Socialdemokratët gjermanë i hapin rrugë “koalicionit të madh”
Socialdemokratët i hapin rrugë formimit të koalicionit të madh qeverisës në Gjermani. Në favor të hapjes së negociatave votuan 362 delegatë nga 642 që morën pjesë në konventën e zhvilluar në Bon.
Votimin e paraprinë debatet e forta të dy grupimeve kundërshtare, mbështetësve dhe kundërshtarëve të koalicionit të madh.
Për kreun e socialdemokratëve, Martin Shulc, vetëm një qeveri e fortë gjermane mund ta mbajë gjallë ëndrrën europiane.
“Nëpër Europë po përhapet vala e të djathtës. Shihni qeverinë në Vienë, shihni Pragën, Varshavën, Budapestin. Kjo valë e të djathtës në Europë mund të ndalet vetëm përmes një qeverie gjermane që bazohet tek demokracia, të drejtat e njeriut dhe tek Bashkimi Europian. Prandaj dhe socialdemokratët duhet të hyjnë patjetër në qeveri”, u shpreh ai.
Por kritikët akuzojnë Shulcin se dështoi të impononte përfshirjen në marrëveshjen për koalicionin qeverisës, të dy pikave më të rëndësishme të programit të socialdemokratëve, rritjen e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit dhe shmangien e kufizimit të pranimeve të refugjatëve dhe emigrantëve deri në 200 mijë në vit, siç kërkuan socialkristianët.
Pritet tashmë të nisin brenda pak ditësh negociatat trepalëshe mes kristiandemokratëve, socialkristianëve dhe socialdemokratëve për formimin e qeverisë së re, që për bazë do të ketë programin e miratuar mes palëve në 12 Janar.
Baza socialdemokrate do të votojë sërish për strukturën e qeverisë së re, që pritet të jetë gati deri në muajin Mars.