Alajdin DEMIRI

“…Deri kur u mbyll pazari ai nuk i shiti dot dy delet e tij. Mblodhi paratë që i kishte fituar dhe u nis. Xhamia ishte në të dale të qytetit . Dera e xhamisë ishte e mbyllur. Ai trokiti me një gur mbi portën e vogël. Imami u shfaq pas pak duke e lidhur tyrben mbi kokën e rruar. Alejkum Selam. Mirdita, i tha ai. Dua të bëhem mysliman. Urdhëro, e ftoi imami. Je i pari që vjen sot. Krishterët merren me tregti të dielave…”, Ben Blushi-“Të jetosh në ishull”.

Mënyra e qasjes së Ben Blushit një fenomeni aq të rëndësishëm fetar, është më e afërta me shpjegimin e dukurisë shkencore dhe reale të një historie të hapësirave tona, aty ku feja islame u importua nga sunduesi. Aspekti më i rëndësishëm për këtë autor bëhet ai material, ekzistenca e njeriut. Fenomeni quhet konvertim, dhe ka të bëjë me fenë, por jo vetëm me te, konvertime ka në jetën sociale, politike dhe ideologjike.

Ajo me të cilën dëshiroj të merrem është konvertimi politik, fenomen ky që e ngulfati vullnetin politik të shqiptarëve në përgjithësi, por në veçanti atë në Maqedoni. Shqiptarët në trojet e tyre disa herë konvertuan idenë sublime të kenë shtetin e vet. Me ide të vogla alternative, ndoshta nga frika, mosmundja për ta bërë, por më tepër nga interesi, por i kujt? Interesi i krijimit të shtetit shqiptar ishte ngushtë i lidhur me interesin e Perandorisë Osmane, që ishte në rrënim, por edhe me interesin e Serbisë, që edhe pse në bashkësi me kroatët dhe sllovenët, kishte konturat e një shteti në formim, por me ambicie okupuese. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore kur duhej të zgjidhet gjeostrategjia e Evropës, e fituesve të luftës, posaçërisht ajo e Ballkanit, ideja kombëtare u konvertua në idenë internacionale. Për shqiptarët u shkelën vendimet e Bunjajt, se pas çlirimit do të bashkohen trojet shqiptare. Mirëpo, menjëherë pas çlirimit e konvertuan këtë ide me Konferencën e Prizrenit se Kosova nuk duhet ti bashkohet Shqipërisë, por duhet të ngelë nën patronat të “vëllezërve” sllav, ide kjo e po të njëjtëve komunistë. Konvertimi kombëtar në këtë rast u bë jo nga frika, por nga bindja. Komunistët si të Hoxhës ashtu edhe të Titos, ishin të bindur në këtë internacionalizëm dhe menduan se vepruan drejt, duke e ngulfatur atë që është komb, në favor të asaj që është internacionalizëm. Kjo ide, ky konvertim nuk ishte afatgjatë, pasi shumë shpejtë u duk se ide e kujt ishte kjo, dhe kujt i shërbente.

Zhgënjimi nga ky konvertim prodhoi tronditje në trungun shqiptar, Shqipëria ndërroi kurs, por më të egër, kërkoi dhe gjeti partner tek kinezët, ndërsa në trojet tjera filluan të lindin lëvizje të reja. Zanafilla e partive bashkëkohore që më vonë sërish u konvertuan. A ishte lehtë, aspak. Ideja socialiste ose komuniste, në vete ngërthente shumë aspekte teorike dhe praktike të jetës politike dhe shoqërore, por mbi të gjitha ishte ekskluziviste, nuk lejonte ekzistimin e tjetrës, të kundërtës, ose alternativës. E kundërta, sipas komunistëve duhej të ndiqet, dënohet, pra zhduket. Dhe kjo është faza që kaliti idenë politike që u kultivua shumë gjatë, si ide e bashkimit të trojeve shqiptare. Gjeneratat filluan të edukohen dhe jetojnë me këtë bindje. Në esencë, ishte nevojë e brendshme e shqiptarëve si pandan i një realiteti që krijoheshte artificialisht nga ana e gjithë kombeve që krijoheshin në Jugosllavi, kombi musliman, malazias dhe në formë specifike maqedonasve musliman. U krijua një realitet që krijoi huti si në teori ashtu edhe në praktikë të niancimit dhe konstituencës së grupeve etnike, kombeve. Në fund, ky proces kulminoi me paraqitjen e kombit jugosllav, një hibrid i pakuptimtë, që kishte për detyrë të zbusë kontradiktat dhe antagonizmat që gjithnjë e më tepër thelloheshin. Në këtë kohë te shqiptarët lindën lëvizjen interne dhe ilegale të quajtur me emra të ndryshëm, LPK, LPRK, LKÇK etj., por me emërues të përbashkët, bashkimi i trojeve Shqiptare. Është koha e ndjekjeve masive gati të gjithë Shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe gjetiu. Shqiptarët filluan të trajtohen si armiq në të gjitha nivelet, pasuan burgosjet masive në forma të grupeve ilegale, organizatave politike armiqësore, ashtu i quanin deri te likuidimet e organizuara, bile edhe nga ana e ushtrisë. Këto persekutime e forcuan dhe e ushqyen lëvizjen, mirëpo më ’91-shin e gjetën të papërgatitur për metodë të organizuar. Ngelën në ilegalitet. Kështu procesi i mëvetësimit të Kosovës u vonua dhe ideja e bashkimit të trojeve shqiptare u konvertua në idenë e pavarësimit të Kosovës. Pas luftës bartësit e pavarësisë së Kosovës që ishin me proveniencë të majtë, fuqimisht u konvertuan në demokratë të moderuar. Rrënimi i socializmit ishte në horizont, por si duhet të bëhet. U zgjedh rruga më e dhimbshme dhe më tragjike. Shpërbërja. Luftërat e kapluan Jugosllavinë. Komunistët e vjetër u konvertuan në nacionalistë të rinj, që e tërhoqën popullin në konflikt. Ideja elementare e konvertimit është të jem ai tjetri-jo unë, sepse në momentin aktual ai tjetri është profitabil, e jo unë.

Pra, komunistët e vjetër që betoheshin në socializëm, vetëqeverisje, vëllazërim bashkim u konvertuan në nacionalistë të rinj dhe pasoi gjakderdhja. Gjakderdhja nuk ndodhi vetëm te të ngjashmit, malaziasit dhe maqedonasit, për arsye se konvertimi i tyre kishte ndodhur që më ’45-tën. Përkundër kësaj, trendi i shkatërrimit të Jugosllavisë i ofroi pavarësi Maqedonisë në mënyrë shumë elegante dhe të lehtë, u tërhoq Armata Jugosllave. Shqiptarët në Maqedoni sërish u gjetën në udhëkryq pa ide, pa parti politike, të paorganizuar. Në këtë kohë filloi organizimi i parë politik i shqiptarëve në Maqedoni, por me shumë telashe. Idenë për parti politike e bartën të ashtuquajturit disidentë, në realitet njerëzit e ekskluduar nga pushteti. Mirëpo, në të njëjtën kohë u angazhuan me detyrë edhe komunistët me eksperiencë politike dhe iniciuan idenë e “iniciativës Jugosllave” me në krye Branko Horvatin, kishte edhe mendime se duhet të formohet degë e LDK-së, tani më të profiluar nga ana e Rugovës, si ide e bashkëngjitjes me Kosovën, pasi dalim nga i njëjti shtet, Jugosllavia. Kur u themelua dhe filloi të funksionojë partia e parë shqiptare, komunistët që ngelën anash dhe besnikë të kaluarës së tyre, pasi në fazën fillestare nuk kishin besim në një punë të këtillë dhe se një gjë e tillë mundë të bëhet, në moment të caktuar sërish u konvertuan, hynë në partinë shqiptare dhe ngadalë e morën partinë në duart e tyre. Kapaciteti i jetës politike shqiptare në Maqedoni filloi të kontrollohet nga ata. Sërish krijohet hutia pse ekzistojnë këta parti, çka kërkojnë dhe si realizohet. Politika shqiptare në Maqedoni falë këtij sindromi u transformua në atë se çka nuk duan shqiptarët, por asnjëherë nuk treguan çka duan. Kësaj i kontribuoi edhe lufta, që të njëjtit sot preferojnë ta quajnë konflikt.