Blerim SINANI-Ajo që më nxiti të them edhe unë ca “thashetheme” ishte lajmi bombastik medial për  “miksimin” dhe “reformimin” e shërbimeve sekrete të shtetit – atë të Agjencisë për zbulim dhe të Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, e cila gjendet në kuadër të MPB-së. Plotësisht pajtohem me disa komente që këtyre ditëve jepeshin nga ekspertë të ndryshëm se kjo iniciativë e MPB-së të RM-së i ngjan medaljonit – njëra anë çdo herë dukët më e bukur gjë që në esencë është identike. Agjencia e zbulimit është e themeluar me ligj dhe daton prej viti 1995 e që ishte nën juridiksion e udhëheqje të kryetarit të shtetit. Kjo Agjenci tentoi që të zë vendin e tij të merituar në unionin e familjeve të shërbimeve sekrete botërore.Deri diku ky qëllim dhe synim kishte filluar të efektuojë rezultate dhe besim. Jo që ishte aq efikas por në një farë dozë bashkëpunimi të detyruar me shërbimet partnere sekrete evropiane e sidomos ato rajonale, por më së shumti kishte shërbyer si korrigjues dhe vërtetues i informacioneve të mbledhura në teren  nga shërbimet që ose ishin këtu ose silleshin përreth. Atë kohë (1995-1999) shef i Agjencisë për zbulim (AZ) ishte vet kryetari z.Kiro Gligorov. Aktivitetet dhe bashkëpunimi shërbimeve të huaja në vendin tonë me AZ-në dhe pasiviteti apo miratimi i një bashkëpunimi të tillë nga ana e Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim (DSK) tregonte qartë se gjithçka shkonte mirë.
Në planin e brendshëm gjatë viteve 1992-1998, edhe pse ndodhën shumë gjëra ende të pashpjeguara dhe analizuara sikur ajo e Livadhisë, Bit-pazarit, UT-së apo ajo e Gostivarit e tj. Shteti funksiononte në mënyrë perfekte dhe qytetarët veçmë kishin filluar që të ndërtojnë shprehitë e tyre plurale-demokratike.
Ajo që dridhi dhe lëkundi këtë idilë politike-shtetërore por edhe shërbimeve në fjalë ishte ardhja në pushtet e partisë VMRO-DPMNE. E njëjta parti gati një dekadë ishte opozitë dhe nga platforma e tyre partiake paralajmëronte një politikë shumë më ndryshe se ajo që ishte viteve 1990-1998 dhe e papëlqyer nga strukturat individuale të këtyre shërbimeve. Ndodhën disa përpunime operative si “Zogu i kaltër” dhe ” Strofulla”. Tani AZ në periudhën e një politike të re kishte mbetur vetëm me kryetarin e shtetit dhe pa dashurinë e vërtetë të DSK-së, e cila tani më kaloi  nën ombrellën e qeverisë gjegjësisht asaj te MPB-së, e që tani gjërat ishin bërë shumë më interesante dhe të rezervuara.
Kryetari i shtetit ishte mbështetur nga LSDM-ja, në njërën anë, dhe kryeministri nga ana e VMRO-DPMNE, në anën tjetër.
Ky solucion politik që u krijua e krijoi për herë të parë edhe një “kohabitacion” të heshtur mes AZ dhe DSK. Ecuria e aktiviteteve të këtyre shërbimeve sekrete ishte e distancuar për nga forma por në esencë, gati asgjë nuk kishte ndryshuar. Të gjithë apo gati të gjithë të punësuarit operativ, udhëheqës dhe me përjashtime të vogla nga një apo dy kuadro partiak që vendoseshin si drejtor apo ndihmësa të tyre, ata ishin të njëjtë.
Zanafilla e karrierave të tyre profesionale fillonte diku viteve 80-ta e këndej, gjë që aspak s’kishte rëndësi se kush e drejton AZ-në e kush DSK-në. Kush kujt cilës parti i takon. Këtu ishte prezent kodeksi i nderit apo thjeshtë thënë “Kodi i Heshtjes Absolute”.
Ndoshta tentativa viteve 1999-2000 ishte që të rrumbullakohet ky rreth i dominimit ndaj këtyre dy shërbimeve sekrete kruciale nga ana e partisë që kishte formuar qeveri, ajo e VMRO-DPMNE-së. Por, “Heshtja absolute” ishte më e fortë dhe më dinake. Në planet operative-taktike bënin kinse diçka punonin por ajo ishte thjeshtë vetëm një garë vjeljesh poenash politik për ripozicionim dhe rikthim të fuqive të humbura apo të përgjysmuara në fushën e këtyre shërbimeve. Si thonë, nëse tre persona luten për një gjë të njëjtë lutja e tyre ka gjasa që edhe të realizohet. Pra ndodhi lufta e Kosovës, konflikti i 2001-shit dhe qeveria e re në 2002, në krye me LSDM-në.
Në aspektin kronologjiko-politik shërbimet sekrete temë të vetmen e kishin se kush do të formojë qeveri. Andaj gjërat vajtën kështu: kishim kryetar shteti i LSDM-së me qeveri të udhëhequr nga LSDM-ja.(91- 98-99) Mandej kryetari i shtetit i LSDM-së me qeveri të VMRO-DPMNE-së (99-02). Vijoi që kryetar shteti të bëhet i një mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja por me qeveri të LSDM-së. Ajo që thash pak më lartë për lutjen e tre personave edhe si duket u realizua. Kryetari i shtetit z.Boris Trajkovski pësoi në aksident tragjik. Sot e kësaj dite ende me saktësi nuk dihet pse vajti puna keq. Më në fund u kompletua prapë pushteti i kryetarit të shtetit, me premier të qeverisë dhe me drejtorë të devotshëm partiak te AZ-së me z.V.Popovski, z. D.Dimovska, z. G.Cvetkovski, z.L. Kitanovski etj., dhe DSK me z.Velickovski, z.G. Mitevski (VMRO-DPMNE), z.S. Avramovski(LSDM). Efektivi operativ edhe pse ideologjikisht i dobësuar prapëseprapë u akomodua në situatën e krijuar rishtazi. Gjithçka u nis nga e para. Me një fjalë duke u politizuar një institucion profesional si ai i AZ dhe DSK të njëjtit edhe pse të obliguar me ligj dhe norma morale humbën kohë shumë me vlerë dhe të pakthyer. Logjika e gjërave që ishin në lëvizje të shtynë që të mendosh kështu sa që njëri nga ata brenda pak sekondave humbi kafshatën e gojës vetëm e vetëm pse e simpatizonte një opsion politik partiak. Ky unifikim i interesave partiake dhe individuale që identifikoheshin po me këtë parti (LSDM-në) e që gjendeshin brenda këtyre shërbimeve sekrete, nuk kursenin asgjë vetëm e vetëm të jenë aty ku janë. Por viti 2006 ishte vit që VMRO-ja definitivisht e kuptoi lojën mashtruese e të legjenduar mirë të LSDM-së, lojë me shumë kombinime të dyfishta por ndoshta edhe të trefishta operative. Tani më AZ ishte vetëm një term që frikonte “arushë me shoshë” gjë që shefi i saj diku viteve 2008 në një rast dhe publikisht pat deklaruar dhe pranuar se ai më shumë informohet nga vetë gazetarët me shkrimet e tyre mediale  se sa nga Agjencioni që ishte i paguar nga parat e qytetarëve ta bëjë atë punë. Njëkohësisht, edhe me ligj i obliguar.
Konceptuimi esencial i kësaj loje pa fund që rifilloi LSDM-ja viteve 90, partia në pushtet (VMRO-DPMNE) në të gjitha nivelet sa i përket shërbimeve sekrete më me përgjegjësi filloi ta realizojë vitin e kaluar, kur solli ligjin për bazën e informacioneve kriminalistiko-zbuluese. Parashtrohet pyetja: Po shqiptarët aty ku janë dhe si janë? Në fillim ishin pothuaj, asnjë. Mandej u bënë ca, por gati pa sy dhe pa vesh. Mandej “artificialisht” u krijua  institucioni i zëvendësve të drejtorëve që drejtonin këto shërbime, funksione virtuele sa për dozë shprese pë raporte pozitive evropiane në këtë fushë dhe asgjë më tepër.
Ndoshta ka një drejtor i ndonjë direksioni të këtyre shërbimeve, por siç thotë ajo e thëna popullore: Me një lule nuk qelën pranvera. Zëvendësit?
Ata janë persona të “lindur netëve të mëdha” që u ka rënë sëpata në mjaltë. Veç një rroge të majme, veturë e klasit të mesëm dhe celular me limit goxha të mirë, gjë fare nuk kanë.
Pra nisma e kësaj qeverie për fuzionimin-mbledhjen tok të shërbimeve sekrete nën ombrellën e MPB-së është për ta përshëndetur, efekti si qëllim primar do jetë i nivelit të lartë dhe kostoja e mbajtjes së kondicionit operativ e arsyeshme.
I gjithë paradoksi që nëse ndodhë ky ribashkim do të jetë i orientuar si kapituj më vete që ish kryetari i shtetit viteve 2003-2008 z.Branko Cërvenkovski, lider partiak e pushtetmbajtës i viteve të hershme, tani më lider i reformuar i LSDM-së do t’i analizojë dhe belbëzojë disa gjeste të tija personale. A thua pse unë nuk e bëra këtë që tani po bëhet. Jo që ai do të jetë i rrezikuar me jetë por rejtingu i partisë së tij edhe shumë vite do ngelë aty ku tani është. Mundej të poziciononte shqiptarë në këto shërbime deri sa ishte 2 herë kryeministër qeverie, kryetar shteti dhe nuk do lejonte që t’i ndodheshin “zogu i kaltër”, “Gostivari” apo “Bit-pazari”. Por, a është vonë?
Shpresa e vetme e tij është- pendimi. Së pari herë ndaj qytetarëve maqedonas për tranzicionin e devijuar e mandej ndaj neve si shqiptarë, gjë që kohëve të fundit kam filluar më shpesh të dëgjoj fjalë pendimi. Shpresa tjetër është tek interesi strategjik global (amerikan, evropian) ku me makineritë e tyre të rrjeteve të sheshta të shërbimeve sekrete do t’i kundërvihen këtij koncepti të ri shërbimi të vendit tonë nëse kryeministri aktual z.Nikolla Grujevski e luan lojën keq. Nëse ka të tillë e të thonë se si do të funksionojë gjithë ky arsenal i fuqishëm shtetëror-shërbimet sekrete, kush do i kontrollon dhe si do të punojnë, përgjigje të saktë, të detajuar dhe konkrete s’do marrin. E dini pse?
Sepse kodi i “heshtjes absolute ” vlen çdokënd dhe ndaj çdokujt. 
Për këtë të fundit dashtë Zoti që ta kem gabim.
 
(Autori është ish-pjesëtar i Agjencisë për Zbulim, aktualisht magjistrant i shkencave politike)