Qeveria dhuron 17 apartamente në Tiranë për familjarët e viktimave të tërmetit
Qeveria miratoi Aktin Normativ për dhurimin e apartamenteve familjarëve të viktimave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019.
Këshilli i Ministrave vendosi dhurimin e 17 apartamenteve, në pronësi të Bashkisë Tiranë të ndodhura në njësinë administrative nr.1, Tiranë, për familjarët e viktimave.
Të gjitha shpenzimet e mobilimit dhe të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente mbulohen nga buxheti i shtetit.
Apartamentet që dhurohen për familjarët e viktimave të tërmetit hiqen nga lista e pasurive të paluajtshme të Bashkisë Tiranë ose të njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.
“Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhurojnë në favor të familjarëve të viktimave, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019 edhe apartamente nga fondi publik i banesave sociale, të përfituara sipas ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Këshilli Bashkiak Tiranë ose i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore jep pëlqimin për tjetërsimin e këtyre pasurive të paluajtshme në favor të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019, sipas parashikimeve të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar”, thuhet në këtë Akt Normativ.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen fillimisht regjistrimin e apartamenteve që do të dhurohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme në emër të Bashkisë Tiranë dhe më pas kryen veprimet e nevojshme për kalimin dhe regjistrimin e tyre në pronësi të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti.
Dhurimi realizohet nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas parashikimeve të Kodit Civil.
Kontrata nënshkruhet nga kryetari i Bashkisë Tiranë ose ai i njësisë përkatëse të vetëqeverisjes vendore dhe nga përfaqësuesit e familjeve përfituese, të përcaktuara në listën e dërguar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile.
Apartamenti i dhuruar regjistrohet në bashkëpronësi të të gjithë anëtarëve të familjes përfituese.
Çdo shpenzim procedural për kryerjen e transaksioneve për dhurimin e pasurisë paguhen nga Bashkia Tiranë ose njësia përkatëse e vetëqeverisjes vendore.
Akti Normativ detyron po ashtu strukturat shtetërore të vendosin në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe mjetet logjistike të nevojshme që nevojiten për transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në Tiranë.