Shkup: Kopjet e Enciklopedisë së vjetër të rikthehen në shitje

Enciklopedia e parë maqedonase ka përfunduar dhe nuk do të botohet më, megjithë lëshimet e shumta në përmbajtjen e saj. Por botimet e mbetura të kësaj Enciklopedie duhet të nxirren në shitje. Kështu deklaroi sot redaktori i ri i Enciklopedisë Maqedonase, Mitko Maxhunkov.

‘Unë vlerësoj se Enciklopedia e vjetër është çështje e kryer dhe në të ka shumë lëshime jo vetëm materiale por edhe gabime faktike lidhur me rajone dhe popuj të tërë, për shqiptarët, për kulturën maqedonase etj. Unë thash se ajo enciklopedi, ne për të morëm urdhër nga parlamenti ynë që të bëjmë një edicion të dytë të zgjeruar dhe çfarë do të thotë kjo…. asgjë tjetër përveç se kjo të hidhet në ndonjë depo ose të riciklohet dhe të ndryshohen 200, 300 ose 1 mijë kapituj. Por në fakt kjo gjë nuk zgjidh asgjë pasi ajo enciklopedi është përfunduar në këtë formë siç është, dhe këtu me një shtojcë të gjerë ajo duhet të jepet në shitje për blerësit dhe ky është mendim i imi personal”, deklaroi Mitko Maxhunkov, redaktor i ri i Enciklopedisë Maqedonase.

Redaktori i Enciklopedisë, Mitko Maxhunkov pranoi se për këtë ide, që botimet e mbetura të Enciklopedisë Maqedonase të lëshohen në shitje, nuk ka përkrahjen e akademikëve shqiptarë.

‘Nuk kemi konsensus me shqiptarët rreth kësaj çështjeje dhe për këtë arsye ne vazhdojmë të bisedojmë. Kur ndodhemi në një situatë të jashtëzakonshme duhet që të mblidhemi së bashku dhe t’i diskutojmë këto gjëra”, shton redaktori Mitko Maxhunkov, raporton Alsat-m.

Enciklopedia e parë maqedonase, u promovua shtatorin e vitit të kaluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve. Ajo u cilësua nga të gjitha subjektet politike shqiptare dhe OJQ-të në vend, si shumë tendencioze pasi nuk pasqyron realitetin e të gjithë popujve që jetojnë në Maqedoni, e veçanërisht shqiptarëve, për të cilët thuhej se kanë ardhur nga mali në shekullin 16, duke uzurpuar maqedonasit.