Për DR punësimet e reja kundër shqiptarëve, BDI mohon
Vendim anti-kushtetues dhe anti-marrëveshjes së Ohrit. Kështu e ka cilësuar vendimin për 5000 punësime kryetari i DR Imer Selmani. Sipas tij me këtë vendim do të neutralizohen punësimet e shqiptarëve dhe etnive të tjera gjatë 5 viteve të fundit. Selmani, shprehet i habitur për mos reagimin nga ana e BDI-së. Kjo paraqet njëkohësisht edhe vazhdimësi të vendimeve kundërshtuese dhe mono-etnike të qeverisë Gruevski, siç janë enciklopedia, mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë dhe “Shkupi 2014”.
“Ky vendim qeveritar është kryekëput anti-Marrëveshjes së Ohrit dhe antikushtetues, për arsye se këto dy parime që janë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike, me këtë vendim të pranimit të 5 mijë, kuptohet tanimë jo shqiptarëve por maqedonasve do të thyhet, do të prishet dhe thjeshtë ky vendim do të neutralizoj gjithë një rritje e cila është realizuar për 5 vitet e kaluara të punësimeve nga 200, nga 300 administratorë ose nga 500 maksimalisht nëpërmjet Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, tani me një vendim e gjithë ajo do të neutralizohet. Mendoj se kjo bëhet kryekëput për të punësuar anëtarë të VMRO-DPMNE-së”, deklaroi Imer Selmani, kryetar i DR-së.
Por, nga Sekretariati për implementim të Marrëveshjes së Ohrit theksojnë se në këto 5000 punësime do të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat.
Selmani, prapëseprapë konsideron se sekretariati nuk mund të bëjë mbikëqyrjen e punësimeve pasi nuk ka një mekanizëm të tillë.
“Ajo që është po ashtu e rëndësishme se edhe në këto punësime është e paraparë klauzola e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve dhe etniteteve të tjera. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit edhe në këtë proces do të bëjë mbikëqyrjen e përfaqësimit të drejt dhe adekuat dhe ky parim do të respektohet edhe gjatë punësimeve të reja”, sqaron Safet Neziri, deputet i BDI-së.
Sipas Hasan Jasharit këto punësime do të ngarkojnë buxhetin e shtetit dhe do të kemi administratë joefikase dhe administratë të ushtarëve partiak. Sipas tij, punësimet e shqiptarëve gjithmonë janë transparente, krahasuar me punësimet e maqedonasve.
“Parë nga aspekti filozofik mund të thuhet lirshëm se punësimet e maqedonasve dhe ushtarëve partiak të tyre bëhen pa pjesëmarrjen dhe pa dijen e shqiptarëve, nuk ka kush t’i numëron ata kurse punësimi i shqiptarëve vazhdimisht bëhet me pëlqimin e maqedonasve dhe ata janë në numërueshëm, janë shifra të cilat janë transparente’ thekson profesori Hasan Jashari.
Nga sekretariati, po ashtu informojnë se kjo nuk nënkupton ndërprerjen e konkurseve të rregullta që shpallen në bazë të dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe obligimeve kushtetuese që kanë për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike në administratën publike dhe shtetërore. Sipas statistikave në vitin 2009/2010 janë punësuar 110 mijë administratorë.
Gjyltene Rexhallari