Fisnik NUHIU
Shkup, 3 tetor – Sportistët shqiptarë vazhdimisht anashkalohen sa u përket shpërblimeve adekuate, fillimisht nga federatat përkatëse e pastaj edhe nga vet institucionet shtetërore. Ankesat kanë ardhur nga vetë veteranët e sportit, por edhe nga lojtarë aktiv. Raste janë të shumta, dhe në mesin e tyre janë edhe disa sportist të mirënjohur botëror, të cilët i kanë dhënë më shumë shtetit me sukseset e arritura në arenat e ndryshme ndërkombëtare, se sa vet shteti ka bërë për ta. Në mesin e tyre janë legjendat e mirënjohura të sportit shqiptarë, si Shaban Tërstena, Shaban Sejdiu, Aziz Salihu, Mentas Allajbegun dhe në kohën më moderne karateisti Berat Jakupi, i cili ende kërkon bursën e merituar në bazë të sukseseve të arritura në skenën ndërkombëtare. Mirëpo, gjërat nuk funksionojnë ashtu siç duhet në sport, lëvizin ashtu edhe si në sferat tjera shoqërore. 
Agjencia për Rini dhe Sport ka një rregullore në bazë të së cilës nderohen sportistët dhe shpërblehen financiarisht, por vetëm pasi të kenë kaluar filtrat e federatave përkatëse. “Të gjitha sportet, përkatësisht federatat e Futbollit, Hendbollit, mundjes etj., kanë kuota të caktuara nga Agjencia për Rini dhe Sport, ndërsa zgjedhjen e sportistëve të dalluar nuk e kryen ARS-ja, por federatat në bazë të të arriturave për vitin përkatës. Do të thotë ne vetëm kryejmë shërbime administrative dhe mbulojmë anën financiare”, thotë zëvendëskryetari i Agjencisë për Rini dhe Sport, Fevzi Mani. Ai lë të kuptohet se kriter bazë për investimet në sport janë rezultatet dhe jo përkatësia etnike. “Arsye për një gjë të tillë janë aktivitetet e shumta të cilat realizohen në bazë të rezultateve-normave, të cilat janë të caktuara paraprakisht, e assesi në bazë të përkatësisë etnike. Mund të përmendim për shumë projekte, të cilat investohet në komunat me shumicë shqiptare, pikërisht për ta ndihmuar sportin”, thotë ai.

Tërstena: Nuk më dhanë as biçikletë
Mirëpo sportistët kanë vështrime të ndryshme për këtë çështje. Shaban Tërstena njihet si mundësi më i suksesshëm në ish-Jugosllavi dhe kohën më modernë të mundjes në Maqedoni. Ai është fituesi i medaljes së artë në Lojrat Olimpike në Los Anxhelos në vitin 1984 dhe medaljes së argjendit në Lojërat Olimpike në Seul, në vitin 1988. Kampion i Evropës në vitin 1984, dhe fitues i medaljes së argjendit në vitin 1983, 85, 86 dhe fitues i medaljes së bronzit në vitin 1982 dhe 1988. Të gjitha këto suksese janë një bazë e mirë për mbështetje nga shteti, por realiteti është ndryshe, thotë ai. “Me gjithë këto medalje që fitova, nuk kam arritur që të fitojë asgjë nga shteti jugosllav dhe ai maqedonas. Çka më dhanë që të kem kujtim nga shteti, nuk më dhanë as banesë për të jetuar, nuk më dhanë as veturë, nuk ishin në gjendje së paku të më japin edhe një biçikletë. Kjo me të vërtet është për mjerim. E kur një sportistit të madh nuk i kanë dhënë asgjë, çka presin sportistët tjerë shqiptarë nga shteti. A thua kush është fajtor për të gjitha këtë që shteti nuk ndihmon sportistët shqiptar? A thua nuk ndihmohemi vetëm pse jemi shqiptarë? Unë asnjëherë nuk pranova asgjë nga shteti, e disa sportistë të tjerë kanë arritur që të ndihmohen nga shteti, por klubi Liria dhe unë, asnjëherë”, thotë Shaban Tërstena, drejtori i Klubit të Mundjes “Liria”.
Azizi ende me qira
Në drejtim të njëjtë është edhe boksieri Aziz Salihu, i cili tani ndihmohet me një të tretën e rrogës mesatare në Maqedoni, për të arriturat e deritanishme në sport. “Kam bërë çmos që në Maqedoni sporti të bëhet i popullarizuar. Nuk e kam të qartë pse shteti i Maqedonisë nuk e ndihmon aq shumë sportin. Siç e dini të gjithë shtetet e tjera i ndihmojnë sportistët e vet, i ndihmojë sportistët që të sigurojnë pension nacional. Për herë të parë në karrierën time, jam duke marrë diçka nga shteti, për here të parë Azis Salihu fiton diçka nga shteti – i marrë 400 euro në muaj. Po ju më tregoni se si mund të jetojë sportisti i shekullit, sportisti që ka shumë medalje dhe mund me jetu me 400 euro. Si mund të jetoj kur jam pa banesë, jam me qira. Kjo është turp për sportin. Kam dëshirë që sportistëve tjerë mos tu ndodh kjo çka me ka ndodh mua”, tha Azizi. Ai vazhdon të jetojë me qira në Prishtinë, ndërsa përkundër investimit sportiv edhe në Maqedoni, këtu nuk ka pasuri të patundshme.

Allajbegu rikujton kohët e vjetra
Ndërkohë Mentas Alajbegu, trajneri i mirënjohur shqiptar i mundjes bën një dallim interesant se si është ndihmuar sporti në të kaluarën edhe nga individët. Ai tani ka mbetur pas asnjë ndihmë të shtetit, kurse prej viteve 70-ta sukseset më të mëdha në sportin e mundjes shqiptare i dedikohen atij. Alajbegu gati 10 vite është jashtë sportit por nuk harron kohën e “artë”.
“Siç jam duke dëgjuar nga të tjerët për sportin këtu në Maqedoni, nuk janë edhe aq të kënaqur, pasi shteti nuk është duke e dhënë ndihmën e duhur dhe nuk janë të mbështetur sportistët aq sa duhet mbështetur. Do të ishte mirë që sportistë të ndihmohen sa më shumë nga shteti, po ashtu edhe klubet e sporteve, qoftë të mundjes, futbollit basketbollit e tjerë. Deri sa unë sa kam qenë i aktivizuar në sport në atë kohë, nuk i kemi pas të gjitha këto probleme, siç i kanë tani, sportistët e ri dhe klubet. Kur isha unë tek Klubi i Mundjes ‘Liria’, nuk i kishim këto probleme, pasi në atë kohë kishim drejtorin e klubit Mitat Salihu, i cili nga xhepi i vet mbulonte harxhimet e klubit. Individët e tjerë kanë ndihmuar klubin, i kanë lehtësuar shumë punën menaxherëve të klubit. Shpresoj se sa më shpejtë të kthehet sporti në vendin ku ka qenë atë kohë”, tha Mentaz Alajbegu.

Fevzi Mani
Statusin e pensionistit në ARS e kanë këta sportistë: Shaban Tërstena me vlerë 1.5 nga rroga mesatare, Shaban Sejdiu me vlerë 1.4 nga rroga mesatare dhe Aziz Salihu me vlerë 1.3 nga rroga mesatare. Për Mentaz Allajbegun si trajner i shquar i cili ka arritur rezultate shumë të larta në të kaluarën, sidomos në sportin e mundjes, shteti nuk ka paraparë deri më sot ndonjë mirënjohje të merituar për këtë kategori të punëtorëve sportiv

Shaban Tërstena
E kur një sportistit të madh nuk i kanë dhënë asgjë, çka presin sportistët tjerë shqiptarë nga shteti. A thua kush është fajtor për të gjitha këtë që shteti nuk ndihmon sportistët shqiptar? A thua nuk ndihmohemi vetëm pse jemi shqiptarë? Unë asnjëherë nuk pranova asgjë nga shteti, e disa sportistë të tjerë kanë arritur që të ndihmohen nga shteti, por klubi Liria dhe unë, asnjëherë

Azis Salihu
Nuk e kam të qartë pse shteti i Maqedonisë nuk e ndihmon aq shumë sportin. Siç e dini të gjithë shtetet e tjera i ndihmojnë sportistët e vet, i ndihmojë sportistët që të sigurojnë pension nacional. Për herë të parë në karrierën time, jam duke marrë diçka nga shteti, për here të parë Azis Salihu fiton diçka nga shteti – i marrë 400 euro në muaj. Po ju më tregoni se si mund të jetojë sportisti i shekullit

Mentaz Allajbegu
Siç jam duke dëgjuar nga të tjerët për sportin këtu në Maqedoni, nuk janë edhe aq të kënaqur, pasi shteti nuk është duke e dhënë ndihmën e duhur dhe nuk janë të mbështetur sportistët aq sa duhet mbështetur.
Do të ishte mirë që sportistë të ndihmohen sa më shumë nga shteti, po ashtu edhe klubet e sporteve, qoftë të mundjes, futbollit basketbollit e tjerë

ARS “joshi” pjesërisht legjendat
Çka në të vërtetë ka bërë shteti për legjendat e sportit si Aziz Salihun, Shaban Trstena, Shaban Sejdiu dhe Mentaz Allajbegu? Në këtë pyetje drejtpërdrejt përgjigjet zëvendësdrejtori i ARS-së Fevzi Mani, i cili thekson se u ka dhënë vendime pensionimi për sportiste të cilët në të kaluarën kanë dhënë kontribut të madh me angazhimin e tyre në sport. “Unë nuk them se ia ka shpaguar shteti mundin këtyre yjeve të sportit, as që do të mund ndonjëherë. Kur them kështu mendoj për peshën e kontributit të dhënë nga ana e tyre. Megjithatë është një gjest i merituar për këtë kategori sportistë të mëdhenj. Statusin e pensionistit në ARS e kanë këta sportistë. Shaban Tërstena me vlerë 1.5 nga rroga mesatare, Shaban Sejdiu me vlerë 1.4 nga rroga mesatare dhe Aziz Salihu me vlerë 1.3 nga rroga mesatare. Për Mentaz Allajbegun si trajner i shquar i cili ka arritur rezultate shumë të larta në të kaluarën, sidomos në sportin e mundjes, shteti nuk ka paraparë deri më sot ndonjë mirënjohje të merituar për këtë kategori të punëtorëve sportiv”, thekson zëvendësdrejtori i ARS. Fevzi Mani.