Ahmadinejad shpërfillës ndaj KS-së
Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, thotë se Irani nuk do të pranojë bisedimet për programin bërthamor, nëse Këshilli i Sigurimit të OKB-së vendos sanksione të reja ndaj vendit të tij.
Ai paralajmëroi gjithashtu se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Brazili ishte një rast i vetëm dhe nuk do të përsëritej. Zoti Ahmadinejad, i ndodhur në Ankara me rastin e një takimi për sigurinë, i bëri thirrje Rusisë të mos mbante anën e armiqve të Iranit. Megjithëse Moska ka qënë shpesh e kujdesshme ndaj veprimeve të ashpra ndaj Iranit, e mbështet projekt-rezolutën e fundit të OKB-së. Presidenti iranian paralajmëroi se SHBA-ja do të humbte nëse kaloheshin masat e reja dhe i bëri thirrje presidentit Obama ta rishikonte qëndrimin. Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka rënë dakord për të vendosur sanksione të reja ndaj Iranit. Këto masa shtrëngojnë kufizimet financiare dhe inspektimet e dërgesave në Iran dhe edhe zgjerojnë një embargo të armëve. Diplomatët presin që sanksionet të votohen të mërkurën dhe ka pak dyshim që rezoluta do të miratohet. |
|||||
