Blerim Reka: Dilni sa më masivisht në vendvotime ta shpëtoni procesin euroatlantik
Të nderuar qytetare dhe qytetarë,
Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falemnderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.
Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidencijale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë- me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.
Edhe sot po e përsëris ate që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregëtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shit-blerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.
Tregëtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja?
Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundër-kandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.
Unë mund vetëm të ju apeloj, që me 5 maj, të dilni sa më masivisht në vend-votime dhe ta shpëtoni procesin Euro- Atlantik.