Nëse bota do të zhytej në errësirë
Gabimet njerëzore, defekte strukturore, rrufetë, stuhitë dhe madje edhe kafshët. Arsye nga më të larmishmet mund të bëjnë që sistemi elektrik të ndalet. Dhe nëse ndodh …
Metrotë janë të mbushura me punëtorë që kthehen në shtëpi, rrugët plot me taksi të verdha dhe makina, ashensorët e rrokaqiejve të mbushur me njerëz … kur papritmas energjia elektrike ndërpritet. Eshtë ora 17.00 në pasditen e 9 nëntorit 1965. Qyteti i parë që “u fik” ishte Bostoni, pastaj Nju Jorku mbetet pa drita dhe gradualisht qindra qendra të tjera urbane, gjithsej tetë shtete amerikane në veri-lindje dhe shteti kanadez i Ontarios. Në vetëm 12 minuta, për shkak të një serie defektesh të nisura në hidrocentralin Sir Adam Beck në Kanada, rrjeti i energjisë elektrike bie, duke lënë 30 milion njerëz në errësirë për 13 orë, duke nisur kështu ndërprerjen e parë dhe më të mirëdokumentuar të historisë.
“Në botën moderne dhe të industrializuar energjia elektrike është një pasuri që ne e marrim si të mirëqenë. Por sistemet elektrike janë ndër infrastrukturat më komplekse të krijuara ndonjëherë nga njerëzimi, dhe rruga që përshkon rryma, para se të arrijë tek përdoruesit është me të vërtetë e gjatë: nga termocentralet apo hidrocentralet që e prodhojnë atë deri tek kabllot që e transmetojnë dhe shpërndajnë”, shpjegon Emanuele Ciapessoni, shkencëtar i Departamentit të zhvillimit të sistemeve energjetike të kompanisë Rse (Studime mbi sistemet e energjisë). “Dhe ndonëse zinxhiri i furnizimit të sistemit të energjisë elektrike, veçanërisht për rreth tridhjetë vitet e fundit, është gjithnjë e më i sigurt dhe i fortë, ngjarjet që mund të shkaktojnë ndërprerje janë ende të mundshme. Nëse një gabim prek vetëm një përbërës, ai zbulohet dhe zgjidhet brenda një kohe të shkurtër, në shumicën e rasteve. Por nëse defektet janë të shumta, mund të keni një efekt kaskadë, që mund të çojë në një blackout”. Siç e dëshmon një listë e gjatë ndërprerjesh të rrymës, që kanë ndodhur në 50 vitet e fundit.
ME E MADHJA
Rrjetet e vjetëruara të energjisë elektrike, mungesa e organizimit midis impianteve të ndryshme të prodhimit të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe përdorimi i tepërt i kondicionerëve janë ndër shkaqet që kanë shkaktuar ndërprerjen më të madhe deri më tani: 31 korrik 2012, rreth 620 milion njerëz, gati 10% e popullsisë botërore, mbeti pa energji elektrike në veri të Indisë. E shtrirë nga kufiri lindor me Birmaninë deri në kufirin perëndimor me Pakistanin, duke vazhduar për disa ditë, megablackout-i bllokoi trenat, ndali metrotë, krijoi bllokime trafiku dhe, përveç shqetësimeve më të dukshme shtëpiake, bllokoi në një minierë në shtetin e Bengalit 200 minatorë, të cilët më vonë u shpëtuan.
“Në vendet në zhvillim, ku teknologjia nuk ka bërë ende përmirësime në sistemin e energjisë elektrike, ndërprerjet janë më të shpeshta,” shpjegon Ciapessoni. “Por këto aksidente mund të ndodhin edhe në realitetet më të përparuara teknologjikisht. Shkaqet variojnë nga gabimet e instalimit deri tek aksidentet gjatë punimeve në impiante, nga defektet e projektimit ose realizimi i përbërësve kundër vjetërimit. E megjithatë, ndonjëherë ato nuk varen nga sistemi elektrik: edhe agjentët atmosferikë dhe fenomenet natyrore mund të shkaktojnë ndërprerje”.
KRIMINELE NE HIJE
Një nga më domethënëset, që ndodhi në Brazil në 11 Mars 1999, në fakt u shkaktua nga rrufeja, e cila goditi nënstacionin elektrik të Barusit, në shtetin e Sao Paulos, duke shkaktuar një reagim zinxhir që paralizoi rrjetin e energjisë elektrike dhe ndërpreu shërbimin për 97 milion njerëz në shtete të ndryshme në pjesën jugore të vendit. Gjithashtu në Nju Jork, në mbrëmjen e 13 korrikut 1977, goditi një seri rrufejesh që, duke prekur disa struktura në seri, e nxorri sistemin elektrik jashtë loje. Nju Jorku ishte në mesin e një krize të rëndë ekonomike, papunësia kish rrënuar mijëra banorë, bandat sundonin në lagje të ndryshme, një valë nxehtësie i kish nervozuar pa masë njujorkezët.
Këta përbërës e bënë qytetin tokë pjellore për krimin: gjatë 24 orëve që mbeti pa drita, pati qindra akte vandalizmi. Të paktën 1.600 dyqane u grabitën, dhjetëra makina u vodhën dhe u vunë qindra zjarre. Agjentët arrestuan afro 4,000 njerëz, aq sa nuk kishte më qeli në dispozicion në komisariatet e policisë; më shumë se 500 policë u plagosën nga të shtënat me armë.
Megjithatë, kërcënimi mund të vijë edhe nga nëntoka. Kjo është ajo që ndodhi gjatë tërmetit të fortë që goditi ishullin Hokkaidō, në Japoni, më 5 shtator të vitit të kaluar. Tërmeti me madhësi 6.7 ballë shkaktoi rrëshqitje masive të dheut dhe përmbytje rreth termocentralit Tomato-Atsuma. Zbulimi nga sistemi i sigurisë i tubave të dëmtuar dhe zjarreve, do të thoshte që impianti duhej të shkëputej automatikisht nga rrjeti elektrik, si një masë paraprake. Por kjo provokoi një paqëndrueshmëri të sistemit, i cili la pothuaj tre milion njerëz në errësirë.
MINJ, KETRA DHE MAJMUNE
“Ndër shkaqet e jashtme që mund të rrezikojnë efikasitetin e një infrastrukture elektrike janë edhe kafshët,” shpjegon Ciapessoni. «Ato mund të shkaktojnë qarqe të shkurtra brenda stacioneve ose përgjatë gjurmës së linjave elektrike. Një kërcënim përfaqësohet, për shembull, nga glasat e zogjve, të cilat mund të shkaktojnë qarqe të shkurtra në linjat ajrore”.
Dhe pastaj minjtë, gjarpërinjtë, dhelprat, lakuriqët e natës, pëllumbat: në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se 10-20% e ndërprerjeve janë shkaktuar kafshët, veçanërisht ketrat të cilët, sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane e Energjisë Elektrike, vetëm në vitin 2016 kanë shkaktuar pothuajse 3.500 ndërprerje të energjisë. Ngjarja që futi në blackout Kenian për gati katër orë, në qershor 2016, u shkaktua nga një majmun: pasi u ngjit në çatinë e hidrocentralit Gitaru, në qendër të vendit afrikan, kafsha ra në transformator, duke shkaktuar një humbje prej 180 megavatësh të energjisë elektrike që la më shumë se 40 milion njerëz pa drita. Megjithë tronditjen, në kuptimin e vërtetë të fjalës, majmuni mbijetoi dhe iu besua kujdesit të Shërbimit të Kafshëve të egra në Kenia.
GADISHULLI NE ERRESIRE
Edhe vendi fqinj, Italia ka parë shuarjen e të gjitha dritave. “Gjithçka filloi në 3.01 të mëngjesit, më 28 shtator 2003, kur në Zvicër pati një prishje të një linje të rëndësishme që lidh rrjetin zviceran me atë të Italisë”, shpjegon Alberto Borghetti, profesor i sistemeve elektrike në Departamentin e Inxhinierisë të energjisë elektrike dhe informacionit “Guglielmo Marconi”, në Universitetin e Bolonjës. “Megjithë ndërhyrjet e operatorëve, dhe për shkak të një zinxhiri ngjarjesh, në 3.27 të mëngjesit ndodhën ndërprerjet më të mëdha që ka përjetuar ndonjëherë Italia”. I gjithë territori u zhyt në errësirë, përveç Sardenjës dhe Caprit, të cilat kanë rrjete autonome; trenat u ndalën, aeroportet u bllokuan, mijëra thirrje në numrin 118, ashensorët u bllokuan gjithashtu. Nata e parë e Bardhë e organizuar në Romë u ndërpre, dy gra të moshuara vdiqën duke rënë nga shkallët, një zonjë tjetër prej zjarrit të shkaktuar nga një qiri dhe një grua e re u shtym me makinë, për shkak të një semafori që ishte fikur. Pas rreth 20 orësh, së pari në Veri dhe më pas në Jug, i gjithë gadishulli u kthye të ndriçojë.
KLIMA 2.0
Megjithëse teknologjitë për të ulur probabilitetin e ndërprerjeve janë duke u përmirësuar, shkaqet që i shkaktojnë ato rriten. Dhe në shënjestër janë edhe ndryshimet klimatike. Uraganët, stuhitë e borës, valët e të nxehtit, përmbytjet janë ndër armiqtë më të mëdhenj të infrastrukturës elektrike. Dhe këto ngjarje po bëhen gjithnjë e më të dhunshme.
“Një shembull janë reshjet e dëborës në Cortina gjatë Krishtlindjeve 2013, të cilat krijuan një ndërprerje të rëndë dhe mungesë të energjisë elektrike për 60,000 përdorues”, shpjegon Borghetti. “Dëbora e lagësht që binte me bollëk formonte shtresa të rënda akulli rreth kabllove, duke sjellë shumë ndërprerje”. Jo vetëm kaq. Seria më shkatërruese e tornadove (360 gjithsej) e regjistruar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara ndodhi nga 25 deri në 28 prill 2011 dhe shkatërroi, ose shembi më shumë se 300 shtylla 40-metërshe, duke lënë qindra qytete në Alabama dhe Mississippi pa drita.
Uragani Maria, një nga më katastrofikët e regjistruar ndonjëherë në Atlantik, shkatërroi rrjetin e energjisë elektrike të Porto Rikos në vitin 2017: u deshën 11 muaj për të rivendosur shërbimin në të gjithë ishullin e Karaibeve, aq shumë sa që kjo ndërprerje është më e gjata e regjistruar ndonjëherë. Sipas studimeve, marrëdhënia midis ndryshimit të klimës dhe ndërprerjes është shumë e ngushtë: rritja e ngjarjeve ekstreme në të vërtetë ka rritur numrin e ndërprerjeve të energjisë.
RREZIKU KIBERNETIK
Blackout-et, me gjithë barrën e tyre të rëndë dhe kostove, janë bërë gjithashtu një armë politike dhe ekonomike. Dhe për t’i vendosur nuk keni nevojë për një bombë: thjesht një virus, një program kompjuterik i dizajnuar posaçërisht për të bërë dëm. Sabotimi i parë i këtij lloji u zhvillua në 23 dhjetor 2015 në Ukrainë dhe kompromentoi sistemet e komunikimit të tre kompanive shpërndarëse në vend, duke lënë 230,000 njerëz në errësirë. Në të njëjtën periudhë të vitit tjetër, infrastruktura e Ukrainës u sulmua përsëri; programi i përdorur nga hakerat, i quajtur më vonë Industroyer, shkatërroi rrjetin e energjisë elektrike që furnizon Kievin, duke e lënë në errësirë kryeqytetin për më shumë se një orë.
SKENARI ME I KEQ
Sidoqoftë, mundësia që bota të përfshihet në një ndërprerje planetare përjashtohet nga ekspertët. “Nuk ka asnjë rrjet të vetëm global të ndërlidhur të energjisë,” vazhdon Ciapessoni. Prandaj, një kolaps i kësaj madhësie është i paimagjinueshëm. Edhe në Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndodhë, duke pasur parasysh që ato kanë tre zona elektrike autonome. Në Evropë, nga ana tjetër, ku të gjitha sistemet elektrike janë të ndërlidhura, problemet mund të përhapen nga një rrjet në një tjetër dhe, megjithëse shumë i largët, rreziku i një ndërprerje të shtrirë në pjesën më të madhe të Evropës është real. Më 4 nëntor 2006, një ngjarje në Gjermani u shndërrua në një çrregullim që çoi në një hap larg nga rënia totale e rrjetit kontinental evropian”. Kjo ishte një kambanë e rëndësishme alarmi, për të rritur më tej sistemet e sigurisë dhe mbrojtjes.