Zejnulla VESELI
Shkup, 26 shtator – Përse nuk përfaqësohen proporcionalisht shqiptarët në strukturat udhëheqëse të Armatës së Maqedonisë? Kjo është pyetja që rishtazi është parashtruar viteve të fundit, por pa një përgjigje konkrete në emërimin në këto poste. Përveç partive opozitare, këtë problem e ka ngritur edhe vetë kreu i partisë shqiptare në pushtet Ali Ahmeti, kur ndër të tjera para do kohe pyeti se pse të mos jetë drejtues i ushtrisë edhe një shqiptar. Zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, pajtohen se përfaqësimi i shqiptarëve në funksione të larta në ARM, por edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, është i pamjaftueshëm. Ai garanton se tashmë janë bërë hapa konkret që të ketë ndryshime edhe në strukturën udhëheqëse të ARM-së. “Po bëhen përpjekje serioze që të shtohet përfshirja e shqiptarëve në postet kryesore Ministrinë e Mbrojtjes dhe ditë më parë janë pranuar dy shqiptarëve, që së shpejti pritet të ushtrojnë detyrën e këshilltarëve shtetëror. Ndërsa sa i përket emërimin e kuadrove profesionale në funksione kyçe në ARM, në mungesë të kuadrit profesional, tani për tani, kemi vetëm një shqiptarë që ushtron funksion të lartë”, thotë zëvendëskryeministri Abylaqim Ademi në një prononcim për “Koha”. Në të ardhmen, sipas Ademit do të bëhen përpjekje serioze që shtimi i numrit të shqiptarëve në ministri dhe ARM të jetë përcaktim kryesor i BDI-së si në aspekt e rritjes së numrit të punësuarve në ministri po ashtu edhe pjesëmarrjen e tyre në kuadrin udhëheqës në ARM.
Mirëpo edhe për kundër këtyre premtimeve, siç mund të vërehet edhe nga të dhënat e paraqitura më lart, me gjithë angazhimin e faktorëve relevantë shqiptarë ne pushtet, për shtimin e numrit të shqiptarëve në MB-në dhe ARM edhe më tej rezultate të mjaftueshme nuk po arrihen. Ndërkaq, nga Ministria e Mbrojtjes informojmë se shtimi pjesëtarëve shqiptarë në përgjithësi dhe atyre në postet udhëheqëse mbetet prioritet. “Përfundimisht me 1 shtator të këtij viti, në Ministrinë e Mbrojtjes gjithsejtë numri i të punësuarve kap shifrën prej 606 persona, prej të cilëve 12.5 për qind janë shqiptar dhe asnjë nga këto nuk ushtron funksion të lartë”, thotë Sasho Dimov, zëdhënës në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkaq, përfaqësimi i shqiptarëve në ushtri, sipas zëdhënësit të MM-së, arrin 22.01 për qind, prej të cilëve 109 janë nënoficer dhe oficerë. “Në detyra të larta udhëheqëse në ARM është emëruar një pjesëtar shqiptar, edhe atë si zëvendës i shefit të Shtatmadhorisë, kurse të tjerët janë të punësuar si oficerë, nënoficerë dhe persona civilë”, thotë zëdhënësi Dimov.
Mosemërimi i kuadrit profesional shqiptar në postet udhëheqëse të Mbrojtjes dhe ARM-së, sipas ish-zëvendësministrit nga PDSH, Iljaz Halimi, qëndron në paaftësinë e partisë shqiptare në pushtet. “Përfshirja e shqiptarëve në postën udhëheqëse në këtë ministri po ngec dhe këto dy vitet fundit partia në pushtet nuk ka bërë asnjë lëvizje në këtë drejtim, si në aspekt të shtimit të numrit të shqiptarëve dhe emërimin të kuadrit shqiptarë profesional në postet udhëheqëse”, thotë ai. Sipas ish-zëvendës ministrit Halimi, gjatë qeverisjes së PDSH-së në detyra të larta udhëheqëse ka pasur më shumë pjesëtarë të shqiptarëve, përmend postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Mbrojtjes, dy 2 gjeneralë në ARM, si dhe oficerë dhe nënoficerë.
“Me ardhjen në pushtet të BDI-së, në 9 sektorë që ka Ministria e Mbrojtës, shumica janë pjesëtarë të VMRO-së, pa asnjë shqiptar, ndërsa në Shtatmadhorinë ARM-së ka vetëm një shqiptarë, i cili kryen funksionin e zëvendës shefit”, thotë ish-zëvendësministri Halimi.
Ndryshe, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve gjithmonë ka qenë objekt përplasjesh mes BDI-së dhe PDSH-së rreth asaj se në kohën e cilës parti janë punësuar më shumë, por ajo që mbetet si realitet është se shqiptarët vazhdojnë të jenë të shpërfillur nga strukturat udhëheqëse të sigurisë.