MPB evidenton mërgimtarët nëpër pikat kufitare
Të gjithë mërgimtarët që do të vijnë apo ata që tani gjenden për pushime, Ministria e Brendshme nuk do ti lëshojë që ta braktisin vendin derisa nuk e paraqesin qëndrimin e tyre në vendlindje tek stacionet policore apo policia kufitare, për shkak se ka nisur evidentimi i mërgimtarëve, që do të shfrytëzohet për zgjedhjet e ardhshme.
Ky aktivitetet po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme, me qëllim të numërimit të mërgimtarëve. “Patjetër duhet që të ketë një evidencë të saktë për mërgimtarët, pasi që në zgjedhjet e ardhshme do të dihet se sa mërgimtarë i kemi jashtë vendit”, kanë theksuar nga MPB-ja.
Kjo ministri ka njoftuar policinë kufitare, që të gjithë mërgimtarët me shtetësi të Maqedonisë që jetojnë gjatë kohë jashtë vendit duhet të mbushin formularë për evidentim. Nëse mërgimtarët paraprakisht nuk kanë lajmëruar vendqëndrimin disavjeçar të tyre jashtë vendit në ambasada apo përfaqësitë konsullore, gjatë hyrjes së tyre tani në Maqedoni duhet që në formularë të evidentojnë se sa vjet jetojnë jashtë vendit dhe adresën ku jetojnë.
Njëkohësisht ata duhet të evidentojnë edhe sa ditë do të qëndrojnë në Maqedoni. Nëse këtë nuk e bëjnë në kufi, atëherë mundësia e dytë është që ata të lajmërohen në stacionet policore për të evidentuar vendqëndrimin, edhe pse kanë pasaportë të Maqedonisë, për shkak se duhet të evidentohet numri i saktë i mërgatës, si shqiptare ashtu edhe ajo maqedonase. Në rast se ndonjë nga mërgimtarët përveç shtetësisë së huaj ka edhe shtetësi të Maqedonisë dhe pasaportë me afat të skaduar, atëherë atij nuk do ti lejohet që të largohet jashtë vendit pa nxjerrë pasaportën e re biometrike.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka theksuar se të gjithë mërgimtarët që kanë shtetësi të dyfishtë, por me pasaportë të skaduar të Maqedonisë duhet patjetër të nxjerrin pasaportë të re biometrike, për shkak se Ligji për dokumente personale është i qartë që shtetasit e Maqedonisë mund të dalin jashtë vendit vetëm me pasaportë valide të lëshuar nga MPB-ja.
Sipas tij, kjo rregull nuk do të vlejë për ata që kanë pasaportat e vjetra me afat, pasi që ata vetëm se do të evidentohen si jetojnë gjatë kohë jashtë vendit. Brenda diasporës shqiptare janë përhapur propaganda të ndryshme, duke keqinformuar dhe keqinterpretuar për rregullat e reja të evidentimit të ri të diasporës, e cila do të jetë trup votues në rast të votimit të diasporës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni. Zyrtarët shqiptarë në MPB kanë apeluar që mërgata të ndjekë detyrimet e kërkuara dhe të plotësojë ato. (A.Mehmeti