image
Dhe janë të tri tipet e femrave tona në politikë aq joshëse, aq  sa meritojnë të respektohen nga masa.  Tek flas me njerëz, me miq e kundërshtarë kuptoj se jo vetëm që ka ndryshuar perceptimi mbi femrën në politikë por biles është avancuar dhe respekti për të

Nëse nuk fryn era, lundro! –e  thënë e Benxhamin Franklin në rolin e satiristit në këtë kontekts.Tek ne era ka ndaluar të fryjë një kohë të gjatë, të paktën në viset ku jetojnë shqiptarë, e që shumë pak vizitohen nga politikanët shqiptarë e pothuajse aspak nga politikanet shqiptare. Meqë politika zgjon kërshëri tek unë, me shumë andje ndjek dhe aktivitetin e gruas në politikë ose të asaj që është lidere në çështjet të cilat i promovon shoqëria civile. Çka ka ndryshuar në këtë mes?

Tek ndiqja fushatat elektorale të kandidateve tona nga secila parti shqiptare qofshin ato mbaj mënd të kem veçuar tre karaktere femrash në politikën shqiptare këtu: femra e cila konkurron bërje politikë përmes gjuhës së mashkullit në politikë, femra e cila konkurron bërje politikë përmes libidos seksuale që nuk e maskon as edhe para publikut dhe femra e cila rastësinë e pranisë së vet nëpër listat partiake  e ka kuptuar si dhuratën e pamerituar përjetësisht. E para bën garën për të krijuar përshtypjen në opinion se beteja e saj politike është unike; e dyta bën garën politike për të krijuar përshtypjen se femrat seksi megjithatë dinë të jenë të flakta dhe në foltore (paçka se ndojherë ja fusin kot!) dhe e treta bën garën politike për të krijuar përshtypjen se politikë mund të bëjnë edhe ato të cilat janë kopuk të patalentuara për këtë profesion por se me trajnim mund të mësojnë zanatin.

Dhe janë të tri tipet e femrave tona në politikë aq joshëse, aq  sa meritojnë të respektohen nga masa.  Tek flas me njerëz, me miq e kundërshtarë kuptoj se jo vetëm që ka ndryshuar perceptimi mbi femrën në politikë por biles është avancuar dhe respekti për të. E theksoj fjalën respekt , sepse votuesit nuk duan më të shohin femrën në politikë si elementin statik, por kërkojnë nga ajo substancën, kontekstin, rezultatin. 

Ajo çka më shtyri të flas në këtë temë është edhe një simbolikë feste në SHBA, prurja e Amandamentit 19 në Kushtetutën e SHBA-ve diku 1920, nëpërmjet të cilit amendament gruaja në SHBA fiton betejën e saj për të drejtë vote. Atëkohë ishte betejë për barazi, sot shihet ndryshe, trajtohet ndryshe, i jepet vlerë ndryshe. Kjo betejë zbriti edhe në vendet e globit , pothuajse gjithandej në formën e vet, por se sa kjo betejë arsyeton qëllimin e vet , megjithatë mbetet temë për debat.
Femrat tona në politikë, konceptin e barazisë megjithatë mund t’a përçojnë më dëlirë, më vlefshëm, më cilësisht më me dashje e me më përgjegjësi. Si votuese e tyre, kam dëshpërimin tim të thellë që asnjërën nga ato nuk i shoh të brengosen për fillimvitin shkollor, asnjërën nga ato nuk i shoh të përvjelin këmbkat dhe mëngat e të ecin terrenit të votueseve  ku shumica nga gratë shqiptare (sidomos ato të fshatrave ) kontaktin e vetëm me shpresën do e shihnin pikërisht tek këto gra deputete apo kandidate për deputete, dëshpërimin tim e shton edhe komoditeti i të gjitha atyre të angazhuarave nëpër forume partiake që nuk bëjnë më shumë se shkrimi i një kolumne, apo mbajtja e një press konference, apo dalja në një debat televiziv.

Dëshpërimi shtohet edhe më shumë kur nuk kujtoj as edhe një debat të vetëm në Parlament kur u soll ligji fashist mbi natalitetin , ligji mbi (jo)zyrtarizimin e gjuhës shqipe, mbi shkollat që nuk hapen , mbi ndarjen e buxhetit , mbi kulturën ,  mbi punësimet që nuk gjinden , mbi mijëra çështje të cilat kacavjerrin rrënjët e kësaj shoqërie mbrapsht e më mbrapsht. Ajo çka kujtoj unë nga këto gra është e folmja e tyre me tone populiste e me ngjyrime mashkullore, argumentimi nacionalist i një problemi shoqëror dhe asnjëherë iniciativa për të zbutur gjakra , për të bashkuar forca politike , për të ndërtuar vizionin përmes bërjes politikë, për të sfiduar edhe më shumë betejën e gruas e cila tek ne , na pëlqen ose nuk na pëlqen , është ende në fillimin e vet.

Nëse nuk fryn erë, lundro!- këtë do prisja të shihja nga gruaja shqiptare në politikë, përpjekja e saj për të sjellë ndryshimin e vogël kërkon rrugën e gjatë dhe mundimin e stërlodhshëm . Dhe unë jam e bindur se tek atëherë , do shijonte politika jonë më ndryshe , më me kuptim, më me motiv…, më me mëndje e logjikë androgjinie të fuqishme politike.
Kësaj radhe dilni ndryshe para nesh! Ju duam ndryshe!