Rizvan Sulejmani

Sa më shumë që ofrohet nëntori aq ma shumë shtohet kureshtja. Çfarë do të ndodhë? Do të kemi zgjedhje për emrin, do të marrim ftesë për NATO? A do të fillojnë bisedimet për anëtarësim në UE dhe shumë pyetje të tjera. Kjo kureshtje çdo ditë e më tepër i mundon edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni. Diplomatë, analistë e spiunë kërkojnë bashkëbisedues për të gjetur përgjigje në këto pyetje. Ditëve të fundit sikur janë shtuar. E përbashkëta e gjithë kësaj është se dominon një pesimizëm. Një institut me renome para disa ditësh doli me parashikime mjaft dëshpëruese. Një situatë pa rrugëdalje. Pa ide. Ka edhe optimist. Disa analistë, opinionistë apo edhe përfaqësues partish ofrojnë zgjidhje shumë të thjesht për problemin. Ajo është “Ik Gruevski”. Ata e dinë lëvizjen e parë, por jo edhe të dytin. Ka disa që kanë zgjedhje edhe për këtë, pas Gruevskit vjen Cërvenkovski. Këtë ardhje të tij e paralajmërojnë si një romancë, një nuse në kalë të bardhë. Bile për shqiptarët edhe fatbardhë. Ai me një koalicion të gjerë pro evropian ku shqiptarët do të jen gjithë bashkë, do ta marrë pushtetin dhe do ta ndajë vëllazërisht fifti – fifti. Ky koalicion do ta zgjedh çështjen e emrit, do t’i hapë dyert e NATO-s dhe UE-së dhe menjëherë pas do të vijnë edhe shumë investime e punësime. Në Kosovë përdoret një fjalë, “nuk hahet prej së mirës”. Shqiptarët një kohë të gjatë kanë qenë nën qeverisjen e Cërvenkovskit. Fjala popullore thotë: nëse një herë më mashtron – haram të qoftë, nëse për së dyti më mashtron hallall të qoftë. Megjithatë për mua situata është shumë më e komplikuar sa për të dhënë një zgjedhje të thjeshtë. Për më tepër, shteti është zënë peng. Do të mundohem ta sqaroj këtë situatë.

Pengmarrësit e shtetit janë: Gruevski me pasionin e tij për pushtet, oligarkia ekonomike e pa aftë për konkurrencë, opozita e zanën rob dhe naiviteti politik shqiptarë. Si duket kjo? Nikolla Gruevski duke shfrytëzuar rrethanat që janë të ndikuara nga më tepër faktorë arrin të promovojë një nacionalizëm maqedonas që mban një konflikt të ngrimë sa për t’i garantuar atij pushtet. Ai duke u paraqitur si mbrojtësi i identitetit maqedonas që rrezikohet nga Greqia nëpërmjet kontestimit të emrit të shtetit, nga Serbia nëpërmjet Kishës, nga Bullgaria nëpërmjet gjuhës, nga shqiptarët nëpërmjet ekspansionizmit demografik, kulturor e urbanistik, kultivon frikën dhe pasiguri tek populli maqedonas për të pas nevojë për shpëtimtar. Populli i frikësuar ka nevojë për mbrojtje. E mbrojtësi është ai, Gruevski, që me figurat e mëdha të historisë botërore si Lekaj i Madhe në qendër të Shkupit do t’i bëj ballë ekspansionizmit shqiptarë. Nëpërmjet figurave të tjera që kanë vendlindjen në Greqi, Bullgari e Serbi do t’i mbrojë maqedonasit nga popujt tjerë fqinjë. Por e vërteta është se gjithë këta nuk do t’u bëjnë ballë proceseve shoqërore që funksionojnë në bazë të ligjeve natyrore. Ata në instancë të fundit mund vetëm t’ia zgjasin atij jetën në pushtetet. Ai ka nevojë për një popull të frikësuar. Nëse nuk ka rrezik, nuk ka frikë. Populli pa frikë nuk ka nevojë për mbrojtje, nuk ka nevojë për Gruevskin. Ai ka nevojë për kërcënime verbale e jo rrezik reale. Ai, Cërvenkovskin nuk e sheh si rrezik. Ai atë e dëshiron si kundërshtar politik. Ai e din se një ish kryetar shteti që ka rrogë prej 1500 euro, kabinet, shofer e mbrojtje personale nuk mund të identifikohet me llum-proletariatin. Ai i frikësohet atij punëtori që e kalon muajin me 200 euro, atij studenti që nuk ka para të blejë sanduiç në mëngjes, atij fshatarit që nëse nuk bie shi nuk ka bukë për familjen, atij pensionisti që nuk ka pare t’i paguajë faturat. Ai atyre u frikohet. Ai nuk frikohet edhe nga do kolumnista që shajnë e piskasin nëpër gazeta me pure cigare në gojë. Ai shumë mirë e di nga i vjen rreziku. Andej, edhe gjitha mjetet buxhetore i orienton në dy drejtime. I subvencionon grupet më të rrezikuara në shoqëri, si bujqit, studentët e pensionistët për t’u siguruara se ata nuk do të dalin në rrugë. Ata janë rreziku real. Kurse nga ana tjetër ndërton figura bronzi e gipsi që në të njëjtën kohë t’i provokoj armiqtë dhe ta sigurojë popullin maqedonas nga po ata armiq të imagjinar. Frikës imagjinare i përgjigjen figurat mitike si ajo e Lekës së Madh. Ai e din edhe rrezikun tjetër, atë që vjen nga shqiptarët. Këtë frik ai kurrë nuk e shprehe haptas, por bën sikur e neglizhon. Atij i duhet edhe një luftë verbale me ta. Ai do që shqiptarët ta ngrenë zërin por jo edhe grushtin. Se megjithatë ai nuk është politikan naiv dhe pa pragmatizëm është përdëftuar disa herë. Ai ka ditur mirë t’i dallojë se kur shqiptarët e ngrenë zërin dhe e ulin dorën dhe kur e bëjnë të kundërtën. Kur ata bëjnë çallëme folklorike, ai poenton, kur ata kërcëllojnë dhëmbët, ai lëshon. Ngritja e dorës për rastin e enciklopedisë, ndërtimit të kishës në qendër të Shkupit, futjen e gjuhës maqedonase në klasën e parë, rasti i Sopotit e bënë atë të sprapset nga këto projekte. Asnjeri prej këtyre projekteve që bujshëm u paralajmëruan nuk po realizohet. Bile edhe projekti Shkupi 2014 që kishte filluar realizimin më herët gradualisht, por me siguri po zbehet. Ridefinimi i projektit me disa figura shqiptare dhe me sheshin Skënderbeg, tregon se ai nuk është i gatshëm për konflikt të hapur me shqiptarët. Ai ka rrezik real vetëm nga shqiptarët me dorën lart e zë të ulur. Ai e ka lexuar mirë mentalitetin dhe kapacitetin shqiptar. Ai e di se ne ndoshta nuk dimë të ndërtojmë, por mund të rrënojmë. Ai gjithashtu e di se koha e shqiptarëve si rrënues ka kaluar. Tani roli i tyre në rajon duhet të jetë ndërtues. Andej në momente edhe duket se e neglizhon rrezikun nga shqiptarët, por jam i bindur se ai nuk e harron. Kjo është formula e sundimit të Gruevskit.

Faktori i dytë është oligarkia maqedonase. Kjo e fundit që kapitalin e vet nuk e fitoi në rrethana të një ekonomie të tregut, por e grabiti nga një privatizim tejet problematik nuk është e gatshme për konkurrencë. Ajo bën çmos që pozicionet e monopolit që i ka fituar t’i mbajë. Ata në forma të ndryshme, duke financuar mediume të shkruara dhe elektronike si dhe parti politike mundohen t’i kontrollojnë rrjedhat politike. Këta oligarkë nuk kanë ndonjë ideologji. Ata organizohen dhe rigrupohen kur u rrezikohet biznesi. Riziku mund të jetë nga konkurrenca e brendshme që krijohet si rezultat i ndërrimit të elitave politike në pushtet, por edhe nga tendencat për depërtim të kapitalit të jashtëm. Ata nuk duan konkurrencë, ata nuk duan investime të jashtme, ata nuk duan integrime në EU. Për këtë çështje ata bëjnë krushqi me çdo parti e ideologji. Ata bëjnë çmos që situata e status quos të vazhdojë.

Faktori i tretë është opozita maqedonase. LSDM-ja nuk arriti të promovoj një lider të ri modern me orientime liberale dhe pa bagazh nga e kaluara. Ata shpëtimin e kërkuan në ish liderin e tyre. Periudha e kambekut politik e Cërvenkovskit mund të karakterizohet me këto elemente. Ai arriti ta bashkojë oligarkinë dhe një pjesë serioze të mediumeve në një propagandë kundër Gruevskit. Arriti të krijojë një antipati të madhe tek shqiptarët kundër Gruevskit. Nuk arriti që opinionin kundër Gruevskit ta bëj për vete. Ai bëri opinion kundër Gruevskit, por jo edhe pro tij. Gjitha sondazhet e posaçërisht këto të fundit tregojnë se ka rënie të Gruevskit, por jo edhe rritje të popullaritetit të Cërvenkovskit. Ka rritje të antipatisë tek shqiptarët për Gruevskin, por jo edhe simpati për Cërvenkovskin. Kjo situatë nuk garanton ndërrim pushteti me votë PRO Cërvenkovskit. Letra e fshehur e tij si duket është rebelimi i shqiptarëve kundër politikës së Gruevskit. Ai pret që këta ta bëjnë plasaritjen e nevojshme në pushtet. Me disa veprime, ai rrezikon të vihet në situatën e të zënit rob. Ai si duket ka një marrëveshje me disa oligarkë biznesi që tani ju rrezikohen pozitat nga neo-oligarkët e Gruevskit. Atyre ju ka ardhur thika në fyt. Ata bëjnë çmos që të lirohen nga kjo qeveri. Nuk e di nga i merr paratë një parti opozitare për spotet publicitare që emitohen në çastet më të shikuara nëpër TV. Duhet të jetë bërë grumbulli i madh i faturave pa paguar. Edhe sa do të bëhen gjer në zgjedhjet e ardhshme? Një dit ato duhet të paguhen. Kur dhe si? Është një pikëpyetje e madhe. Një çmim i lartë për popullaritet të ulët. Kjo është situata e Cërvenkovskit. Paramendoni ta merr pushtetin me këtë popullaritet kaq të ulët dhe të bëjë një koalicion me shqiptarët, siç deklarojnë disa analistë. Të supozojmë se ai do ta donte atë! A mund ta merrni me mend sesi do të reagonte një parti maqedonase me e madhe në opozitë sesa ajo në pushtet. Aq më tepër kur ajo aq shumë ka investuar në radikalizmin e çështjes së emrit për arsyet e lartpërmendura. Ajo do të impononte një rënie më impozante që i është bërë ndonjëherë një qeverie. Por, cili do të ishte reagimi i atyre që tani derdhin miliona për ta sjellë Cërvenkovskin në pushtet? Nuk e besoj se ata që tani financojnë ta bien në pushtet, do t’i lejonin ta humb pushtetin për çështje patriotike. Ai edhe vetë nuk do ta bëjë atë. Andaj unë më tepër besoj se ai është në pozitë të zënë. Ai është rob i dëshirës për t’u kthye në pushtet dhe mungesës së popullaritetit që duhet ta blejë me para. Ideja është e dështuar.

Faktori i katërt është paaftësia e faktorit politik shqiptarë. Ata për momentin i kanë të bllokuara figurat e shahut. Ata nuk kanë partnerë në lojë. Ata nuk dinë që pionin ta nxjerrin damë. Situatën e bën edhe më të rëndë amatorizmi politik. Tani kur folklori politik ka mbaruar shihet boshllëku i resurseve njerëzore për të bërë politik institucionale, sistematike dhe moderne. Deklarimi pro UE është orientim strategjik, por me politikë folklorike nuk arrihet. Në lojën me rregulla politike evropiane për këto elita politike nuk ka vend. Andaj ata do të ndihen më komod në Maqedoninë e izoluar. Siç shihet, ata që duken si shpëtimtarë të situatës janë në fakt pengmarrës të shtetit. Si do të lirohemi nga këto pengmarrës është pyetje që kërkon përgjigje. Sondazhet më të fundit treguan se hallka më e dobët është Cërvenkovski. A do të nisë aty çlirimi?! Nuk e besoj. Presim të shohim.