Kuvendi rrëzoi qeverinë e tij, reagon Kurti: Ishte porosia e ambasadorit Grenell
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka bërë reagimin e tij të parë në rrjetet sociale, pasi Kuvendi e rrëzoi qeverinë e tij mbrëmjen e djeshme.
Kurti nis shkrimin e tij duke thënë se “ishte rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë Vetëvendosjen dhe të ardhmen e Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i rrëzuar me 82 vota pro, shkruan se “ne do të fitojmë” dhe “e ardhmja është e jona”.
“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.
Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.
Ky Kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.
Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.
Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.
Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.
Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”, ka shkruar Kurti