Parlamenti Evropian (PE) sot votoi me një shumicë të konsiderueshme në favor të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.Në mbledhjen e sotme PE ka miratuar me 538 vota pro dhe 47 kundër rezolutën e europarlamentares, Tanja Fajon për liberalizimin e vizave me dy vendet e lartpërmendura.

Me këtë, bie muri i Shengenit për qytetarët shqiptarë. Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit dhe votës së Parlamentit, i takon tashmë 27 ministrave të brendshëm evropianë që të japin fjalën e fundit për heqjen e vizave në takimin e tyre të ardhshëm.

Që nga momenti që do të hyjë në fuqi vendimi i tyre, qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës , që janë të pajisur me pasaporta biometrike, do të mund të qarkullojnë lirshëm në vendet e Shengenit, ku nuk bëjnë pjesë Britania e Madhe dhe Irlanda, por ku përfshihen edhe vende jo anëtare të BE-së, siç janë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lishtenshjtani, për një afat tre mujor, pa të drejtë pune në këto vende. (INA)