare” ka të bëjë me mbulimin e harxhimeve anormale për ngritjen e përmendoreve të veta dhe për teleferikun që do i çojë shqiptarët shkupjan deri te kryqi në Vodno. Dhe duke mos e parë këtë, shqiptarët e këtushëm nuk e hetojnë qëllimin pervers të Gruevsit: ai donë të arrijë të pamundurën – që populizmit të vet t’i jep ngjyra shumetnike. Këtë donë ta arrijë duke e ndarë atë me BDI-në edhe duke paguar çmim aq sa kushton një çarçaf në dhomën e kompletuar të fjetjes.