Në Svillarë nxënësit bllokojnë rrugën, kërkojnë shkollë
Me thirrjet “duam shkollë” nxënësit e shkollës së djegur të fshatit Svillare sot iu kujtuan autoriteteve se edhe ata kanë të drejtë sikurse bashkëmoshatarët e tjerë, të ulen në bankat shkollore dhe jo të enden nëpër protesta për të kërkuar një objekt shkollor për të ndjekur mësimin. Nga Këshilli Koordinues thonë se bojkoti i mësimit do të vazhdojë deri kur të shohin fillimin e rindërtimit të objektit. “I bëjmë apel ministrisë së Arsimit dhe kryetarit të Komunës së Sarajit që sa më shpejt të marrin qëndrim dhe kërkojmë që sa më shpejt të miret iniciativa dhe të ndërtohet. Në qoftë se ata nuk marrin iniciativë si ministri, si komunë ose si Qeveri ne bojkotin do ta vazhdojmë” tha Rauf Mustafa nga Këshilli Koordinues. ”Unë jam babë i 3 fëmijëve dhe fëmijët e mi kanë 8 muaj që nuk kanë marrë libër në duar dhe çka do të bëhet halli i atyre? Atë duhet ta dijë ministria sepse ka para me vendosë luana e tigra dhe nuk ka para me ndërtua të thjesht në Svillare të Poshtme ku neve ka 9 muaj që nuk kemi shkollë” u shpreh një prind. Ndërkohë ministri i Arsimit Nikolla Todorov tha se është shpallur tender i dytë dhe tani është çështje ditësh fillimi i rindërtimit të shkollës. ”Unë do t’i lusja për mirëkuptim prindërit dhe atyre që sot shprehën revoltën… unë apelojë që të kihet mirëkuptim për atë se çfarë po bëhet brenda në ministri, pasi ne e kemi patjetër të respektojmë ligjet në Maqedoni dhe ne e kemi patjetër të respektojmë procedurat ligjore” tha ministri i arsimit Nikolla Todorov.
Televizioni ALSAT u përpoq të kontaktonte edhe me kryetarin e Komunës së Sarajit Blerim Bexheti lidhur me premtimin e tij bërë disa ditë më parë se nëse ministria e arsimit nuk do të rindërtojë shkollën, vetë ai nga buxheti i komunës do të financonte punimet. Por, Bexheti ishte i pakapshëm për median