Patriot LUMANI
Strugë, 29 shtator – Nga viti në vit numri banorëve rezident shqiptar në Komunën e Strugës po vinë duke u pakësuar. Ndërkohë rritet numri i shqiptarëve nga Struga që jetojnë në mërgim, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera tejoqeanike. Sipas të dhënave të marra në Zyrën e gjendjes civile që mbulon fshatrat Ladorishtë, Frëngovë, Shum, Zagraçan dhe Kalishtë, lokalitete këto që banohen vetëm me shqiptarë, rezulton se janë regjistrua rreth 120 fëmijë të lindur që së bashku me prindërit jetojnë jashtë Maqedonisë. Ndërkohë, numri i fëmijëve të lindur nga prindër rezident në këto fshatra nuk e kalon as gjysmën e numrit të fëmijëve që kanë lindur në botën perëndimore.
Referenti në Zyrën e gjendjes civile, Afrim Memush, tregon se mërgimtarët zakonisht gjatë muajve të verës kur i kanë pushimet, vijnë dhe i regjistrojnë fëmijët e tyre në Strugë.
“Ka disa vite që numri fëmijëve të regjistruar në Zyrën tonë nga prindër që jetojnë jashtë Maqedonisë sillet rreth 120 për çdo vit.
Ndërsa, regjistrime të tjera nuk kemi, sepse lindje në kushte shtëpie nuk ka”, thekson ai. Që kjo tendencë nuk është e izoluar dhe vetëm në fshatrat e kësaj ane, por prezentë në të gjithë vendbanimet shqiptare në Strugën, konfirmohet edhe nga të dhënat në Zyrën e gjendjes civile në Veleshtës, që mbulon edhe Tateshin e Epërm dhe të Poshtëm si dhe Dobovjanin. Sipas të dhënave të marra nga Zyra e vendit në Veleshtë, rezulton se në të janë regjistruar rreth nëntëdhjetë e pesë fëmijë të lindur në botën e jashtme nga prindër me origjinë nga këto fshatra. Nëpunësi Amedan Mena sqaron se të regjistruar të tjerë nuk ka, sepse fëmijët e lindur nga prindërit rezident regjistrohen atje ku lindin, respektivisht në Spitalin e Strugës dhe në gjendjen civile të qytetit. Në këtë kontekst të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve rezident shkojnë edhe të dhënat e marra nga Departamenti për arsim në Komunën e Strugës, të cilat tregojnë se numri i nxënësve që kanë filluar klasën e parë nga Veleshta është rreth tridhjetë e tetë nxënës, ndërsa fëmijët që kanë filluar klasën e parë në fshatrat Ladorishtë, Frëngovë, Kalishtë, Shum dhe Zagraçan së bashku nuk i kalojnë shtatëdhjetë nxënës.
Ndërkohë, në gjithë territorin e Strugës janë evidentuar gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë nxënës që sivjet kanë filluar klasën e parë. Para disa viteve, numri i filloristëve ishte 1500. Kjo tregon se vit për viti numri i nxënësve shqiptarë shënon rënie me ritme të shpejta. Një tjetër e dhënë që konfirmon këtë realitet është edhe konfirmimi nga reparti i lindjeve në Spitalin e Strugës, ku nga 616 lindjet të kryera vitin e kaluar, vetëm 40 për qind e fëmijëve janë të përkatësisë shqiptare.