Autoritetet serbe nuk kanë dhënë ende lejen për hulumtimin e lokacionit të dyshimtë në Rudnicë.

Paralajmërimet se në verë të këtij viti do të nisë hulumtimi i një lokacioni të dyshimtë për ekzistimin e një varreze masive në brezin kufitar në mes Kosovës e Serbisë, përkatësisht në Rudnicë duket se do të zhvendosen për më vonë, ngase autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë lejen për hulumtimin e këtij lokacioni. Për më tepër as dakordimi i grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për të pagjeturit për të bashkëpunuar ngushtë në hulumtimin e këtij lokacioni nuk do të gjejë zbatim në praktikë.

Ditë më parë ka qenë kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenkë Gjetaj, që ka deklaruar se autoritetet serbe nuk kanë dhënë ende lejen për hulumtimin e lokacionit të dyshimtë në Rudnicë.

Këtë fakt nuk e ka fshehur as zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj.

“Ne kemi bërë përpjekje, kemi bërë kërkesën dhe po bëjmë trysni, që të lejohet qasja dhe të lejohet gërmimi për të vërtetuar nëse ka varrezë masive ose jo”, ka thënë Manaj. Sipas tij, është dyshim i bazuar se në lokacionin e Rudnicës mund të ketë një numër relativisht të madh të mbetjeve mortore të varrosura atje.

Nëse Beogradi zyrtar vazhdon edhe më tutje të hezitojë të jap lejen për hulumtimin e këtij lokacioni në brezin kufitar, Manaj ka thënë se do të përdoren të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion.

“Ne mund të përdorim mekanizmat, që kemi. Po bëjmë përpjekje që përmes faktorit ndërkombëtar, bashkësisë ndërkombëtare dhe partnerëve tanë, ICMP-së, KNKK-së edhe EULEX-it, të krijojmë mundësi të qasjes nëse ka ose jo varrezë masive në Serbi”, ka thënë zëvendëskryeministri Manaj.

Duke rikujtuar se problemi i zbardhjes së fatit të të pagjeturve është problem politik, sepse për palën serbe është krijuar me motive politike, ai ka shprehur bindjen se edhe pengesat në hulumtimin e kësaj varreze janë të natyrës politike.

“Megjithatë ne do të bëjmë përpjekje të bëjmë presion përmes faktorit ndërkombëtar, që të ngrihet shkalla e bashkëpunimit dhe që eventualisht të ngrihen edhe treguesit për zvogëlimin e numrit të personave të pagjetur, numrit të atyre që do të identifikohen”, ka deklaruar Manaj.

Ndërkaq, Prenkë Gjetaj ka thënë se kërkesa për hulumtimin e lokacionit të dyshimtë në Rudnicë është bërë qysh në takimin e mbajtur në muajin shkurt të këtij viti.

Përndryshe lokacioni i dyshimtë në Rudnicë është vetëm njëri nga disa lokacione të dyshimta, që priten të hulumtohen gjatë kësaj vere nga ekspertët e Zyrës për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore. Përgjigjja për hulumtimin e këtij lokacioni fillimisht ishte pritur të arrinte në takimin mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për të pagjeturit, i cili është mbajtur më 8 prill në Prishtinë. Por, në vend të lejes për këtë lokacion të shumëpërfolur dhe të hulumtuar edhe para tri vitesh nga Beogradi ka ardhur leja për një lokacion tjetër të dyshimtë, që gjendet në rajonin e Medvegjes.

Për dallim prej para tri vitesh, kur për disa ditë me radhë ishte hulumtuar pa sukses në afërsi të lokacionit në Rudnicë, autoritetet kosovare pohojnë se kësaj here dëshmitë janë shumë më të sakta. Për dallim nga dëshmitë e siguruara në vitin 2007 kësaj here dyshohet se varreza masive gjendet nën një auto parking të një ndërmarrje serbe për mirëmbajtjen e rrugëve. Por, ekzistimi i këtyre ndërtimeve mbi lokacionin e dyshimtë, në pamje të parë nga ata, që janë të ndërlidhur me procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve nuk ishte parë si problem për sigurimin e lejes nga Beogradi.

Dyshimet e bazuara në dëshmitë e ofruara nga një dëshmitar i rastit kanë ngjallur shpresat e shumë familjarëve të të zhdukurve se në Rudnicë do të hidhet dritë mbi fatin e mbi 100 personave, trupat e pajetë të të cilëve dyshohet se pas vrasjes pushteti serb i ka dërguar në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit. /zeri/