Tadiqi befason partitë shqiptare
Bekim MURATI
Vizita e papritur e Presidentit serb, Boris Tadiq në Shkup dhe takimi me Presidentin Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruevski, ka hapur dilema. Të gjitha informacionet çojnë në atë se Tadiq ka hyrë në lëkurën e ndërmjetësit Metju Nimic për kontestin e emrit me Athinën. Por pyetja që lind është nëse Presidentit serb ka kredibilitet të ndihmojë në kontestin që ka shteti me Athinën, kur merren parasysh problemet e brendshme që ka ky shtet në oborrin e vet.
As në Kabinetin e kryeministrit Gruevski e as nga Kabineti i Presidentit Ivanov nuk dëshirojnë të komentojnë arsyet e vizitës së tij, dhe thonë se takimi ka qenë joformal dhe pa ndonjë agjendë të përcaktuar, përveç një darke që Ivanovi kishte shtruar për Tadiqin. Që ironia të jetë më e madhe për blic-vizitën e Tadiqit, nuk janë informuar as partitë politike shqiptare, duke bërë të ditur se nuk dinë se në çfarë misioni ka qëndruar në Shkup. Deri në momente të fundit vizita e Tadiqit, mbahej sekret, ndërsa vizita e tij u konfirmua në orët e pasdites së të mërkurës. Pas këtij takimi misterioz asnjëri nga dy presidentët nuk është prononcuar për mediet, ndërsa është publikuar komunikata në të cilën theksohet se takimi i dy presidentëve është vazhdim i dialogut politik në nivel më të lartë dhe i lidhjeve personale mes dy presidentëve, duke u pajtuar madje për bashkëpunim më intensiv në periudhën para Samitit të qershorit të Këshillit të Evropës. “Dy presidentët përsëritën domosdonë e integrimit të përshpejtuar të rajonit si parakusht kyç për stabilitet afatgjatë dhe paqe”, thuhet në komunikatën e Presidencës. Presidenti serb paraprakisht ishte pritur edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski në Qeveri. Në takim dy bashkëbiseduesit kanë përshëndetur marrëdhëniet e mira politike mes dy vendeve dhe është theksuar përkushtimi i përbashkët për ndërtimin dhe përparimin e tyre të mëtutjeshëm.
“Bashkëbiseduesit këmbyen mendime për modalitetet, masat dhe aktivitetet, të cilat dy shtetet i ndërmarrin në drejtim të tejkalimit të pasojave dhe sfidave nga kriza ekonomike botërore, ndërsa në funksion të rritjes ekonomike dhe zhvillimit dhe rritjes së prodhimit bruto të vendit. U theksuan përkushtimet dhe mundësitë për hapje të pikave kufitare të reja mes dy vendeve, me çka do të intensifikohej komunikimi i qytetarëve nga dy anët e kufirit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. Analistët politikë, duke komentuar vizitën e Tadiqit, thonë se vizita e tij nuk ka qenë pa mision dhe një ndër variantet në të cilat dyshojnë analistët është tentativa e Tadiqit për të ndërmjetësuar në kontestin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Analisti politik Alajdin Demiri, thotë se në asnjë mënyrë Tadiqi nuk mund të ndihmojë procesin e negociatave, pasi që ai dhe shteti i tij, Serbia “nuk ka asnjë kredibilitet ndërkombëtar për të ndihmuar ndonjë proces”.
“Ai nuk ka kredibilitet që të zgjidhë problemet në shtëpinë e vet e lëre më të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit disavjeçarë mes Athinës dhe Shkupit. Ai ka probleme serioze me Vojvodinën, tenton të bëjë presion për Kosovën, probleme me Sanxhakuhn… Problemi është se personi i shtetit më problematik të Ballkanit dëshiron të paraqitet si ndërmjetësues i një kontesti”, ka thënë Demiri, duke shtuar se ai dëshiron të shndërrohet në një politikan modern, i cili mund të zgjidhë çështje të mëdha.
Sipas Demirit, pala maqedonase nuk duhet të jetë naive dhe të besojë se Tadiqi mund të punojë në favor të tyre. Edhe analistja politike, Adelina Marku, thotë se Tadiqi dhe shteti i tij të cilin e përfaqëson, nuk kanë asnjë kredibilitet ndërkombëtar për të ndihmuar procesin.
“Nuk besoj se Tadiqi mund të zgjidhë kontestit, pasi që ai nuk ka asnjë kredibilitet për rolin e ndërmjetësuesit. Favoriti im do të ishte një ndërmjetësues nga Presidenca Obama. Logjikat lokaliste të Tadiqit, i cili mundohet të paraqitet si favorit në Ballkan, më duken jo vetëm false, por profitere të çastit. Marrja e rolit të telefonit të prishur nga ana e Tadiqit është një tentativë me të cilën dëshiron të vendosë veten në një pozitë të ndërmjetësuesit para ndërkombëtarëve. Ndërkombëtarët e kanë shumë të qartë politikën serbe, e cila ishte kundër gjithë botës. Nuk mundet që Tadiqi të ndërmjetësojë asgjë, përveç rolit të telefonit të prishur”, ka deklaruar analistja Adelina Marku.
Përndryshe, analistët dyshojnë se ky takim është një tentativë për të izoluar Kosovën dhe për të minimizuar takimin e presidentëve të rajonit të organizuar nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në fund të këtij muaji në Prizren.