Vërshime (pseudo)intelektualësh
Forca e një populli, zakonisht, vlerësohet sipas zhvillimit të tij arsimor. Shqiptarët në Maqedoni, qoftë në sistemin sllavo-komunist, apo në këtë, që e quajmë demokratik, kanë përjetuar çaste të vështira përbuzjeje, duke u detyruar të kënaqen vetëm më atë që u ka lejuar dhe u lejon “padroni”. Prandaj, jo rastësisht, me themelimin e Universitetit të Tetovës, ata u bënë si një, duke e mbështetur atë moralisht dhe materialisht. Nuk e zbrapasën as atëherë kur ai u përgjak dhe kur u quajt “fëmijë i porsalindur i vdekur”. Erdhi në shprehje uniteti i vërtetë dhe ai, me të drejtë u shndërrua në institucion të lartë arsimor të popullit. Të ndihmuar edhe nga universitetet simotra nga Shqipëria e Kosova, jo vetëm lëshoi shtat në rritën e tij, por u bë një vatër e vërtetë e dijes për brezat tanë të rinj.
Pas ngjarjeve të vitit 2001, nga presioni, që vinte nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, ndonëse tepër i cunguar, qeveritarët maqedonas u detyruan ta njohin Universitetin e Tetovës si një institucion shtetëror. Meqë krahas punës së këtij universiteti, kishte kohë që funksiononte edhe ai i “Shtulit”, për rininë shqiptare në këto hapësira, u hapën rrugët e shpresës se edhe për ta dija dhe mësimi universitar më nuk ishin rrugë të ndaluara si deri atëherë. Shi atëherë kur pritnim që universitetet të bëheshin gurrë e pashtershme e prodhimit cilësor të intelektualëve dhe të akademikëve të ardhshëm, do të vijë zhgënjimi, sidomos në USHT. Kjo ndodhi me ardhjen në pushtet të ish “çlirimtarëve”, të cilët nuk u kënaqën vetëm me ndarjen e pozitave, por u ngutën të shtinë në dorë edhe këtë institucion të rëndësishëm universitar. Nxorën nga naftalina “kuadro” dhe sa çelë e mbyllë sytë, do ta shndërrojnë atë në fabrikë të pakontrolluar diplomash. Nën presionin, kërcënimin e tyre shumë profesorë do të detyrohen që notat t’i japin jo sipas meritës studiuese e përgatitëse të studentëve , por sipas diktatit nga lart. Një numër mësimdhënësish, si të padëgjueshëm ndaj diktateve të tilla nga “lart”, ose u dëbuan ose u detyruan moralisht të ikin nga një mjedis i tillë. Të njëjtit pastaj u zëvendësuan me kuadër titujsh të dyshimtë shkencorë. Të tillët natyrisht zbutën zemrën dhe brenda një periudhe fare të shkurtër shumë nga “çlirimtarët” u pajisën me diploma fakulteti. Kjo ishte një e keqe. Të këqijat e tjera do të vijnë varg. Të njëjtit, për “meritat” në luftë, do të zënë vend në foteljet e buta të kabineteve prej nga “avancojnë” dhe “përparojnë” interesat tona politike e shtetërore në Maqedoni. Erdhën në këtë pushtet me votën e
popullit, i cili u besoj. Shpresuan t’i mbronin interesat e tyre ashtu siç i kishin fjalët sidomos në jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, si e mirë e garantuar nga ndërkombëtarët për përmirësimin e pozitës së shkelur të shqiptarëve në disa sfera të rëndësishme të jetës brenda një demokracie të proklamuar. Kaloi një mandat, asgjë e re. Përkundrazi. Nisën të dytin mandat me të njëjtat avaze, të cilat popullit shqiptar i shtrojnë rrugën e regresit dhe të degradimit në të gjitha sferat e jetës së zorshme. Tash gjithandej në popull thuhen e deklarohen hapur pakënaqësitë, sharjet, zhgënjimet… E vetmja “fitore” e pjesëmarrjes së kësaj klase politike shqiptare në Maqedoni shihet tek vërshimi i (pseudo)intelektualëve, të cilët për interesa të ngushta personale e partiake, bashkë me padronin e tyre pushtetar (VMRO-DPMNE) leçitin popullin shqiptar nga të drejtat e tyre më elementare politike,
ekonomike, kulturore, sociale…
Mbase kjo do të mund edhe të gëlltitet disi, i bindur se, më në fund, votuesit nuk do të mashtrohen më nga fjalët e mëdha e të zjarrta mëmëdhetare të atyre që më shumë e duan pushtetin dhe më pak e duan hisen e vetë të vendit dhe interesat vitale të popullit të tyre.
Shtrohet, megjithatë, pyetja: kanë apo nuk kanë shqiptarët në Maqedoni intelektualë të mirëfilltë? Nëse kanë, ku janë? Ku është zëri i tyre? Filozofi gjerman Fichte thotë se “intelektuali duhet të aplikohet për të mirën e shoqërisë; ai duhet t’i bëjë njerëzit të ndjejnë nevojat e tyre të vërteta dhe t’i njohë ata me mënyrat e plotësimit të kënaqësive të tyre”. Ndërkaq neokonservatori amerikan Norman Podhoretz intelektualët I sheh si “profesionistë, që merren me studimin, propagandimin dhe përhapjen e ideve, mënyrave të sjelljeve dhe ideologjive”. Kur analizohen këto thënie e shumë të tjera të ngjashme dhe i vë në kandar me intelektualët tanë që na përfaqësojnë, njeriu sikur ndjehet i trallisur. Nga ata që pret të reflektojnë mbarësi, ndodh e kundërta. Nga njerëzit me ambalazh, por pa brendi, as që mund të pritet më tepër. Injorantët gjithnjë reflektojnë injorancë. Ata
s’e kanë unin, s’e kanë personalitetin, pavarësisht me grada e diplomash stolisen jashtë rrjedhës normale të arsimimit. Prandaj Cërvenkovski, Gruevski apo kushdo që të jetë në krye të qeverisë në Maqedoni, nuk e kanë të vështirë të përzgjedhin injorancën e tillë shqiptare në ortakllëkun e tyre në pushtet. Kërkesat e kësaj injorance janë fare të thjeshta dhe kanë të bëjnë vetëm me faktin e ëmbël që të jenë në pushtet, duke rrëzuar për dhe interesat e votuesve të tyre. Para popullit të tyre shfaqen rraha-gjokës gati të tërbuar heroizmi, kurse në pushtet duken dhe bëhen pula fare të trembshme. Prandaj, ndodhi Sopoti, Brodeci e Radusha, ndodhi kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe, i traditës, i simboleve kombëtare, i historisë, arsimit, shkencës, kulturës… Në një situatë të tillë fare inferior të qëndrimit kaq vardisës të pushtetarëve tanë “intelektualë” do të ndodhin
edhe shumë dëmtime të tjera, mu ashtu siç ngjau ditë më drekë devijimi i plotë historik me “Shkupi 2014”.
Mbase është koha e fundit që intelektualët e mirëfilltë, me autoritet në jetën publike, të ngrenë zërin kundër deformimeve kaq të mjera të klasës sonë politike, duke ua hequr maskat kaq të sheshta të demagogjisë, duke i detyruar ata që të kërkojnë e të gjejnë forma të reja, me anë të të cilave do t’u mundësohet shqiptarëve të përfshihen në mënyrë të barabartë në vendimmarrjet e shtetit. Nëse do të vazhdohet t’u lihet edhe më tej kjo zvarritje e shëmtuar dhe kaq inferior këtyre pseudointelektualëve, të cilët janë kaq të pangopshëm dhe të paskuqur nga injoranca kaq e rëndë, ardhmëria shqiptare në Maqedoni do të zhytet edhe më shumë në zymtësi hakmarrëse dhe historikisht rrënuese.
