Mersel Bilalli-Maqedonia për shkak të politikës katastrofale humbi korridoret dhe transitet energjetike në vlerë prej rreth dhjetë miliardë euro. Në çdo shtet normal, dorëheqjet do të ishin akte natyrore. Por, këta liderë fjalën “moral” e kanë po aq larg sa edhe dreqi Zotin

“Moskva i kthehet Ballkanit” – janë këto fjalët e premieri rus Putin në takimin e Këshillit të Shteteve të Rajonit të Detit të Zi për Bashkëpunim Ekonomik (BSEC). Rivaliteti energjetik në mes Rusisë dhe shteteve perëndimore është duke u shndërrua në luftë gladiatorësh. Rusia përmes “Gasprom”-it synon dominim në Kaspik, Ballkan dhe gjithë Evropën, kurse përmes projektit gazpërçues “Rrjedha Jugore” ajo synon ndikim të fuqishëm në Ballkan dhe Evropë. Ky projekt tani më është pranuar nga shumë shtete ballkanike, duke përfshirë edhe disa anëtare të UE. Bullgaria si anëtare e UE përkrahë këte projekt, kurse Greqia si zakonisht luan në të dy anët (pra edhe në projektet ruse edhe në ato perëndimore). Madje edhe blerja e sistemit raketor rus “TOR” për armatën greke, është pjesë e kësaj loje të dyfishtë. Unioni Evropian, si kundërvënie ekspansionit energjetik rus, ka promovua projektin “NABUKO”, i cili do të transportonte gazin natyror nga Kaspiku, përmes Turqisë, Bullgarisë dhe Romanisë gjer në shumë shtete të Evropës qendrore e perëndimore. Krahu i majtë i tij do të vazhdonte për në Greqi, Shqipëri dhe shtetet tjera të Ballkanit perëndimor. Pas këtij projekti qëndrojnë kompanitë e njohura – “BP” britanike, “Royal Dach Shell” holandeze, dhe “OMV” austriake.

Rivaliteti Rusi – Perëndim është në shtim pasi eksploatimi i gazit dhe naftës bëhet nga të njëjtat burime që gjinden në Kaspik. Rezervat e naftës në këtë rajon llogariten në rreth 300 miliardë barelë, kurse të gazit natyror në rreth 150 miliardë metra kub. Kompanitë perëndimore janë të përqendrua në Azerbajxhan, Uzbekistan dhe Ermeni, kurse ato ruse në Turkmenistan dhe Kazastan. Kompanitë multinacionale – “BP”, “Amaco”, “Exxon”, “Unocal”, “Caterpillar”, “Halliburton /Broun & Root”, “Mitsubishi”, “Itochu”, bëjnë të pamundshmen që të dominojnë në këtë pjesë të Euroazisë. Rusët fuqishëm imponohen edhe në eksploatimin e naftës, me çrast eksporti rus i naftës në botë me afro 7,38 milion barelë në ditë tani ka tejkaluar edhe Arabinë Saudite (e cila në kuadër të OPEC-ut eksporton rreth 6,98 milion barelë në ditë).

Në këso konfrontimi të ashpër energjetik, korridoret e transitit të energjenseve gjithnjë e më shumë fitojnë në peshë. Çdo shtet ka interes që naftësjallsit dhe gazsjellësit të kalojnë nëpër territor të tij. Shtetet rajonale me gjitha fuqitë luftojnë që të jenë pjesë e transitit të këtyre energjenseve përmes territoreve të tyre, pasi kjo mundëson zhvillim, investime, hapje të vendeve të punës, zgjerim të shërbimeve të ndryshme, përfitime nga çmimi i transitit dhe forcime të pozicioneve politike e gjeostrategjike në rajon dhe më gjerë.

Maqedonia edhe pse në pozitë të mirë gjeografike në Ballkan, menaxhimi katastrofal politik i saj, jo vetëm që atë e hodhi nga loja e transitit, por ajo humbi edhe perspektivën e vet zhvillimore. Për shkak të populizmit të premierit të saj ajo ka humbur mbi dhjetë miliardë euro investime nga jashtë. Ajo Humbi Korridorin Tetë në vlerë prej rreth gjashtë miliardë dollarësh (rrjetin rrugor dhe hekurudhor). Humbi naftësjellësin AMBO (Burgas-Vlorë) në vlerë prej 1.3 miliardë dollarësh. Humbi transitin e gazit qoftë përmes projektit “Rrjedha Jugore” apo “Nabouko”. Humbi kabllon optike nga Turqia gjer në Itali. Humbi financimin evropian për largpërçuesit elektrik. Humbi miliarda evro nga shërbimet plotësuese përreth Korridorit Tetë – angazhimin e kompanive vendase, koston e mirëmbajtjes së objekteve, siguracionet, kompensimet nga transiti, përfitimet hotelerike, mekanike e teknike etj. Ajo me fajin e vet tani është zhdukur nga kartat e interesave ballkanike, pasi për këso vrapimesh politike nevojiten kuaj të zgjedhur e jo gomarë.

Poashtu dëm kolateral nga një politikë e tillë e Maqedonisë ka pësuar edhe Shqipëria, e cila humbi gati të njëjtat projekte që lidheshin me Korridorin Tetë. Ajo tani tenton këtë korridor ta kompensoj me rrugët përmes Kosovës dhe Serbisë Jugore, por për shkak të situatës politike në relacionet Serbi – Kosovë, do të duhet shumë vullnet politik që alternativa ( sidomos ajo hekurudhore) të efektuohet. Greqisë, kjo kryeneçësi e Gruevskit i erdhi si bingo pasi ajo varrosi Korridorin Tetë dhe atë e zëvendësoi me korridorin e vet Via Ignatia.

Në çdo shtet normal, si pasojë e politikave të tilla katasrofale, dorëheqjet janë akte më natyrore. Por, këta liderë fjalën “moral” e kanë po aq largë sa edhe dreqi Zotin. Këtu sikur edhe qielli të rrënohet, nuk mund të shofim dorëheqje, pos nëse nuk ndodhë që njerëzit e rëndom të japin dorëheqje nga jeta. Orientimi bazë strategjik – agjenda euro-atlanite është afër vdekjes, kurse politikanët gjallë e shëndoshë. Të gjitha këto humbje Maqedonisë i ndodhën për shkak të mosinkuadrimit të saj në NATO. Tani për të gjitha mëkatet faj na paska Greqia, kurse liderët kokëkrisur na qenkan kristal të pafajshëm. Kryetari Ivanov në Njujork pat akuzuar Greqinë për të gjithë katastrofat që na kanë ndodhur, edhe pse edhe shpezët e kanë të qartë se fajtorë kryesor për situatën që kemi janë Aleksandri dhe Filipi të inkarnuar në premier.

Para disa ditësh evrokomesari File pat deklaruar se Serbia tani më është kandidate serioze për antarsim në UE. Kurse për liderët e këtuit u tha se me vjet drite janë larg seriozitetit. Shkelim në vitin e pestë që nga marrja e statusit kandidat, kurse jemi shumë më larg Brukselit se sa kur fituam këtë status. Kroatët falën pjesë të territorit të tyre që të bëhen pjesë e Evropës. Serbët me dhimbje nga mendja heqin Kosovën që t’i afrohen Brukselit, kurse ania e quajtur Maqedoni vite me radhë endet pa kompas, në kaotizëm të paparë, pasi drejtuesi i saj nuk di se cilit liman duhet t’i drejtohet.

Liderët e vërtetë që dëshirojnë zgjidhje të problemeve (të cilën detyrë e kanë nga natyra), së pari bëjnë thjeshtëzimin e tyre që të mos trazojnë shpirtërat, pastaj i qasen zgjidhjes. Kurse liderët e imtë me ndërgjegje edhe më të imtë, të cilët të vetmen gjë të madhe kanë ambiciet e tyre, bëjnë të kundërtën, pasi ndryshe nuk funksionojnë. Këtyre problemet u shërbejnë si karburant për energji, andaj edhe i qasen komplikimit të tyre gjer në nivel sa që edhe Zoti ta ketë vështirë që t’i zgjidhë. Këso liderësh, që problemet e zakonshme i ngritin në nivel të jetës apo vdekjes, s’kanë qëllim tjetër pos popullatën ta ushqejnë me lugë të zbrazur.

Është absurde që ruajtja e emrit kushtetues të shtetit të ngritët në nivel të shpëtimit nacional, emër të cilin njëzet vite më parë shteti nuk e kishte pasur. Prej këtu, logjikisht shtrohet pyetja – çka kishin të humbur këta njerëz kur shteti i tyre emërohej me emra tjerë, siç ishin Republika Popullore e Maqedonisë apo Republika Socialiste e Maqedonisë. Fundja, çka kanë humbur këta njerëz këta njëzet vite të fundit nga identiteti i tyre gjersa shteti u emërohej si IRJM? Humbja e identitetit nacional është vetëm shpikje e mendjeve që në brendinë e tyre të vetmin identitet kanë krimprofitin. Fakt është se nuk duhet kërkuar arsye të shëndoshë aty ku rezoni djallëzohet, pasi e vërteta nuk jeton në shpirtin e djallit. Aq më pak aty ku liderët dështak synojnë të mbahen në pushtet me suksese të trilluara dhe virtuale. Sukseset e vërteta nuk kanë nevojë për gënjeshtra, pasi ata dinë të lidhin pa litar. Ata janë fuqi gravituese në vete. Jashtë tyre mbeten vetëm mashtrimet.

Me politikë mashtruese, lidershipi i Maqedonisë tani ka humbur edhe miqtë e vet strategjik. Gruevskin në Uashington nuk e pritën as zëvendësit e zëvendësve. Është e njohur deviza se të sinqertëve më shumë u shërbejnë armiqtë se sa jo të sinqertëve miqtë. Tani ekonomia dhe pozita ndërkombëtare e Maqedonisë është kah fundosja. Derisa premieri ra nga kali atij ia hoqën edhe gomarin. Tani më nuk flitet për ruajtje të emrit kushtetues, por për hapësirën e përdorimit të tij. U humbë ardhmëria që të fitoi rejtingu i premierit. U flijua fati i dy milion njerëzve që të mos flijohet rejtingu i një personi. Nga e gjithë kjo e logjikshme është që jemi ranguar në grupin e shteteve më të varfëra në botë (Xhibutin, Jemenin, Mauritaninë dhe Eritrenë). Kështu ndodhë kur fati i një garniture ndërtohet mbi fatkeqësinë e gjithë njerëzve, e maskuar me parolën – të luftojmë për fitore sikur edhe krejt të humbim.

Ura e Gurit, ku njerëzit më tepër hëngrën njëri tjetrin se sa ushqimin, edhe një herë tregoi se uria dhe dinjiteti nuk shkojnë bashkë. Aty ku ngulet uria shpërngulet dinjiteti. Faji është te ata të cilët vazhdojnë të ndërtojnë ardhmërinë e njerëzve mbi baza të gënjeshtrave patriotike. Te ata që ndërtojnë perandori financiare në skllavërinë e masës naive. Në ata të cilët sa më lartë u ngritën pozitat sunduese, aq më pushtë u bie morali e ndërgjegjja. Tani gjendemi në një fazë kritike, pasi jemi në situatë kur njerëzit më tepër i frikohen jetës se sa vdekjes. Nuk mund të mbjellni urrejtje, kurse pritni të korrni tolerancë. Nuk ka ardhmëri aty ku udhëheqin liderë që politikën e shndërrojnë në matematikë personale. Ky pushtet lëshoi shansin që të hyjë në histori, andaj duhet të përfundoj në te. Si duket kjo popullatë ka nevojë për një murr autokton të vajit, që të vajtoi fatin e vet historik, pasi njëzet vite është duke u endur nëpër shkretëtirë, sikur bijtë e Izraelit për shkak të sundimit të tmerrshëm të faraonëve. Por, për dallim nga ata, këta njerëz faraonët i zgjedhim vet. Nuk dinë që faraonëve t’ua tregojnë piramidat